Njohja reciproke, faza e fundit e dialogut me Serbinë

Aktuale

Njohja reciproke, faza e fundit e dialogut me Serbinë

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 17:05
Kryenegacionarja Edita Tahiri duke raportuar para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës

Dialogu me Serbinë po hyn në fazën përfundimtare, ku temë kryesore e kësaj faze pritet të jetë njohja reciproke mes dy vendeve. Kështu ka bërë të ditur ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri, para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Kryenegeciatorja Tahiri paraqiti të arriturat e dialogut mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se pavarësisht agresionit dhe gjenocidit që ka bërë Serbia ndaj popullit të Kosovës, udhëheqja e shtetit vendosi të hyjë në një proces paqësor, i cili sipas saj, synon që në fund të rrumbullakësohet me njohje reciproke mes dy shteteve.

Madje, sipas Tahirit, vetëm njohja reciproke mes dy shteteve është faktor përcaktues për marrëdhënie fqinjësore.

Tahiri: Jemi afër fazës finale të dialogut

“Në këtë fazë të dialogut kanë mbetur tri marrëveshje të pazbatuara, është marrëveshja për drejtësi, ajo për energjinë dhe ajo për Asociacionin, i cili do të jetë në pajtim me vendimin e gjykatës kushtetuese dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ne mbetemi të përkushtuar për zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe më pas ky dialog duhet të hyj në fazën përfundimtare. Në fazën finale temat janë njohja reciproke e pavarësisë së dy shteteve, demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, temat e reperacionit të luftës, në krye agjendë kemi temën e të pagjeturve, pastaj pasojat tjera të luftës që Serbia duhet t’i kompensoj, pensionet, depozitat bankare, dëmet kulturore, fetare”, tha Tahiri.

Por, deputetët opozitar fajësuan kryenegociatoren Tahiri për mosarritje të rezultateve nga dialogu me Serbinë, as në shtrirjen e sovranitetit në veri, e as në arenën ndërkombëtare.

Deputeti i Nisma për Kosovën Zafir Berisha tha se siguria në Kosovë kërcënohet vazhdimisht dhe zhvillimet e fundit tregojnë për funksionalitetin e shtetit të Kosovës në veri.

Berisha: Siguria e vendit kërcënohet vazhdimisht

“Siguria e vendit kërcënohet vazhdimisht. Jemi dëshmitar se mbrëmë është djegur një objekt, është gjuajtur me bombë objekti i Qeverisë së Kosovës, janë shkatërruar lokalet ku ministrja ka pirë kafe në atë pjesë dhe tregon se sovraniteti i vendit kërcënohet çdo ditë. Por ju me një moment thatë që janë shuar strukturat paralele ndërsa me një moment tjetër thatë që Serbia po i mban disa struktura do të thotë nuk janë shuar”, theksoi Berisha.

Më i ashpër në kritika ishte deputeti i AAK-së Pal Lekaj, i cili fajësoi institucionet se nuk kanë bërë asgjë, madje, as mbrojtjen e qytetarëve të vet nga ndalimi në bazë të fletarresteve të Serbisë.

Lekaj: Është për të ardhur keq ndalimi me fletarreste serbe

“Ju thatë që e kemi forcuar shtetin e Kosovës, është me të ardhur keq që shteti i Kosovës, apo shtetit të Kosovës po i ndalohen qytetarët që trajtohen nga Serbia, në këtë rast Haradinaj ndalohet në Francë me fletarreste të Serbisë që është ndërhyrje brenda shtetit të Kosovës dhe kjo është e patolerueshme dhe nuk di si mund të thoni se kemi forcuar shtetin kur nuk jemi në gjendje t’i mbrojmë qytetarët tanë”, theksoi Lekaj.

Duke folur për shtrirjen e sovranitetit në veri, Lekaj tha se dialogu nuk shuajti strukturat paralele. 

Lekaj: Sovranitetin në veri nuk e keni shtrirë

“Kur i përmend strukturat paralele meqë lidhet prapë me dialog, presidenti thotë se ka struktura paralele, ekzistojnë dhe janë të fuqishme, por ashtu nga Qeveria e thonë se ka struktura paralele dhe janë të fuqishme, dhe kohëve të fundit jo vetëm struktura paralele por edhe njësite ushtarake të thirrura nga një organizatë jo qeveritare që është miratuar nga organet kompetente të Kosovës. Nëse mendoni se në këtë drejtim e keni forcuar shtetin dhe keni shtrirë sovranitetin në veri, e keni gabim”, tha Lekaj.

Për rastin e ndalimit të Haradinajt foli edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica i cili tha se për Haradinajn nga minuta e parë e ndalimit kanë reaguar dhe së bashku kanë përjetuar njëjtë, pa dallim kush është më afër tij apo më i besuari i tij.

Në fund të raportimit, ministrja Edita Tahiri iu përgjigj deputetëve të opozitës. Tha se në rastin e Haradinajt, Serbia ka bërë abuzim të interpretimit të juridiksionit të krimeve të luftës pas përfundimit të mandatit të Hagës dhe në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare tenton të bëjë fletarreste për qytetarët e shteteve tjera.

Ndërsa, duke folur për strukturat paralele, Tahiri theksoi se prej vitit 1999 me dështimet e UNMIK-ut sovraniteti i Kosovës në veri ka qenë i cenuar vazhdimisht dhe se ende ka struktura paralele.

Tahiri: Ka ende struktura paralele

“A ka struktura paralele ende, gjithmonë e kam thënë kemi shuar strukturat paralele në Kosovë në fushat ku janë arritur marrëveshje. A ka ende, ka.Ka në arsim, ka në shëndetësi, një pjesë e komunave paralele vazhdojnë të ekzistojnë. Strukturat paralele në drejtësi i kemi shuar në 2013”, u shpreh Tahiri.

Mirëpo, sipas saj, tani këto gjashtë vite të dialogut, po shtrijnë sovranitetin, në fushat ku janë arritur marrëveshjet. Tahiri tha se si rezultat i dialogut, kanë  vendosur policinë në veri, kanë vendosur kontrollin doganor, autoritetet shtetërore në dy pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, kanë vendosur regjimin e lëvizjes së lirë dhe prej vitit 2011 qytetarët e Serbisë nuk hyjnë në Kosovë të palegjitimuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat