Konflikti i armatosur, NATO zmbraps pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës

Aktuale

Konflikti i armatosur, NATO zmbraps pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 4 shkurt 2017 Në ora: 15:07
Ilustrim

Situata e krijuar në Kosovë pas një sërë provokimesh nga Serbia,  ka rikthyer panikun tek qytetarët e në vend se mund të ndodh një konflikt i armatosur.

Për një luftë të mundshme është folur nga shumë zyrtarë si nga ana shqiptare, ashtu edhe nga ajo serbe, duke nisur nga presidenti Hashim Thaçi, respektivisht nga homologu i tij Tomislav Nikoliq, i cili pati deklaruar se është i gatshëm të dërgojë ushtrinë serbe në Kosovë, nëse është e nevojshme.

Por, në një sondazh të realizuar nga gazeta “Bota sot”, me pyetjen se, “A mund të eskalojnë në një konflikt të armatosur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?”, shumica e lexuesve apo rreth 3 mijë e 235 (54%) prej tyre, mendojnë se nuk do të eskalojë në konflikt të armatosur situata e krijuar si pasojë e provokimeve të njëpasnjësshme të Serbisë.

Mirëpo, nuk janë të paktë lexuesit, të cilët mendojnë se megjithatë situata e krijuar së fundmi mund të eskalojë në një konflikt të armatosur. Për këtë opsion kanë votuar rreth 46 % e lexuesve apo 2 e 755 prej tyre.

Eksperti i sigurisë: Konflikti i armatosur Kosovë-Serbi nuk mund të ndodhë

Duke folur lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se gjendja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,  është e tensionuar gjatë tërë kohës, që nga pasluftës që prej 99 e këndej.

Sipas tij, kjo gjendje lë për të kuptuar se këto konflikte të pandërprera mund ta krijojnë konfliktin e armatosur ushtarak mes Serbisë dhe Kosovës.

“Lufta e njohur e viteve 98-99 mes Kosovës e Serbisë, e ndihmuar nga miqtë-aleat të Kosovës, në krye me Amerikën dhe BE me forcat e NATO-s, ku u bombarduan për 78 ditë caqet kryesore të Serbisë, si fajtore edhe për të gjitha luftërat në Ballkan prej 1990 - 1999, ku kishte edhe shume harxhime materiale dhe thjeshtë mund të thuhet, se ky intervenim kushtoi me miliarda euro të miqve tonë,  vetëm për të na ndihmuar që njëherë e përgjithmonë të  çlirohemi nga gjakpirësit serb”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Duke mos u pajtuar me këtë, sipas Tërnavës, serbët po vazhdojnë me provokime të njëjta, pasi ata asnjëherë nuk e pranuan që njëherë e përgjithmonë e kanë humbur Kosovën, si pjesë të saj, të cilën e mbajnë në Kushtetutën dhe në hartat e tyre si pjesë të Serbisë.

“Në këtë situatë kur në Amerikë u mbajtën zgjedhjet dhe fitoi Donald Trump si republikan, serbët shpresuan se ky do të ndryshojë qëndrimin Amerikan ndaj Kosovës. Ndodhi qartë se Trump në deklarimet e veta tha se Kosova është prioritet dhe vepër e Amerikanëve në të cilën kanë harxhuar shumë për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Edhe Anglia u deklarua ngjashëm me Gjermaninë. Serbia e din mirë se nëse ndodh konflikt i shkaktuar mes Serbisë dhe Kosovës, kur garantues të kufijve janë KFOR dhe NATO, ajo do të pësojë keq, dhe pikëpyetje është se a do të këtë më një Serbi. Prandaj, pas prononcimeve të të fortëve, një konflikt i armatosur mes Serbisë dhe Kosovës nuk mund të ndodhë”, ka deklaruar ai.

Krasniqi: Serbët nuk kanë fuqi të përballen me KFOR-in

Edhe analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka vlerësuar se situata nuk mund të eskalojë për shkak të pranisë së KFOR-it në kufij, i cili është zotuar që ta mbrojë territorin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Ai ka theksuar se zyrtarët serb dhe strukturat paralele në veri nuk e kanë fuqinë që të përballen me KFOR-in.

“Deklaratat nga zyrtarët  e qeverisë së Serbisë nuk do të mungojnë në rast të rrëzimit të murit në  Mitrovicë, mirëpo nuk mund të eskalojë situata, sepse KFOR-i do t’i përgjigjët çdo kërkese të Serbisë, ashtu sikur para disa viteve, kur u dogjën pikat kufitare në Veri, atëherë kur u vra edhe Polici i Njësisë Speciale ROSU, E. Zymberi. KFOR-i paralajmëroi se nëse afrohen serbët afër kufirit, nuk do të kursehet jeta tyre, ajo vlen edhe sot, sepse ende nuk është transformuar FSK-ja në FAK dhe KFOR-i  do t’i përgjigjet çdo agresori të jashtëm. Serbia apo strukturat paralele në veri nuk e kanë fuqinë që të përballen me ta”, ka deklaruar ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat