Gjini: Mogherini kërkoi votimin e demarkacionit, por jo këtë version

Aktuale

Gjini: Mogherini kërkoi votimin e demarkacionit, por jo këtë version

Më: 4 mars 2017 Në ora: 14:49
Takimi i Mogherinit me opoziten

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur sërish kundër miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pasi është i dëmshëm për vendin.

Pas takimit të shtunën me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se nuk ka ndryshim të qëndrimeve dhe se nuk do ta votojnë marrëveshjen aktuale për demarkacionin me Malin e Zi.

Ymeri: Demarkacioni cenon integritetin territorial të Kosovës

“Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është një proces të cilin të gjitha forcat politike në Republikën e Kosovës e përkrahin. Aktualisht nuk jemi duke folur për një marrëveshje që e demarkon vijën kufitare me Malin e Zi, por jemi duke folur për një marrëveshje, e cila e cakton një kufi të ri ku cenohet integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Kufirin duket ta vendosim aty ku është që nga viti 1945 dhe me një marrëveshje të tillë askush nuk ka probleme. Së paku ne, subjektet politike të opozitës vazhdimisht kemi qenë të gatshëm edhe kemi propozuar... në mënyrë që të arrijmë një konsensus i cili do ta vendoste edhe procesin e shënimit të vijës kufitare, por edhe vetë vijën kufitare aty ku nuk do të cenohej as integriteti territorial as ai i Republikës së Kosovës e as ai i Malit të Zi”, ka thënë Ymeri.

Ai tha se dallimet mes tyre dhe pushtetit ishin të mëdha pasi partitë në koalicion duan ta ratifikojnë një marrëveshje të dëmshme derisa ata si opozitë janë kundër.

Ymeri: Nuk mund të presim ndryshim të qëndrimit

“Mirëpo ka qenë kokëfortësia e qeverisë, ka qenë arroganca e partnerëve të koalicionit të cilët me çdo kusht kanë synuar ta imponojnë këtë marrëveshje për ta shpëtuar nënshkrimin e tyre skandaloz dhe kriminal, dhe kjo e ka penguar zhvillimin e këtij procesi, dhe kjo edhe sot po vazhdon pengimin e zhvillimit të këtij procesi. Sot e kemi qeverinë e Republikës së Kosovës, partnerët e koalicionit ata që më së shumti e përkrahin dhe e mbrojnë këtë marrëveshje. Nuk mund të presim ndryshim të qëndrimit, sepse kundërshtimi ndaj kësaj marrëveshje është kundërshtim i qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe Ardian Gjini nga AAK-ja tha se Mogherini ua ka bërë me dije se demarkacioni është kusht për liberalizim, por jo në këtë mënyrë dhe këtë version.

Gjini: Unioni Evropian nuk dëshiron të na tregojë se ku është vija kufitare

“Praktikisht kemi biseduar për të gjitha temat, për demarkacionin , për asociacionin, për mbajtjen e kryetarit Haradinaj në Francë, për çështjet që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, për politikën e jashtme. Unioni Evropian nuk dëshiron të na tregojë se ku është vija kufitare, por kërkon nga ne që sa më shpejtë ta bëjmë ratifikimin e demarkacionit për shkak të proceseve, për shkak të liberalizimit të vizave. Edhe ne kemi interes si Aleancë që të ndodhë demarkacioni me Malin e Zi, me qeverinë kemi dallim në këtë pikë ne mendojmë se është gabim edhe pse ne nuk e thamë në takim, mendojmë se Kosova ka më shumë kushte për liberalizimin e vizave sesa vetëm demarkacioni. Mendojmë që është e papërgjegjshme t’i themi qytetarëve që në momentin që do të kemi ratifikim të demarkacionit do të kemi liberalizim të vizave. Është kusht demarkacioni me Malin e Zi për liberalizim të vizave, por nuk është kusht n ë këtë vijë në të cilën po insiston qeveria”, ka thënë Gjini.

Ai ka folur edhe rreth ndaljes së kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë, të cilën e ka quajtur të padrejtë.

Ndërkaq, Jakup Krasniqi nga Nisma nuk është prononcuar pas takimit me Mogherinin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat