Serwer: As tanket serbe nuk do t'i ndalin shqiptarët për ushtrinë

Aktuale

Serwer: As tanket serbe nuk do t'i ndalin shqiptarët për ushtrinë

Më: 14 mars 2017 Në ora: 00:57
Daniel Serwer

Ish-diplomati amerikan dhe eksperti për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, ka shprehur pikëpamjet e tij për projektligjin e iniciuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Duke e arsyetuar vendimin e udhëheqjes së Kosovës për të bërë vendin me ushtri, pavarësisht shqetësimeve të NATO’s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serwer ka thënë se padurimi i presidentit, kryeministrit e kryekuvendarit të Kosovës është lehtësisht i kuptueshëm.

“Refuzimi i serbëve e ka bllokuar këtë hap prej vitesh, teksa trysnia për të kompletuar sovranitetin e Kosovës është rritur në pjesën shqiptare të elektoratit. NATO nuk do të qëndrojë përjetësisht, ndonëse angazhimi i saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës do të mbetet vendimtar”, ka vlerësuar Serwer në një shkrim autorial.

Ai ka thënë se më mirë do të kishte qenë që transformimi i FSK’së të kishte marrë mbështetjen e serbëve, apo që serbët të paktën të abstenonin në votimin e projektligjit, por ka kujtuar se Beogradi është kundër dhe kontrollon mjaftueshëm vota të serbëve në Kuvendin e Kosovës për të bllokuar krijimin e ushtrisë nëpërmjet reformës kushtetuese.

Serwer ka thënë se rezultati i manovrës së udhëheqjes së Kosovës për të bërë vendin me ushtri nëpërmjet ligjit, në vend se nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës, do të varet nga qasja e Beogradit.

Serbia sigurisht do t’i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i pengojë shqiptarët që të vazhdojnë me planin e tyre, ka paralajmëruar Serwer.

“Ajo me shumë gjasë do t’i përdorë votat që i kontrollon në Kuvendin e Kosovës për të bllokuar ligje të tjera. Ajo mund të forcojë rezistencën e saj për riintegrimin e veriut me shumicë serbe. Ajo mundet edhe të çojë tanke në kufi dhe të kërcënojë me ndërhyrje ushtarake, nëse rrezikohen serbët në Kosovë, ndonëse kjo do të shkaktonte një konfrontim të padëshiruar me NATO’n”, ka komentuar Serwer.

Ai ka thënë se beson se shqiptarët nuk do të zmbrapsen përballë çfarëdo situate. Reagimet e mundshme të Serbisë do të ishin kundërproduktive, ka paralajmëruar Serwer, duke thënë se një gjë e tillë vetëm sa do ta forconte bindjen e udhëheqjes politike shqiptare për të mos hequr dorë.

Ai i ka propozuar Serbisë që ta njohë Kosovën, në shkëmbim të krijimit të një force më të vogël dhe më mobile për sigurinë e Kosovës.

“Nëse njohja diplomatike është urë e pakalueshme, lejimi i hyrjes së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të mund të ishte e mjaftueshme”, ka vlerësuar Serwer.

Megjithatë, ai ka pranuar se asnjëri prej këtyre hapave nuk është i mundshëm tani për tani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat