Kosova të ketë kujdes me demarkacionin, Serbia po përgatit skenar të ri

Aktuale

Kosova të ketë kujdes me demarkacionin, Serbia po përgatit skenar të ri

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 28 janar 2017 Në ora: 08:38
Grafiti, i cili thotë: "Kosova në Qakorr" (në lidhje demarkacionit të kufirit me Malin e Zi), është në foto në një udhëkryq në fshatin Haxaj, Pejë, në Kosovë, në afërsi të kufirit me Malin e Zi

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka mbajtur një takim për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, me qëllim të definimit të vijës kufitare me Malin e zi.

Ndonëse ishte paralajmëruar se në Komision do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit opozitarë, këta të fundit kanë kundërshtuar pjesëmarrjen, duke deklaruar se nuk mund të matet territori pa pasur kufij të caktuar.

Derisa nga Qeveria konsiderojnë se rezultatet e nxjerra nga Komisioni nuk do duhet të paragjykohen, është opozita ajo e cila po kundërshton këtë komision.

Vetëvendosje: Territori s’mund të matet pa kufij të caktuar

Donika Kadaj-Bujupi, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se territori nuk mund të matet përderisa nuk ka kufij të caktuar.

Ajo ka deklaruar se komisioni është i papranueshëm, duke thënë se përbërja e tij nuk i përmbush as kriteret profesionale.

“Është një komision i njerëzve servil të cilët janë të afërt me pushtetin, të cilët edhe në të kaluarën kanë konfirmuar se janë të gatshëm të shesin territorin, me qëllim të përfitimeve të tyre personale. Për neve, ky komision është krejt i papranueshëm. Territori nuk mund të matet përderisa nuk ka kufij të caktuar dhe sidomos, kjo përbërje e individëve të cilët nuk e përmbushin as kriterin profesional, ndërkaq, politikisht janë të lidhur me ata të cilët i kanë nënshkruar këto marrëveshje të dëmshme dhe rrjedhimisht nuk mund të sjellin ndonjë rezultat i cili ndryshon nga rezultati ose marrrëveshja e cila u nënshkrua nga urdhërdhënësit e tyre”, ka theksuar Kadaj-Bujupi.

Haziri: Matja e territorit vetëm humbje kohe

Ndërsa, analisti Ismet Haziri, çështjen e matjes së territorit e ka quajtur blerje kohe.

“Konsideroj se iniciativa për matjen e territorit në momentin aktual kur ne i kemi të pa demarkuar kufijtë me Serbinë, nuk e di sa është e mundur teknikisht, por situata aspak më e mirë nuk po qëndron në aspektin politik. Kjo situatë më shumë është blerje kohe, por që edhe shumë lehtë mund të jetë humbje kohe nga situata në gjendjen e Kuvendit të Kosovës për deputetët që e kanë krijuar bindjen se Kosova do të humbë territor”, ka thënë Haziri.

Prandaj, sipas tij përplasja ndërmjet pozitës dhe opozitës do të vazhdojë.

“Për shumë deputetë dhe qytetarë është bindja se kufiri ka lëvizur në dëm të Kosovës. Pra, marrëveshja për demarkacion e nënshkruar në Bruksel do të mbetet e papranueshme, sepse opozita nuk do të jetë kurrë pjesë e këtyre komisioneve edhe aq më pak nga bindja se përfaqësuesit e Akademisë janë të shëndërruar në servilë të politikave ditore”, është shprehur Haziri.

Ai ka theksuar se iniciativa e formimit të një komisioni të ri për matjen e territorit të Kosovës qe disa muaj po i kushton Kosovës shumë në ofrimin me pranimin e Kosovës në familjen evropiane, duke sjellë pasoja dhe lindje të problemeve nga Serbia.

“Serbia me strategji të vjetër po fillon t’i shfrytëzoë të gjitha dobësitë dhe kokëfortësitë e partive politike dhe përçarjen kur është çështja madhore për Kosovën”, ka shtuar Ismet Haziri.

Hertica: Demarkacioni mund t’i kushtojë shumë Kosovës

Ndërsa, sipas analistit Ali Hertica, i gjithë problemi i shkaktuar me Demarkacionin është për shkak se opozita nuk është njoftuar me kohë për zhvillimet.

“I gjithë ky problem është shkaktuar pasi që opozita nuk është ofruar me kohë dhe çka është edhe më nxitëse për t`u kundërshtuar nga opozita kur del akademiku Hivzi Islami dhe pranon të jetë i pari i këtij komisioni që si demograf ta mat Kosovën kur dihet se sa është madhësia e saj”, ka thënë Hertica.

Në këtë drejtim, sipas tij edhe me mos pjesëmarrjen e opozitës, ky komision do të jetë vetëm humbje kohe.

“Mos pjesëmarrjen e opozitës do të jetë vetëm humbje kohe, ku Serbia prapë do të fillojë të përgatis skenar të ri , sepse ajo këtë “time out” politik e shfrytëzoi me ngritjen e murit në Mitrovicë, arrestimin e Haradinajt dhe nisjen e trenit me provokime paradoksale, kriminale dhe fyese për shqiptarët dhe vet shtetin e Kosovës. Lidershipi dhe politika e Kosovës nuk duhet të lejojë këso gabime kur është çështja madhore e Kosovës”, ka thënë Hertica.

Komisioni për matjen e territorit, do të drejtohet nga Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Hivzi Islami. Nga Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore për këtë Komision është caktuar Dr.Fitim Humolli; nga Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, është caktuar zëvendësdrejtori i këtij grupi, Jeton Rexha, që i përket shoqërisë civile. Kanë propozuar që me të, të jenë edhe dy ekspertë që do ta mbështesin. Një ekspert do të jetë po ashtu edhe me Kryetarin e Akademisë të fushave profesionale; Nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, Avni Ahmeti; nga Agjencia e Ujërave, Fidan Bilalli; nga Agjencia e Pyjeve, Faruk Bojaxhi; nga KOSTT-i, Besim Gërxhaliu; nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agron Luta; nga Policia e Kosovës, Nënkolonel Kamer Jonuzaj, Departamenti i Kufirit; nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Idriz Shala; Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri; Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj;  Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova; Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi; dhe  Dy përfaqësues janë caktuar nga Peja, Ali Lajçi dhe Rrustem Selimaj./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat