"Serbia nuk e do Ramushin ta gjykojë, por do propagandë kundër Kosovës"

Aktuale

"Serbia nuk e do Ramushin ta gjykojë, por do propagandë kundër Kosovës"

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 13:40
Pamje nga tyreza e organizuar per Ramush Haradinaj

Ndalimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet e drejtësisë franceze, është propagandë dhe tendencë kundër Kosovës.

Kështu u tha sot në një tryezë tematike e organizuar nga disa juristë të Kosovës ku është diskutuar për aspektet juridike të ndalimit të liderit të AAK-së në Francë dhe aspekte të shkeljes së juridiksionit universal nga ana e Serbisë.

Sipas profesorit Riza Smaka, qëllimi i kësaj konference është diskutimi i ndalimit të padrejtë të  Ramush Haradinajt  dhe kundërshtimi me të Drejtën Ndërkombëtare Penale.

Smaka: Kërkesa e Serbisë për Haradinaj, tendencioze

“Kërkesa e autoriteteve serbe , adresuar Interpolit për arrestim , mbajtje të Ramush Haradinaj, është apriori tendencioze, subjektive, malevolente dhe makiaveliste në radhë të parë ngase shteti serb botërisht ishte dhe gjithmonë mbetet ekstremiste , armiqësore kundër të drejtës politike fundamentale , vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës , përkatësisht kundër shtetit të Kosovës dhe të gjithë faktorëve politik influent, eminent në funksion të Kosovës. Kërkesën  për arrestimin e Ramush Haradinajt ia kanë adresuar një Interpoli para një dyzeni vitesh. Mirëpo atë kërkesë deri në ndalimin e tij në janarin e vitit 2017 nuk kanë ofruar, përkatësisht nuk kanë pasur burime e as kapacitete për ta kompletuar pra as për ta bazuar në argumente për justifikimin e saj”, tha Smaka.

Smaka tha se ndalimi i Haradinajt është i paligjshëm dhe se ai duhet të lirohet sa më shpejt. Gjithashtu ai theksoi se nuk është dashur të ndalohet fare e lëre më të ndalohet e të kaloi në këto faza.

Ndërsa, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda tha se ndalimi i Ramushit është një sajim i një shteti që është sinonim për të keqen dhe shkaktar i katër luftërave në ish-Jugosllavi.

Gruda: Ndalimi i Haradinaj është i sajuar

“A kishte mund dikush me imagjinuar që pas luftës së Dytë Botërore mu ndalu ndonjë ushtar,  i cili ia ka kushtuar jetën kauzës për demokraci, liri, për të drejta të njeriut. Unë besoj që kjo është t’u ndodh tash që në asnjë mënyrë nuk kishte me mund ose nuk kishte me guxu me ndodh. Unë e di edhe jam plotësisht i bindur se ndalimi i Ramushit është një sajim i një shtetit, i cili për dhjetëra vetë në fund të shekullit XX-të dhe në fillim të shekullit XXI është sinonim për të keqen. Është shkaktar i katër luftërave në territorin e ish- Jugosllavisë. Ështëshkaktarë i gjenocidit , që ka ndodhur në zemër të Evropës, në fund të shekullit XX”, tha Gruda.

Edhe profesori Ismet Salihu, e quajti padrejtësi të madhe ndalimin e Haradinajt si për vetë atë por, edhe për gjithë vendin.

Salihu: Haradinaj është emblema e UÇK-së

“Ramush Haradinaj, është emblema e luftës së UÇK-së, çlirimit të Kosovës.. Kërkesat e Serbisë, janë me motive politike , ushtarake mos tolerancës diskriminimit e të tjera”, tha Salihu.

Në konferencë ku pjesëmarrës ishte edhe Azem Vllasi, ku në këtë rast arrestimin e Haradinaj ai e quajti më tepër propagandë anti Kosovë, që shteti serb po e bënë.

 Vllasi: Serbia nuk e do Ramushin ta gjykoj në Serbi, ajo dëshiron propagandë kundër Kosovës

“Duhet me nxjerrë konkludim  të qartë pse tash , Ramush Haradinaj , është viktimë e kësaj politike...Serbia edhe sot me vendos gjykata franceze ‘Ja urdhëroni po ju dërgojmë dhe bëni çfarë të doni me të nuk e duan Serbia Ramushin para një gjykate serbe’. Serbia do me ba lidhur me këtë rast propagandë politike dhe fushatë anti Kosovë. Unë nuk kam asnjë dilemë që organet gjyqësore të Francës nuk do ta ekstradojnë Ramushin në Serbi sipas kërkesës së Serbisë”, tha Vllasi.  

Ndryshe, ish kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i AAK-së Ramush Haradinaj,  ka dalë sot para Gjykatës në Francë ku do të bëhet paraqitja e materialit, siç tha ai që e ka sajuar Serbia kundër tij. Gjykata do të marrë vendim më 9 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat