Raporti i PE-së për Kosovën - rezultate më konkrete në luftë kundër korrupsionit

Aktuale

Raporti i PE-së për Kosovën - rezultate më konkrete në luftë kundër korrupsionit

Më: 9 janar 2017 Në ora: 16:32
Ilustrim

Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian diskuton, të hënën, për raportet vjetore për Kosovën dhe për Serbinë dhe njëkohësisht do të bëhet edhe leximi i parë i këtyre drafteve.

Draftin e Raportit për Kosovën e ka përgatitur zëvendës-presidentja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek ndërsa atë për Serbinë deputeti gjerman David Mc Allister. 

Në draftin e raportit për Kosovën shprehet keqardhje për polarizimin ekstrem të skenës politike në Kosovë dhe u bëhet thirrje të gjitha partive politike që të krijojnë kushte për dialog të dobishëm i cili do të zbuste tensione dhe do të mundësonte gjetjen e një kompromisi të qëndrueshëm i cili do të ndihmonte rrugën evropiane të vendit.

Zonja Lunaçek në draftin e raportit të saj, u ka bërë thirrje liderëve të komunitetit serb të Kosovës që të marrin përgjegjësi dhe pronësi të plotë për vendet e tyre në institucionet e Kosovës, duke vepruar në mënyrë të pavarur nga Beogradi dhe në mënyrë konstruktive në dobi të gjithë popullit të Kosovës.

Në këtë tekst me shqetësim nënvizohet se posti i ministrit të integrimeve evropiane mbetet ende i zbrazët, gjë që ndikon në efikasitetin dhe koherencën në zbatimin e MSA-së.

Edhe kësaj radhe inkurajohen 5 shtetet e mbetura anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën dhe nënvizohet se “njohja do të ishte e dobishme për procesin e normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe po ashtu inkurajon një qasje pozitive ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave edhe një herë shprehet shqetësim për mosratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi dhe bëhet ftesë për rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe dënimet për raste të nivelit të lartë.

Sa i përket dialogut me Serbinë, edhe në raportin për Kosovën e edhe në atë për Serbinë, mirëpritet progresi i arritur së fundi për disa marrëveshje të nënshkruara, pas muajve në të cilat nuk pati progres apo pati vetëm progres të pakët. Kosova dhe Serbia ftohen që të shohin më shumë angazhim dhe vullnet të qëndrueshëm politik për normalizimin e raporteve.

Në dokumentin për Kosovën shprehet shqetësim për vazhdimin e pranisë së strukturave paralele të Serbisë në territorin e Kosovës dhe kërkon shpërbërja e tyre.

Edhe këtu mirëpritet themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë, si një “hap esencial për të siguruar drejtësinë dhe pajtimin” dhe i bën ftesë Kosovës që të bashkëpunojë tërësisht me këtë Gjykatë. Po ashtu nënvizon se “mbrojtja e dëshmitarëve është kyç për suksesin e kësaj Gjykate.

Shqetësim serioz shprehet edhe lidhur me mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mediave, dhe rritjen e presionit dhe ndërhyrjes politike që ushtrohet ndaj mediave.

Kërkohet nga autoritetet e Kosovës që në tërësi të pranojnë dhe mbrojnë lirinë e shprehjes në përputhje me standardet e BE-së dhe në këtë drejtim t’i japin fund pandëshkueshmerisë për sulme ndaj gazetarëve.

Përsëritet shqetësimi për progresin e ngadalshëm në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe shpreh keqardhje se shumë raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit kalojnë pa u dënuar, sidomos në veri të vendit.

Mirëpritet edhe rritja e përpjekjeve për kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe njihet rëndësia e punës që ka bërë Kosova në këtë fushë.

Pas debatit të sotëm deputetët do të kenë në dispozicion dhjetë ditë për të paraqitur amendamentet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat