Mediet serbe raportojnë: “Nuk do të ketë luftë në Kosovë!”

Aktuale

Mediet serbe raportojnë: “Nuk do të ketë luftë në Kosovë!”

Nga: Sevdail Hyseni Më: 4 shkurt 2017 Në ora: 08:09
ilustrim

Hulumtimet e gazetës beogradase “Blic”, se çka fshihet pas deklaratave luftënxitëse shqiptaro - serbe, vjen në përfundim se “Nuk do të ketë luftë në Kosovë!”

Si zakonisht, gazeta “Blic”, me tirazh më të madh në Serbi, në ballinën e numri të saj të sotëm, sjell prononcimet e dy liderëve nga Prishtina e Beogradi, Thaçi - Vuçiq dhe një pamje të policisë së Kosovës ROSU, të armatosur deri në dhëmbë.

Duke tërhequr një paralele mes asaj çka thotë kryeministri Vuçiq, se “Shqiptarëve u intereson vetëm se si të rrënohet muri, atyre nuk u intereson Unioni i komunave serbe” dhe deklaratës së presidentit Thaçi “Muri në Mitrovicën e Kosovës, duhet të rrënohet dhe Serbia për këtë ka marrë një afat shumë të shkurtër”, del pamja e policisë së Kosovës, e cila sipas “Blic”-it, është e armatosur deri në dhëmbë dhe maltreton çdo banor serb në komunat me shumicë serbe.

- Unë jam serb, jetoj në Serbi, ngas makinën me targa të Serbisë dhe nuk dua të marr targat e Kosovës. Kohët e fundit, kur dal nga oborri për të shkuar në punë, pas disa qindra metrash, më ndal policia, më kontrollon si të isha kriminel. Pas kësaj, më  nxjerr nga makina, duke m’i shkatërruar karriget dhe ikin. Vetëm një ditë më vonë, ata bënë të njëjtën gjë. Që atëherë nuk e nxjerr makinën nga oborri – thotë një banor i Graçanicës.

Image

Po kjo gazetë beogradase e quajtur “Blic”, nuk hulumton asnjëherë zonat shqiptare të brezit kufitar Kosovë – Serbi, të cilat çdo ditë kontrollohen nga xhandarmëria serbe. Qe 16 vjet nga përfundimi i konflikteve të armatosura në Luginë të Preshevës, forcat serbe të xhandarmërisë dhe ushtrisë, janë të pranishme në masë të madhe në këtë rajon.

Sa ishte Nebojsha Çoviq, kryetar i Trupit Koordinues për Luginë të Preshevës, e patën pyetur disa përfaqësues të skenës politike shqiptare se “xhandarmëria e armatosur deri në dhëmbë me maska dhe shamia, po sjell frikë te banorët e zonave kufitare”, ai, me batutë u pat përgjigjur “pse mos e deshën xhandarmërinë me dimia? !

Kështu e ka gazeta “Blic” dhe zyrtarët serbë nga Beogradi, ç’ka kërkojnë për serbët e Kosovës, nuk lejojnë për shqiptarët e Luginës, të cilët janë qytetarë të shtetit ku jetojnë, paguajnë taksat e kontributet, duke marrë pjesë në zgjedhjet e të gjitha niveleve, ndonëse nga jeta institucionale, pak kanë përfituar si komunitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat