Qeveria e Kosovës e përkushtuar për rimëkëmbjen e Trepçës

Aktuale

Qeveria e Kosovës e përkushtuar për rimëkëmbjen e Trepçës

Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 16:56
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në takim përfaqësuesit e menaxhmentit, të sindikatës dhe një numër të minatorëve të Trepçës, me rastin e shënimit të Javës së Minatorëve

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e menaxhmentit, të sindikatës dhe një numër të minatorëve të Trepçës, me rastin e shënimit të Javës së Minatorëve, që shënohet për nder të 28 vjetorit të grevës së Minatorëve të Trepçës.

Kryeministri  Mustafa vlerësoi përpjekjet, punën dhe kontributin e minatorëve në rimëkëmbjen e Trepçës, jo vetëm tani por në të gjitha proceset e shtetndërtimit. 

 “Kontributi i minatorëve të Trepçës ka qenë i rëndësisë esenciale në të gjitha proceset e ndërtimit të Kosovës, edhe në proceset e pavarësisë dhe të lirisë së Kosovës dhe janë çështje, të cilat i vlerësojnë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por i vlerësojnë të gjithë edhe më gjerë sesa në Kosovë”, tha kryeministri.

Mustafa theksoi përpjekjet maksimale të Qeverisë për rikthimin e Trepçës në një dimension krejtësisht të ri.

 “Është vështirë që të kopjohet gjendja që ka qenë përpara. Tash duhet të bëjmë diçka të re, sepse kemi të bëjmë me tregje të reja, me teknologji të re, me dije të reja dhe me ju bashkërisht ato t’i bëjmë”, tha kryeministri.

 Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se jo vetëm greva e minatorëve, por edhe puna e bërë me djersë, është shembull i mirë si mbrohet dhe si duhet vendi.

Duke folur për ndryshimet ligjore me Trepçën, zëvendëskryeministri Kuçi tha se ato kanë për qëllim që gjiganti ekonomik të kthehet në një ndërmarrje e cila është e gatshme të ballafaqohet me ekonominë e lirë të tregut.

 Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, theksoi përkushtimin që viti 2017 të jetë vit i zgjidhjes së problemit ekonomik dhe social të kombinatit Trepça.

Drejtori Menaxhues i Ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava, tha se përkundër problemeve të shumta, këtë vit “Java e Minatorëve” është shënuar me një gjendje më të relaksuar, duke shtuar se ethet se Trepça do të hyj në procedurë të likuidimit i takojnë të kaluarës.

Drejtues të sindikatës paraqitën kërkesat e tyre për formimin e Bordit të Trepçës, për Ligjin për Pensione, njohjen e përvojës së punës së minatorëve gjatë viteve të 90-ta, por edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit mes MZHE-së, menaxhmentit dhe sindikatës për adresimin e çështjeve që lidhen me minatorët e vdekur në vendin e punës dhe çështje të tjera.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat