Policia jep detaje për arrestimet tek UP-ja dhe letrën kërcënuese të “ISIS-it”

Aktuale

Policia jep detaje për arrestimet tek UP-ja dhe letrën kërcënuese të “ISIS-it”

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 12:01
Sigurimi duke i larguar studentët në Universitetin e Prishtinës

(E plotësuar) - Letra kërcënuese që i është drejtuar Universitetit të Prishtinës në emër të organizatës terroriste, ISIS, është duke u hetuar me seriozitet nga Policia e Kosovës.

Një zëdhënës i policisë, Agron Borovci ka theksuar se pavarësisht faktit nëse ishte kërcënim serioz apo tallje e dikujt, policia nuk i neglizhon rastet e tilla.

Image
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës

“Letra është e shkruar me dorë, nuk ka logo, dhe si titullar ka vënë organizatën ISIS. Por, policia pavarësisht kësaj, i merr me seriozitet kërcënime të tilla, marrë parasysh zhvillimet globale që ndërlidhen me këtë emër”, ka thënë Borovci gjatë një konference të thirrur pikërisht në lidhje me këtë çështje.

Kjo letër, ka nënvizuar ai, “nuk reflekton në nivelin e sigurisë së përgjithshme, por i është drejtuar një institucioni, andaj edhe nuk i neglizhon kërcënime të tilla”.

Ai ka konfirmuar se në lidhje me këtë rast, policia ka intervistuar disa persona dhe po punohet përzbardhjen e rastit.

“Policia i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe po punon në këtë drejtim”, ka thënë Borovci.

Universiteti i Prishtinës kishte marrë një letër të nënshkruar me akronimet e organizatës terroriste Shteti Islamik apo ISIS, derisa rektorati i këtij universiteti po bënte përgatitjet për ceremoninë e shënimit të 47 vjetorit të themelimit të universitetit.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti.

Sipas tij, ceremonia për shënimin e përvjetorit të Universitetit të Prishtinës është dashur të mbahet në Sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Dje në mëngjes, stafi jonë, kur shkoi të bënte përgatitjet për mbajtjen e ceremonisë, e gjen një letër, e cila paralajmëronte kërcënimin, nën firmën ose emrin e ISIS-it. Në letër thuhej ‘Do t’ju sulmojmë me datën 15 shkurt, në orën 11:00, ISIS, shihemi të Zoti’. Do të thotë, saktësisht në terminin kur ne e kemi pasur të paraparë mbajtjen e ceremonisë”, tha Hoti.

Policia: Dhjetë studentë janë shoqëruar në Polici, pesë policë të lënduar

Policia e Kosovës sot me kërkesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ka bërë sigurimin e perimetrit të jashtëm të objektit të Rektoratit të UP-së, përderisa aty po mbahej ceremonia e shënimit të përvjetorit të 47-të, të themelimit të këtij Universiteti.

Ndërkohë që ceremonia po mbahej, individë të caktuar të infiltruar brenda në forma të ndryshme, kanë provuar të pengojnë mbarëvajtjen e ceremonisë.

Të njëjtit janë nxjerrë jashtë nga sigurimi i brendshëm i Rektoratit të UP-së.

Pas nxjerrjes së tyre jashtë objektit ata janë bashkuar me grupin tjetër të personave të cilët përkundër thirrjeve dhe paralajmërimit të policisë nuk kanë përfillur zyrtarët policor dhe njëkohësisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit si dhe kanë ndërmarrë veprime me të  cilat kanë penguar zyrtarët policor që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre.

Në një situatë të tillë me qëllim të neutralizimit të veprimeve të dhunshme, policia ka bërë një reagim duarthatë, deri në momentin kur agresiviteti ka qenë shumë i shprehur me ç’ rast është bërë i domosdoshëm aplikimi i mjeteve ndërmjetëse.

Për rrjedhojë nga kjo situatë pesë policë kanë mbetur të lënduar, dhe  të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Dhjetë persona  janë shoqëruar në stacionin policor, ndërkaq policia bashkërisht me prokurorin e shtetit, janë në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe procedurale me qëllim të trajtimit të rrethanave të kësaj ngjarje.

10 të arrestuar, 7 studentë lëndohen nga gazi lotsjellës

Studentët aktivistë të organizatës Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” që ende po qëndrojnë në oborr të UP-së kanë brohoritur parulla derisa ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe profesorët që ishin në ceremoninë për shënimin e 47 vjetorit të themelimit të UP-së. “Jo pushtet, universitet” është thirrja e studentëve,

Nurimshahe Demalia bëri të ditur se pjesë e aksionit ka qenë edhe shpalosja e një parulle në të cilën ka qenë e shkruar  “UP- Universiteti i Prontos”.

Image
Pamje nga Universiteti i Prishtinës

10 të arrestuar, 7 studentë lëndohen nga gazi lotsjellës

Dhjetë studentë janë arrestuar ndërsa shtatë prej tyre janë lënduar nga gazi lotsjellës.

Kështu tha Nurimshahe Demaliaj,  njëra nga studentet e organizatës “Kritikë, Studim, Veprim” të cilët sot kanë protestuar para rektoratit të UP-së.

Disa nga studentët brenda sallës ku po mbahej ceremonia për shënimin e 47 vjetorit të themelimit të UP-së ia kanë ndërprerë fjalën rektorit Marjan Demaj. Për t’i larguar ata nga oborri I UP-së ka reaguar edhe Policia me ç’rast është përdorur edhe gazi lotsjellës.

 Këta janë studentët e arrestuar sipas SKV-së

Flamur Pireva Egzon Azemi Bardhë Ahmeti Trim Gashi Miran Rrudhani Dardan Kadaj Nijazi Behluli Endrit Shatri Premton Zogiani.

Studentët ndërprenë mbledhjen e UP-së, përleshen me sigurimin

Universiteti i Prishtinës po shënon sot 47 vjetorin e themelimit. Për ta shënuar këtë ditë është organizuar një manifestim ku udhëheqës të UP-së kanë folur për këtë përvjetor të rëndësishëm të UP-së.

Derisa rektori i UP-së Marjan Dema nisi fjalën e tij disa studentë ia kanë ndëprerë fjalën atij duke i thënë se “është menaxhment i Pronto-s”.

Me këtë rast kanë intervenuar punëtorët e sigurimit dhe i kanë larguar ata nga salla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat