Bruksel: “Takim tmerrësisht i keq”

Aktuale

Bruksel: “Takim tmerrësisht i keq”

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 19:58
Takimi në Bruksel

(E plotësuar) - Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ku ishin përfaqësuesit më të lartë të vendeve, presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliq, si dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, nuk dolën fare para gazetarëve. Burimet e Deutsche Welles thonë se takimi ka dështuar në tërësi dhe nuk ka pasur asnjë rezultat. Në fakt, përveç takimeve bilaterale me ndërmjetësuesen e Bashkimit Evropian në dialog, Federica Mogherini dhe një fotografie të bërë pak a shumë vetëm për hirë të nikoqirëve dhe opinionit, mes delegacioneve nuk ka pasur asnjë bisedim serioz, sepse pozicionet janë krejtësisht të kundërta.

Mogherini pohon se ka pasur takim

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Mogherini kumtoi se së bashku me presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur edhe një takim i nivelit më të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.

"Takimi i sotëm ka qenë vazhdimësi e dialogut që kemi pasur me 24 janar. Unë jam e inkurajuar me angazhimin kontruktiv të të dy palëve. Ky takim dhe angazhimi i tyre do të kontribuojnë për uljen e tensioneve”, kumtoi Mogherini duke shtuar se puna do të vazhdojë në këtë drejtim.

„Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Progresi në normalizimin e raporteve është çelësi për paqë dhe përparimin e këtyre vendeve në procesin e integrimeve drejt BE-së. Kjo është esenciale për Evropën dhe stabilitetin në rajon", pohon Mogherini. Sipas saj, palët kanë konfirmuar se janë të përkushtuara të punojnë së bashku në dialog. Mogherini ka falënderuar pjesëmarrësit e takimit, por sipas burimeve tona, takimi I përbashkët pothuajse nuk ka ndodhur fare.

Palët takohen vetëm sa për fotografim

Ishte e paraparë që pas takimeve bilaterale të delegacioneve me Përfaqësuesen e lartë të BE, të mbahet edhe një darkë e përbashkët. Kjo darkë nuk është mbajtur farë. Megjithë premtimet në prag të takimit, se palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut konstruktiv, bisedimet kanë dështuar në tërësi.

"Takimi ishte tmerrësisht i keq dhe pa asnjë rezultat”, thotë për Deutsche Wellen një burim diplomatik në Bruksel, në kushte anonimiteti.

Deklaratat në fillim të takimit ishin krejtësisht të kundërta për çështjen elementare: statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në prag të takimit se palët kanë rënë dakord që të "ulen tensionet”. Në mëngjesin e ditës së mërkurë, ai ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, duket se palët nuk janë të gatshme të lëvizin nga qëndrimet për çështjen kryesore – statusin e Kosovës.

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq tha në prag të takimit se pozicionet e delegacioneve janë krjetësisht të kundërta. "Ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë", theksoi Nikoliq duke shtuar se „Serbia nuk do të flas me askend për pavarësinë e Kosovës".

Pala serbe ishte e interesuar të fliste për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nikoliq tha madje se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina të gjitha ato që kërkon Prishtina nga Begoradi.

Në pyetjen e DW nëse kjo do të thotë se ky Asociacioni do të kërkojë pavarësi, pasi Kosova e konsideron veten si shtet të pavarur, Nikoliq u përgjigj: "Po, do të kërkojmë pavarësi nga Prishtina, nëse Prishtina mendon se mund teë jetë e pavarur nga Beogradi.”

Palët nuk kanë rënë dakord për vazhdimin e dialogut dhe nuk kanë caktuar ndonjë datë se kur mund të takohen sërish./DW

Kjo është letra e Mogherinit, ndërsa pas takimit asnjëra palë nuk është deklaruar:

Bashkë me presidentët Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliq dhe kryeministrat Aleksandar Vuçiq e Isa Mustafa pata një takim tjetër të nivelit të lartë në Dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës.

Në takimin e sotëm vazhduam diskutimet që kishim në takimin e 24 janarit. Jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i të dy palëve.

Ky përkushtim dhe politik do të kontribuojnë shumë në uljen e tensioneve dhe do të vazhdojmë të punojmë.

Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. 

Progresi për normalizimin e marrëdhënieve është çelësi për të dyja palët për të ruajtur paqen dhe për të shkuar drejt Bashkimit Evropian. Është esencial për Evropën dhe stabilitetin e rajonit. 

Të gjithë pjesëmarrësit sot rikonfirmuan angazhimin e tyre të plotë për të punuar së bashku në kuadër të Dialogut. Do të doja të falënderoja të gjithë pjesëmarrësit, presidentët Thaçi dhe Nikoliq, dhe kryeministrat Vuçiq e Mustafa për diskutim të sinqertë dhe konstruktiv që patëm.

***

Në Bruksel ka përfunduar takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë, i dyti në tetë ditë.

Përfaqësuesit e dy palëve nuk kanë bërë asnjë koment për mediat.

Bisedimet e sotme është thënë se do të përqendrohen te çështja e drejtësisë në veri, energjetika dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si ndërmjetësuese e dialogut, edhe kësaj radhe ka ftuar edhe kryeministrat, edhe presidentët e dy vendeve.

Presidenti i Kosoës, Hashim Thaçi, përpara takimit i tha Radios Evropa e Lirë se pret që “tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ulen edhe më shumë” dhe që “dialogu i rinisur të çojë drejt pajtimit dhe bashkëpunimit”.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i tha radio-televizionit serb se Beogradi do të këmbëngulë në formimin e Asociaionit të komunave me shumicë serbe.

Në takimin e javës së kaluar, palët janë pajtuar të ulin tensionet dhe të vazhdojnë bisedimet, me në fokus zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Tensionet midis tyre kanë nisur me ndërtimin e një muri në pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, dhjetorin e kaluar. Pastaj, në fillim të janarit, autoritetet franceze kanë ndaluar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë. Kjo e fundit vazhdon të kërkojë ekstradimin e tij.

Piku i tensioneve është shënuar në mes të janarit, kur Kosova ka ndaluar hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Serbia, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Autoritetet në Prishtinë e kanë cilësuar trenin si provokim për sovranitetin. Ato në Beograd kanë thënë se Prishtina ka nxitur konflikt, duke dërguar njësite të posaçme policore në veri.

Për rrjedhojë, BE-ja, më 24 janar, ka thirrur përfaqësuesit më të lartë të të dyja shteteve, kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq dhe presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliq, për të shtensionuar situatën dhe për t’iu kërkuar palëve të heqin dorë nga retorika nxitëse.

Ka qenë ky takimi i parë në nivel të lartë në gati një vit.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, në prill të vitit 2013. Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakorduara kanë mbetur vetëm në letër.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.

Së voni, Beogradi ka shprehur shqetësimin se administrata e re amerikane mund t’i bëjë presion për njohje të sovranitetit të Kosovës, përpara anëtarësimit në BE.

Nis në Bruksel takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë

Në Bruksel është duke vazhduar takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, të përfaqësuar nga presidentët dhe kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe Tmislav Nikoliç e Alaksandar Vuçiq.

Takimi është duke u ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini Mogherini, e cila paraprakisht ka takuar delegacionin nga Prishtina dhe nga Beogradi.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur edhe më 24 janar një takim të nivelit të njëjtë, të cilat takime mbahen me qellim të uljes së tensioneve mes dy vendeve

Thaçi e Mustafa përfundojnë takimin me Mogherinin në Bruksel, pritet darka 

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, sonte ka takuar në Bruksel ndaras në takime bilaterale delegacionet e Kosovës dhe pastaj atë të Serbisë.

Në delegacionet e dy shteteve janë presidentët dhe kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nga Kosova dhe Tmislav Nikoliç dhe Alaksandar Vuçiq nga Serbia.

Delegacioni nga Kosova ka përfunduar më parë takimin, ndërsa ai serb pritët të përfundojë në këto çaste dhe pastaj do të fillojnë darkën e punës së tre palëve.

Kosova dhe Serbia kanë mbajtur edhe më 24 janar një takim të nivelit më të lartë, mes presidentëve dhe kryeministrave të të dy vendeve. Takimet mbahen me qellim të uljes së tensioneve mes dy vendeve.

Thaçi e Mustafa po vazhdojnë takimin me Mogherinin në Bruksel

Ka nisur takimi në Bruksel në mes të Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe delegacionit nga Kosova, para takimit të përbashkët të tyre me përfaqësuesit serbë.

Sikur edhe herën e kaluar, në këtë rreth bisedimesh, Kosova përfaqësohet nga presidenti dhe kryeministri.

Zëdhënësja e BE'së, Maja Kocijancic, ka publikuar një fotografi ku shihet Mogherini me Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Ende nuk ka filluar takimi në Bruksel

Delegacionet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, ende nuk kanë filluar takimin në Bruksel, i cili mbahet për herë të dytë brenda pakë ditëve.

Takimi i cili pritet të fillojë në çdo moment, me takimin bilateral mes delegacionit të Kosovës dhe zyrtarëve të BE-se, e pastaj të njëjtin takim do ta ketë edhe delegacioni i Serbisë me zyrtarët e BE-së.

Pas përfundimeve bilaterale, pas orës 21:00 do të mbahet darka e punës mes dy delegacioneve dhe përfaqësuesve të BE-së.

Kosova dhe Serbia kanë mbajtur edhe më 24 janar një takim të nivelit më të lartë, mes presidentëve dhe kryeministrave të të dy vendeve. Takimet mbahen me qellim të uljes së tensioneve mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat