Serbia fiton “betejën”, ja dëmet që ia shkakton Kosovës në ekonomi

Aktuale

Serbia fiton “betejën”, ja dëmet që ia shkakton Kosovës në ekonomi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 janar 2017 Në ora: 07:59
Foto ilustrim

Pavarësisht provokimeve të Serbisë për të filluar një “luftë” në Kosovë, në aspektin ekonomik ajo është duke e fituar “betejën”. Janë shtetasit e Kosovës ata që konsumojnë produktet serbe më shumë se sa produktet e vendeve tjera rajonale.

Bazuar në të dhënat e Doganave të Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), mallra serb janë ato që importohen më së shumti se sa mallrat e vendeve të tjera rajonale.

Ndërsa, njohësit e ekonomisë thonë se konsumimi i produkteve serbe tashmë është bërë shprehi nga shtetasit e Kosovës dhe nuk japin përgjegjshmëri nëse Serbia tenton t’i bëjë dëm atyre përmes tregut.

Dëmet që vijnë nga Serbia

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, thotë se në kushtet fqinjësore do të ishte e natyrshme përdorimi i produkteve serbe, mirëpo në kushtet kur Serbia po shkakton shumë dëme duhet të ketë reaksion dhe përmbajtje nga konsumimi i atyre produkteve.

“Ne importojmë nga Serbia më së shumti mallra të konsumit të gjerë jo se ato nuk mund të gjenden në tregjet e tjera, por ekziston një shprehi e konsumit me dekada dhe shpeshherë ka të bëjë edhe me çmimin. Natyrisht që në kushtet e raporteve normale fqinjësore kjo do të ishte diçka që nuk do të duhej të merrej si problematike, mirëpo në kushtet kur Serbia na shkakton shumë dëme ekonomike dhe nuk është konstruktive lidhur me bashkëpunimin e gjithanshëm do të ishte normal një reaksion dhe përmbajtje nga konsumi i atyre produkteve, dhe një përgjegjshmëri e institucioneve tona me reciprocitet”, është shprehur Mustafa për gazetën ‘Bota sot’.

Ai thotë se Serbia i shkakton dëme Kosovës, prandaj në këto kushte institucionet duhet t’i rishikojnë marrëdhëniet me të, mirëpo edhe qytetarët duhet të mbajnë qëndrim lidhur me mallrat e saj.

“Serbia po i shkakton dëme ekonomisë së Kosovës me ndikimin destruktiv lidhur me stabilitetin ekonomik dhe politik, po i shkakton dëme sistemit energjetik dhe bën pengesa për eksportet tona të cilat janë shumë modeste. Në këto kushte edhe institucionet tona duhet të rishqyrtojnë këtë marrëdhënie, por gjithashtu edhe qytetarët duhet të kenë një qëndrim përkatës për mallrat me origjinë nga ky vend, përderisa Serbia nuk e ndryshon sjelljen” pohon Mustafa.

Mustafa shton se ekziston një mënyrë për zvogëlimin e përdorimit të mallrave serbe dhe sipas tij, produktet e saj duhet të zëvendësohen me produktet vendore apo vendeve tjera.

“Patjetër që ekziston mundësia për zvogëlimin e përdorimit të mallrave serbe. Këto mallra mund të zëvendësohen me produktet vendore për çka duhet mbështetur prodhuesit vendor, po gjithashtu dhe ofertuesit e prodhuesit e disa vendeve tjera, si për shembull Turqisë dhe vendeve tjera fqinje e të EU, por mallrat serbe duhet t’i bien në kushte të njëjta të konkurrencës si për shembull me produktet nga Turqia, për dallim nga produktet e Serbisë ende paguajnë doganë dhe marrëveshja e Tregtisë me këtë vend po shtyhet të nënshkruhet për mendim tim pa arsye.  Dhe kjo i bie para se gjithash mallrat e Serbisë në pozitë më të volitshme në tregun tonë” shprehet Mustafa.

Ai thotë se nuk mund të jep përgjegjësi nëse Serbia mund ta shfrytëzojë tregun për t’i bërë dëme qytetarëve të Kosovës, për këtë sipas Mustafës duhet të merren organet përgjegjëse.

“Për nëse Serbia mund të shfrytëzojë tregun e saj për t’i bërë dëme qytetarëve të Kosovës nuk mund të jap përgjegjësi, për këtë përgjegjësi janë organet që merren me kontrollin e cilësisë dhe standardeve të produkteve që importohen. Është koha që Serbia të ballafaqohet me një qëndrim tone të vendosur dhe parimor se nuk mund të bëjë diversione ekonomike e të tjera pa u ndëshkuar, po duhet të zbatojë marrëveshjet dhe parimet e bashkëpunimit konstruktiv fqinjësor ose pa hezitim të ballafaqohet me kundërveprime, në bazë të aprimit të reciprocitetit” përfundon Mustafa.

Rritje e importit nga Serbia

Ndërsa analisti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se përderisa qytetarët nuk i preferojnë produktet vendore dhe nuk mbajnë qëndrim nacionalist normalisht që do të rritet importi nga Serbia.

“Për derisa nuk preferojmë produktet vendore dhe përderisa nuk mbajmë një qëndrim nacionalist sa i përket përzgjedhjes së artikujve që konsumojmë, pa dyshim se do të rritet edhe importi nga Serbia.  Faj kanë edhe tregtarët, të cilët nuk dinë rrugë të tjera për biznes, pos atyre që dërgojnë në Serbi” ka pohuar Rexhepi.

Ai thotë se mënyrë e vetme për mos përdorimin e mallrave serbe është injorimi nga konsumatorët dhe orientimi drejt tregjeve tjera.

“E vetmja mënyrë për të zvogëluar importet është injorimi i tyre nga konsumatorët, orientimi i tregtareve kah tregjet tjera, përkatësisht kah shtetet mike të Kosovës, por edhe masat jo tarifore që mund të ndërmerren në kufi”, thotë Rexhepi për gazetën “Bota sot”.

Rexhepi shton se nuk ka dyshim që importimi i produkteve serbe dëmtojnë ekonominë e Kosovës.

“Pa dyshim se çdo import i produkteve që mund të prodhohen në vend dëmton ekonominë e Kosovës.  Për këtë arsye një ndër faktorët vendimtare për zhvillim është konsumi, nëse konsumohen produkte vendore, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i mirëqenies sociale do të jetë më i madh dhe më i shpejtë” përfundon Rexhepi.

Tradita që duhet të ndryshojë

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Naim Gashi thotë se konsumatorët e Kosovës e kanë traditë konsumimin e produkteve nga Serbia, mirëpo kjo shprehi duhet të ndryshojë.

“Pas vendeve të Bashkimit Evropian, Serbia është vendi prej nga më së shumti importohen mallra në Kosovë. Mendoj se është një traditë e tregtarëve dhe bizneseve që importojnë mallra me origjine nga Serbia. Edhe konsumatorët në Kosovë kanë traditë të konsumit të prodhimeve që vijnë nga Serbia. Kjo shprehi e tregtarëve dhe konsumatorëve, mendoj se duhet të ndryshojë pasi që tregjet ndërkombëtare janë shumë të mëdha dhe ekzistojnë alternativa edhe më të mira për importin e mallrave” pohon Gashi.

Gashi thekson se Serbia me gjitha mekanizmat e saj lufton shtetin dhe ekonominë e Kosovës.

“Serbia me të gjithë mekanizmat e saj po e lufton shtetin dhe ekonominë e Kosovës. Mendoj se edhe shteti i Kosovës nuk duhet të veprojë karshi këtyre obstruksioneve që po i bëhen shtetit të Kosovës. Ta zëmë Kosova duhet ta kushtëzojë Serbinë me pranimin e KOST-it si partner i barabartë në tregun energjetik, për t'i lejuar mallrat nga Serbia. Në të kundërtën duhet të vendoset reciprociteti” thotë Gashi.

Ndërsa, qytetarët e Kosovës, formimin e murit, fletarrestimet, trenin serb i shohin si provokimet e vazhduara të Serbisë, prandaj kishin bërë edhe një aksion për bojkotimin e produkteve serbe.

Kurse sipas statistikave që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës e deri në vitin 2016, Kosova ka importuar nga Serbia produkte në vlerë prej 2.638 miliardë euro./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat