Qeveria aprovon marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro

Aktuale

Qeveria aprovon marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 10:28
Mbledhja e qeverisë

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar sot tri marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me Qeverinë e Francës, Qeverinë e Hungarisë, Qeverinë e Austrisë , si dhe ka miratuar Garancinë Shtetërore me BERZH-in për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.

Ministri i Financave Avdullah Hoti në prezantimin e këtyre marrëveshjeve para kabinetit qeveritar, në lidhje me Projektligjin për Marrëveshjen Financiare me Qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se “Çështja kryesore e trajtuar në këtë Projektligj është ratifikimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave, marrëveshje kjo e cila i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës marrje të huas nga Qeveria Austriake në vlerë deri në 30 milionë euro për investime në projekte të ndryshme kapitale”.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar, sipas ministrit Avdullah Hoti është një Kornizë për bashkëpunim financiar në mes të dy shteteve tona për financimin e projekteve në sektorët e ujërave/ujërave të zeza si dhe infrastrukturës.

Sipas tij, Marrëveshja me Qeverinë e Hungarisë ka një vlerë totale 62 milionë Euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.00%, grejs periudhë 1.5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 17 vite.

Image
Kryeministri Isa Mustafa

Mustafa: Rivitalizimi i urës është duke u zbatuar 100 përqind

Kryeministri Isa Mustafa në lidhje me situatën e krijuar së fundmi në Mitrovicë, ka thënë se është arritur një marrëveshje e cila është në përputhje me ligjin, dhe është bërë zgjidhja më e mirë e mundshme pasi që atë strukturë e ka larguar vetë komuna e Mitrovicës.

Ai ka thënë se ka pasur takime intensive me përfaqësuesit e komunës së Mitrovicës Veriore, kryetarin e komunës si dhe përfaqësuesit politik të serbëve, për të gjetur zgjidhje për çështjen e murit në Mitrovicë.

Ndër të tjera Mustafa bëri të ditur që projekti për rivitalizimin e urës është duke u zbatuar 100% deri në këto momente.

Ai ka falënderuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, ambasadorin amerikan dhe përfaqësuesen e BE-së në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat