Veseli në Vjenë takon ish-kandidatin për President të Izraelit flasin për njohjen nga ky shtet

Aktuale

Veseli në Vjenë takon ish-kandidatin për President të Izraelit flasin për njohjen nga ky shtet

Më: 18 janar 2017 Në ora: 15:27
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, ka takuar personalitete të larta të vendeve të ndryshme, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Veseli, në kuadër të konferencës ndërkombëtare të "Com-sult", në të cilën është trajtuar e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu, ka theksuar nevojën e mbështetjes në rrugën e zhvillimit të integrimeve euroatlantike, njofton Kuvendi. 

Me Nobelistin e njohur Dan Shechman, i cili ka qenë Kandidat për President të Izraelit, Kryeparlamentari Veseli ka folur për mundësitë e avancimit të raporteve mes dy vendeve dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli.

Në një takim me Gregor Gysi, deputet në Bundestagun gjerman, i cili ishte kryetar i së majtës gjermane, ndërkaq, ka diskutuar për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën.

Veseli, gjithashtu, ka zhvilluar takime edhe me Jan Zielonga, Shef i Departamentit për Integrime Evropiane në Oxford, Erhard Busek, ish Zëvendëskancelar i Austrisë, Vaclav Klaus, ish President i Çekisë, Stefan Sofianski, ish Kryeministër i Bullgarisë dhe me Martin Meyer, ish Zëvendëskryeministër i Lihtejnshtajnit, me të cilët ka shtruar çështjen e bashkëpunimeve ndërshtetërore dhe nevojën e thellimit të shkëmbimeve tregtare, kulturore e arsimore.

Kreu i legjislativit kosovar ka pasur një takim të posaçëm edhe me Thomas Muhlman, udhëheqës i Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, me të cilin ka biseduar për sfidat në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për nevojën që Bashkimi Evropian të vazhdojë zgjerimin me hapa më të shpejtë.

Gjatë pjesëmarrjes në panelet e diskutimit në konferencën e "Com-sult", Kryeparlamentari Veseli ka takuar edhe ish Komisionerin Evropian për Punësim dhe Çështje Sociale, Laszlo Andor, ish Ministren e Mbrojtjes të Malit të Zi, Milica Pejanovic-Djurisic, si dhe Pishtar Lutfiun, Ministër i Edukimit dhe Arsimit në Maqedoni.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat