“Shqiptarët e Maqedonisë të merren vesh në Shkup, jo në Tiranë e Prishtinë”

Aktuale

“Shqiptarët e Maqedonisë të merren vesh në Shkup, jo në Tiranë e Prishtinë”

Më: 1 mars 2017 Në ora: 23:29
Nuri Bexheti

Profesori Nuri Bexheti, në Ballë për Ballë, ka thënë se partitë shqiptare në Maqedoni duhet të merren vesh mes vete në Shkup, duke mos pasur nevojë të shkojnë as në Tiranë, as në Prishtinë, për ta bërë këtë gjë.

Ai ka deklaruar se platforma e përbashkët e shqiptarëve të Maqedonisë është rrjedhojë e konstelacionit politik të krijuar pas zgjedhjeve.

“Ka kohë që presidenti i Maqedonisë, që vjen nga radhët e VRMO, po kritikohet. Duke pasur një hapësirë ligjore të padefinuar mirë, ai ka mundësi të marrë kësi vendimesh”.

“Në Maqedoni pati zgjedhje dhe fitues, në taborrin maqedonas, ishte VMRO. Partitë shqiptare zakonisht kanë bërë koalicion me fituesin. Pra fituesi shqiptar me atë maqedonas. Kjo ka nxitur reagime në taborrin maqedonas, se pse nuk ndodhi e njëjta gjë sërish. Numrat, kësaj radhe, kanë bërë që shqiptarët të merren vesh për disa gjëra, sic nuk janë marrë vesh në dhjetë vjetët e fundit”.

“E vetmja e mirë e kësaj krize është që shqiptarët kanë qenë të unifikuar. Me qejf ose me zor. Jo nga vetëdija, por numrat e bënë të tillë. Po të ishte BDI e fuqishme si dikur nuk do t’i llogariste partitë tjera fare. E mira e kësaj pune është që po ruhet kohezioni. Do të ishte mirë që lidershipi shqiptar të fokusohet për të gjetur kompromise brenda taborrit shqiptar. Nuk kanë nevojë të shkojnë të merren vesh, as në Prishtinë, as në Tiranë”.

Bexheti më tutje është shprehur se kjo platformë nuk e cënon aspak Maqedoninë, në asnjë aspekt, duke theksuar se pret zgjidhje të krizë pas presionit të faktorit ndërkombëtar.

“Platforma e shqiptarëve të Maqedonisë nuk cënon aspak kushtetutën, rregullimin shtetëror, apo kufijtë. Shqiptarët po kërkojnë avancimin e të drejtave të tyre”.

“Tash kërkohet përfshirja e faktorit ndërkombëtar. Pritet që nga Podgorica në Maqedoni të udhëtojë Federica Mogherini”.

“Hendeku në taborrin maqedonas është thelluar, për shkak se socialdemokratët kanë qenë në opozitë për dhjetë vjet”.

“Përshkallëzimi i situatës do të jetë politik, ndërsa presioni ndërkombëtar mund të vijë duke u rritur. Shqiptarët nuk duhet të futen në kurthe, si herave tjera kur është paguar cmimi”.

“Unë mendoj që presioni ndërkombëtar do të rrihtet dhe faktori shqiptar do të unifikohet më shumë mes vete dhe do të mund të krijohet një qeveri me socialdemokratët”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat