Tahiri kërkoi nga BE-ja që ta ndal trenin ilegal të Serbisë

Aktuale

Tahiri kërkoi nga BE-ja që ta ndal trenin ilegal të Serbisë

Më: 13 janar 2017 Në ora: 18:37
Edita Tahiri

Ministrja Edita Tahiri sot kërkoi nga BE-ja që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, të cilin Serbia e ka paralajmëruar për nesër, si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë. 
 
Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve.
Paralajmërimi i bërë për të lansuar linjën e re ilegale Beograd - Mitrovicë që nga dita e nesërme, është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën, ka theksuar ministrja Tahiri.
 
Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndal Serbinë.
 
Serbia ka agjenda të rrezikshme, që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, edhe Kosovën edhe partnerët ndërkombëtar. Tashmë ky është një provokim i hapur kundër Kosovës, që tregon se Serbia ka dalur hapur me politika agresive që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë nacionale të saj, deklaroi ministrja Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat