671 policë nën hetime

Aktuale

671 policë nën hetime

Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 12:08
Mbledhje e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri

(E plotësuar) - Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti raportoi para komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeshefi i këtij Inspektorati vuri në pah se falë angazhimit dhe besimit në këtë institucion, ka pasur 9.2 përqind ankesa më shumë se në vitin 2015. Ndërsa, sa i përket arrestimeve të zyrtarëve policor, në vitin 2016 janë arrestuar 69 policë, kurse në vitin paraprak ishin arrestuar 23 policë.

Sipas Mehmetit numri i rasteve të hetimeve për zyrtarë policorë është 671 raste ndër to edhe policë me pozita të larta, por edhe zyrtarë të tjerë që nuk bëhen publike për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar për shkelje të ligjit në pozitën zyrtare.

 Mehmeti ndër të tjera tha se kanë marrë masa preventive ndaj atyre rajoneve ku ka pasur arrestime të policëve zyrtarë, duke ndërruar komandantët dhe eprorët. Kryetari i këtij Komisioni Daut Haradinaj ka kërkuar nga kryeshefi Mehmeti që të mos bien në ndikim politik në hetimet e tyre inspektuese.

Haradinaj tha se numri i madh i policëve të arrestuar dhe të suspenduar është shqetësues.

Me insistimin e deputetit Rexhep Selimi se a do të kthehet sërish në polici, Hilmi Mehmeti tha se pas mandatit si kryeshef i Inspektoratit nuk do të kthehet më në polici të Kosovës.

Vitin e kaluar u arrestuan 69 zyrtarë policorë

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti ka bërë të ditur se gjatë vitit 2016 janë bërë 69 arrestime të zyrtarëve policorë.

Sipas tij, grada më e lartë e zyrtarëve policor që është hetuar nga ky institucion është grada e majorit.

Ai ka deklaruar poashtu se janë edhe disa zyrtarë me grada të tjera që janë duke u hetuar por nuk ka dhënë më shumë detaje, duke thënë se një gjë të tillë nuk guxon ta bëjë për shkak të hetimeve që janë në zhvillim.

Të gjitha këto komente, Mehmeti i ka bërë derisa po raportonte para Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.

Ai ka thënë poashtu se është paraparë që të rritet kapaciteti njerëzor brenda këtij Institucioni për 23 persona por që për një gjë të tillë nuk janë paraparë mjetet financiare.

“Çështja e parë për të cilën kërkojmë mbështetje është se është paraparë rritja e kapaciteteve njerëzore për 23 persona por nuk janë ndarë mjetet financiare”.

Mehmeti ka folur edhe për dislokimin e objektit të këtij Institucioni duke kërkuar që të caktohet vetëm toka për një gjë të tillë.

“Çështja tjetër është edhe dislokimi i objektit, që nuk do të ketë kosto buxhetor të madhe, duhet vetëm të caktohet toka për ndërtimin e objektit”.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor ka treguar edhe se mosha mesatara e inspektorëve është 35 vjet, derisa ka folur edhe për rekomandimet e Auditorit të Brendshëm.

“Auditori i Brendshëm ka dalë me 31 rekomandime ku 26 prej tyre janë zbatuar plotësisht deria 5 prej tyre janë zbatuar pjesërisht”.

“Janë paraparë edhe trajnime të brendshme brenda Inspektoriatit, dhe kjo është hera e parë që janë paraparë trajnime të tilla”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat