Thaçi: Synimi i Serbisë për ndarje të Kosovës nuk do të realizohet

Aktuale

Thaçi: Synimi i Serbisë për ndarje të Kosovës nuk do të realizohet

Më: 17 janar 2017 Në ora: 17:40
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Baronesha Catherine Ashton

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se Serbia të shtunën e ka marrë leksionin e duhur nga shteti i Kosovës.

Duke folur për tensionimin e situatës me ç’rast një tren që u nis nga Beogradi nuk u lejua që të hyjë në Kosovë, presidenti Thaçi tha se këtyre provokimeve të Serbisë Kosova do t’i përgjigjet në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Këto deklarata i pari i vendit i dha me rastin e ndarjes së medaljes Presidenciale të Meritave për baroneshën Catherine Ashton. Ai me këtë rast kërkoi edhe unitet politik në vend.

Thaçi: Serbia mori leksionin e duhur

“Pavarësisht prej provokimit në tendenca nacionaliste të trenit propagandues të Serbisë, mendoj se Serbia ka marrë leksionin e duhur. Ne duhet që të investojmë që përgjigjeve të lidershipit të Serbisë për luftë t’i përgjigjemi me paqe. Thirrjes së tyre për ndarje t’i përgjigjemi me logjiken dhe veprimet tona integruese euroatlantike. Sepse nuk mund të ketë ndarje territoriale dhe etnike. Synimi i Serbisë për ndarje të Kosovës, nuk do të realizohet, por ne duhet të jemi syçelë dhe çdo pretendimi të tillë duhet t’i përgjigjemi në mënyrë të koordinuar me Bashkësinë nderkombëtare. Andaj është koha e unitetit politik në Kosovë. është koha e unitetit të gjitha institucioneve të veprojmë si tërësi por dhe unitetit politik”, tha Thaci.

Ndërsa duke folur për provokimet e fundit dhe se a po rrezikohet dialogun mes dy vendeve, ai tha se pavarësisht tensioneve dhe provokimeve, Kosova do t’i përgjigjet këtyre provokimeve, në pajtueshmëri me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ndërkaq theksoi se dialogu nuk ka alternativë.

Thaçi: Dialogu, nuk ka alternativë

“Beogradi me politiken e vet nxitëse dhe nacionaliste, është duke i provokuar dhe Kroacinë aty ku jetojnë serbet. Është duke i provokuar edhe Republikën Srpska dhe Malin e Zi. Janë duke provokuar tensione në dëm të serbeve të Kosovës, që pretendojnë me i shfrytëzua maksimalisht për aspiratat e tyre politike. Edhe sot, dua t’i drejtohem gjithë qytetarëve serb të Kosovës, që të ndihen të sigurte, të lirë. Sepse ne jemi afër tyre, në shërbim dhe mbrojtje të tyre dhe të mos bëhen pre e aspiratave nacionaliste të Beogradit dhe politikës së tyre. Në asnjë rrethanë, pavarësisht tensioneve, pavarësisht ballafaqimeve dhe veprimeve të një anshme me synime të rrezikshme dhe armiqësore të Beogradit, ne do t’i përgjigjemi në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, në mënyrë meritore. Ndërsa e theksoj se dialogu nuk ka alternativë”, tha presidenti i Kosovës.

Për këtë çështje nga gazetarët u pyet edhe mysafirja e presidentit, por baronesha Achton nuk ka dashur të japë ndonjë koment duke thënë se dëshiron ta shijojë momentin e ndarjes së dekoratës.

Ashton: Dua vetëm ta shijoj këtë moment.

“Dua t’i lë komentet sa i përket dialogut, duhet të më falni pasi që unë jam këtu sot t’iu falënderoj dhe ta shfrytëzoj rastin që të informohem sa i përket çështjeve dhe problemet, me të cilat po përballeni kështu që unë dua vetëm të shijoj këtë moment”, tha ajo.

Momenti i që shijoi Achton ishte ndarja e medaljes nga ana e presidentit për rolin e saj në në arritjen e marrëveshjeve paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, që çojnë drejt një fqinjësie të mirë dhe pajtimit.

Me këtë rast presidenti Thaçi tha se roli i Achton në arritjen e marrëveshjeve dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve është historik.

Thaçi: Roli juaj është historik në arritjen e paqes

“ Të falënderoj në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, për kontributin tuaj e nderuar Baronesh Ashton dhe rolin tuaj historik, për arritjen e paqes, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi. Gjithashtu dhe për përafrimin e Kosovës edhe më tepër, drejt familjes evropiane. E di që ka qenë punë e mundimshme, por vendosmëria juaj, durimi juaj dhe vizioni juaj, bëri që ne të arrijmë marrëveshje dhe të fillojmë komunikimet sa më normale, të dy vendeve që kanë qenë të armiqësuara me fillu me ndërtu paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë drejt një pajtimi. Them me përgjegjësi të lartë, se ai vizion do të ngadhënjejë, vizioni evropian në rajonin tonë. Pavarësisht tensioneve të përkohshme, që mund të krijohen dhe artificiale, e ardhmja e Kosovës dhe tërë Ballkanit perëndimor, është një e ardhme euro atlantike, që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së, ku roli dhe kontributi juaj është madhor dhe historik”, tha Thaci.

Për vlerësimin e bërë nga institucionet e Kosovës Ashton tha se ndihet e privilegjuar duke premtuar se mbështetja e saj do të vazhdojë dhe në të ardhmen.

Ashton: Është nder dhe privilegj për mua

“ Është një nder dhe privilegj, të jem këtu. Faleminderit për ketë vlerësim, që është një pjesë e vogël e një procesi te jashtëzakonshëm. Kudo në bote kudo që shkoj, njerëzit me pyesin për dialogun dhe unë e vlerësoj guximin dhe përkushtimin e treguar, nga ana juaj e posaçërisht tani, që ndodhem këtu ne Prishtinë, për ta bërë një jetë më të mirë për popullin e Kosovës. Z. President kemi vetëm disa gjëra praktike që duhet bërë dhe disa gjëra praktike, që bëjnë njerëzit të kuptoj vlerën dhe fuqinë e përgatitjes, për të biseduar së bashku. Unë iu uroj më të mirat në të ardhmen dhe unë mbetem një mbështetëse e madhe e asaj se çfarë mund të bëhet gjatë dialogut dhe gjithmonë e gatshme për ju dhe ndërkohë ju falënderoj përzemërsisht. Do ta kujtoj ketë moment përgjithmonë”, tha ajo.

Baronesha Catherine Ashton ka qenë ish-përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe gjatë mandatit të saj ka ndërmjetësuar në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat