“Kadri Veseli takon dëshmitarët e Gjykatës Speciale”

Aktuale

“Kadri Veseli takon dëshmitarët e Gjykatës Speciale”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 12 janar 2017 Në ora: 08:19
Kadri Veseli

“Pata nderin ta mbyllë vitin me një takim me Z.Kadri Veselin”, kishte shkruar Skënder Tahiraj, i cili kësaj fjalie ia kishte bashkëngjitur edhe një fotografi përkrah të parit të Kuvendit, Kadri Veselit, duke dëshmuar kështu takimin me të.

Ky takim mes Veselit e Tahirajt kishte ndodhur në javën e fundit të vitit 2016 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Skënder Tahiraj është një prej 24 të akuzuarve për ndikim në dëshmitarë në rastin Drenica. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Skender Tahiraj, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani akuzohen se në periudhën qershor 2013- shtator 2015 kanë ndërtuar një plan për ta detyruar Dëshmitarin F që ta japë një deklaratë të rrejshme në këmbim të një shume parash prej 109 mijë euro.

Ndërkaq, ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë është konsideruar si një nga fenomenet më negative në Kosovën e pasluftës. Madje, në shumë raporte ndërkombëtare Kosova ka marr nota negative për shkak të politikanëve të cilët kanë ndërhyrë në sistemin e drejtësisë.

Komentohet takimi Veseli-Tahiraj

Ndërhyrje në sistemin e drejtësisë po konsiderohet edhe takimi i Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, me takimin e tij me Skënder Tahirajn.   Për njohësin e rrethanave politike në vend, Arbër Gashi, në Kosovë, kanë marrë hov proceset politike që synim përfundimtar kanë rehabilitimin e krimit ekonomik dhe politik. “Pa dashur të paragjykoj takimin e z. Veselit, por duke e potencuar përgjegjësinë institucionale për takimet dhe afirmimet që ju bëhen personaliteteve me të kaluar të dyshimtë, më duhet të theksoj se, veprimi i  Kadri Veselit nuk është rast sui generis! Vrojtuesi i vëmendshëm konstaton, se në vendin tonë kanë marrë hov proceset politike që synim përfundimtarë, kanë rehabilitimin e krimit ekonomik dhe politik. Ky proces do të përcillet me dhimbje dhe pasoja për shtetin dhe qytetarët. Në përfundim të këtij procesi, nëse deri atëherë nuk do të ketë ndonjë ndryshim pozitiv nga vet shqiptarët, vendi ynë do të mbetet një ishull i izoluar dhe i varur nga vullneti politik i Serbisë”, ka thënë ai. 

Kurse, veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ajet Avdyli, e ka ndërlidhur këtë rast edhe me themelimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se të akuzuarit e mundshëm janë në panik.

“Tani komandantët e Rognerit që gjatë luftës jetonin në Hotel Rogner, ku hanin e pinin dhe dëfreheshin me vajza të reja, ku klani i tyre jetonte në një luks të madh, tani e kanë një hallë, kanë ra në dert, po presin se cili medium informativ në Kosovës , do ta publikoj lajmin për shpalljen e aktakuzave kundër tyre”, ka thënë ai.  

Avdyli ka potencuar se, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po përpiqet të vërë sa më shumë kontakte me dëshmitarët e Gjykatës Speciale. 

“Para disa ditësh u publikua një lajm interesant se Kadri Veseli kryetari i PDK-së, qenka takuar me potrogjelin e shantazhuesin e projekteve, e menaxherin e disiplinimit të dëshmitarëve që priten të jenë dëshmitarë në Gjykatën Speciale. Dihet mirë se edhe Kadriu, ka një problem duke i ditur të bëmat e tij, tani është në aksion, mundësisht sa ma shumë të vërë kontakte me dëshmitarët e mundshëm të Gjykatës Speciale”, është shprehur ai.  Më tej, Avdyli ka përmendur me këtë rast edhe shqetësimin e ish-Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Samuel Zhbogar,me rastet e kërcënimit dhe frikësimit të dëshmitarëve, duke i detyruar këta të fundit për t`i ndryshuar deklaratat.  Kjo, kjo sipas tij, është edhe njëra nga arsyet, se Gjykata Speciale ka vetëm gjykatës ndërkombëtarë.

Më tej, Avdyli ka kujtuar se, edhe kryetari i Kosovës Hashim Thaçi e pranoi publikisht se Gjykatën Speciale e kemi “peshqesh” nga ata që kërconin e vritnin dëshmitarët pas luftës.

“Po shihet tani Hashimi po i pranon të gjitha, dihet ka një halë, të mbroj vetën e tij, e t’ i shesë të tjerët me pak para. Po shihet se janari i acartë ka filluar, edhe burgosja e z. Haradinaj, nga ana e autoriteteve Franceze, nuk dihet se a është bërë me urdhër të Serbisë, apo me urdhër të Hagës, akoma nuk dihet. Por ajo çka dihet se z. Haradinaj edhe më parë ka qenë në Francë, bile ka bërë foto në stadium, e nuk është ndaluar, e tani e kemi të ndaluar, mbetet të presim se çfarë do të ndodhë me të”, ka potencuar Avdyli.

Rasti “Drenica”, lojë me çlirimtarët

Nga ana tjetër, analisti Islam Krasniqi, ka thënë se, rasti Drenica ka qenë një lojë me çlirimtarët, andaj edhe takimi i z. Veseli me z. Tahiraj, nuk mund të ketë ndonjë prapavijë.  

 “Takimi i të parit të kuvendit të republikës së Kosovës z. Veseli me  njërin nga personat e akuzuar për ndikim në dëshmitarë në rastin Drenica, mund të jetë takim miqësor, sepse rasti Drenica ka qenë vetëm një lojë me çlirimtarët, edhe pse z. Veseli nuk i besoj aspak pas këtij takimi nuk besoj së ka një prapa vijë”, ka thënë Islami.

Megjithatë, Krasniqi, ka pranuar se politika ia ka lidhur këmbët drejtësisë duke theksuar se kjo e fundit vendos me udhëzime të politikës. 

“Politika ja ka lidhur dy këmbët drejtësisë e cila vendos më udhëzime të politikës e jo në bazë të provave të cilat janë të mjaftueshme për të vendosur drejtësi. Dëshmitaret gjithmonë janë të rrezikuar mirëpo nuk besoj së krerët e lartë drejt për drejt ndikojnë në dëshmitar, mirëpo ata ndikojnë në mënyrë të tërthortë, që emrat e tyre të mos lakohen nëpër prokurori apo diku tjetër”, është shprehur ai.  Për më tepër, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, “Dëshmitari F ka dëshmuar në seancën e 10 korrikut 2014-të në grupin Drenica. Rrustem Rukolli, Rexhe Gjota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiraj, Sheremet Jashari e Bajram Dibrani akuzohen se prej qershorit 2013 deri sot, duke vepruar nën një plan të përbashkët, nën direktivat dhe udhëzimet e Sami Lushtakut e Ismet Haxhës, akuzuarit vendosën ta formojnë një grup prej së paku tetë personave aktiviteti kryesor i të cilit ishte që t’i pengojnë dëshmitarët e prokurorisë në rastin P. 938/13” thuhet në aktakuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat