Serbia dhe Kosova të angazhohen në dialog për çështjen Haradinaj

Aktuale

Serbia dhe Kosova të angazhohen në dialog për çështjen Haradinaj

Më: 14 janar 2017 Në ora: 19:58
Hoyt Brian Yee, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit

Një diplomat i lartë amerikan u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në dialog dhe të zbutin mosmarrëveshjet lidhur me arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili akuzohet për krime lufte nga zyrtarët në Beograd.

Hoyt Brian Yee, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, i tha shërbimit serb të Zërit të Amerikës se është me rëndësi të mos lejohet që asnjë incident, qoftë arrestim apo tensione të tjera dypalëshe, të ndikojë në procesin e rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve fqinje.

Duke vepruar në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë, policia franceze ndaloi më 4 janar ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Autoritetet serbe synojnë ta gjykojnë atë vepra penale që ata thonë se lidhen me luftën në Kosovë. Të enjten, një gjykatë franceze e apelit e liroi me kusht zotin Haradinaj, por e urdhëroi atë të qëndrojë në Francë në pritje të një rishikimi të kërkesës serbe për ekstradim. Dje, Serbia kërcënoi se do të refuzojë të ekstradojë personat e kërkuar nga Franca, nëse autoritetet franceze nuk e dorëzojnë zotin Haradinaj.

Kjo çështje kërcënon procesin e brishtë të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që do t’i shtonte mundësitë e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

"Ne i nxisim udhëheqësit përgjegjës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të bisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje,” tha zoti Yee. "Ky incident, - tha ai, - mund të zgjidhet nëpërmjet institucioneve, në përputhje me ligjin në Francë, ose jashtë Francës. Këto lloj incidentesh mund të zgjidhen dhe ne jemi të sigurt se do të zgjidhen", tha diplomati amerikan.

Serbia: Do të hakmerremi nëse nuk ka ekstradim

Qeveria serbe u mblodh të premten në një takim emergjent pas vendimit të gjykatës së apelit në Colmar të Francës lindore për të liruar me kusht ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, që u ndalua në fillim të janarit në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Zoti Haradinaj do të presë në Francë deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij. Serbia e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte gjatë kohës kur ai ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare që luftonte kundër forcave serbe.

Lirimi i tij me kusht nxiti reagimin e Beogradit. Presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha se ky është rezultat i trysnisë së vendeve të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Serbisë kërkoi të premten siç tha ekstradimin e menjëhershëm të zotit Haradinaj, ndërsa u kërcënua se do të hakmerret jo vetëm ndaj Francës por edhe të gjitha vendeve tjera që injorojnë urdhër arrestet serbe.

Autoritetet serbe thanë se u kanë dorëzuar organeve franceze edhe prova të reja kundër zotit Haradinaj dhe në aktakuzën e zgjeruar nga prokuroria serbe, janë përfshirë edhe 30 dëshmitarë.

Zoti Haradinaj tha të enjten në gjykatën e apelit në Francë se akuzat serbe janë plotësisht politike, ndërsa procesin e vlerësoi si abuzim me ligjin.

Institucionet dhe partitë politike në Kosovë thanë se lirimi i tij me kusht është i pamjaftueshëm dhe se autoritetet franceze të drejtësisë duhet të përmbyllin sa më parë rastin ndaj tij. Zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga akuzat për krime lufte në Gjykatë Ndërkombëtare në Hagë.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb ka shtuar tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, megjithëse është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat