Vuçiq akuzoi shqiptarët por harroi shefin e tij Nikoliq

Aktuale

Vuçiq akuzoi shqiptarët por harroi shefin e tij Nikoliq

Më: 25 janar 2017 Në ora: 15:32
Aleksandar Vuçiq dhe Tomislav Nikoliq

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, që “të reagojë dhe të dënojë sjelljen joprofesionale dhe të papërgjegjshme të palës shqiptare”.

Vuçiq tha se nëse kjo nuk ndodh, kjo do të jetë një shenjë e qartë se shqiptarët nuk duan kurrfarë dialogu, por ata duan që me çdo kusht të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e brishtë, mësojnë jozyrtarisht mediat serbe.

Në Bruksel mbrëmë, në një takim të delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës, janë pajtuar për të ulur tensionet dhe për të vazhduar dialogun, dhe që të dyja palët të përqendrohen në punët që i presin, që pas takimit e tha Përfaqësuesja e Lartë.

Në këtë frymë, kryeministri i Serbisë tha se me mbështetjen e Bashkimit rifilloi dialogu dhe se Beogradi do të mbajë fjalën e për të ulur topin dhe se beson që gjërat që kanë ndodhur nuk do të përsëriten më.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Serbisë i është bërë e qartë se Kosova do të përgjigjet në provokime të tilla si treni.

Mirëpo Vuçiq, nuk po duket se i ka lexuar edhe deklaratat e shefit të shtetit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili kishte vazhduar me deklaratat e tij kontraverse për dërgimin e ushtrisë në Kosovë “nëse shqiptarët i vrasin serbët” dhe se “shqiptarët po insistojnë që të paraqiten në dialog si shtet i pavarur”. Nikoliq i ka thënë këto deklarata pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë, Mogherini.

Në një deklaratë të re që këtë mëngjes e citon zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, tha se i vjen keq se me deklaratat pas takimit, jo të gjithë respektuan marrëveshjen që tensionet të lihen mënjanë dhe të komentojnë detajet e takimit.

Përfaqësuesja e Lartë ka bërë thirrje edhe një herë në të dy palët për të mbështetur dhe respektuar marrëveshjen e djeshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat