Kosova vitin e kaluar asgjësoi mbi 700 tonelata produkte ushqimore

Aktuale

Kosova vitin e kaluar asgjësoi mbi 700 tonelata produkte ushqimore

Më: 8 janar 2017 Në ora: 12:00
ilustrim

Qytetarët konsumatorë të Kosovës çdo ditë përballen me rrezikun nga produktet ushqimore të mishit, produktet qumështit dhe të lëngjeve, të cilat disa prej tyre nuk i plotësojnë kriteret për konsum.

Ndonëse, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, ka kryer mbi 55 mijë inspektime, vetëm brenda vitit që lamë pas ka asgjësuar mbi 700 tonelata produkte me origjinë shtazore, bimore dhe produkte tjera të ndryshme që nuk kanë afat dhe nuk i plotësojnë kushtet.

Kryeshefi ekzekutiv i AUV, Valdet Gjinovci në një intervistë për KosovaPress theksoi se me programin e kësaj agjencie gjithnjë bëhet monitorimi ndaj operatorëve të biznesit me produkte ushqimore, qoftë atyre të cilat importojnë dhe atyre që prodhohen nga ana e operatorëve të brendshëm.

Gjinovci: Janë kryer mbi 55 mijë kontrolle

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe stafi i saj kanë punuar me një përkushtim të lartë gjatë gjithë vitit dhe gjithmonë duke u realizuar edhe nga aktivitetet të cilat janë realizuar në terren, duke filluar që nga pikat kufitare kontrollin të cilin e kanë kryer, ku vetëm gjatë këtij viti janë kryer mbi 55 mijë kontrolle apo inspektime gjatë kontrollit të importit. Mirëpo përfshirë këtu edhe kontrollet e brendshme të cilat janë realizuar në territorin e vendit. Kështu që gjatë kësaj kohe kemi qenë të përkushtuar që të ofrojmë produkte të sigurta për qytetarët e vendit.”, theksoi Gjinovci.

Gatishmëria e kësaj agjencie dhe stafit të saj, sipas Gjinvovit, është që të ketë më shumë kontrolle dhe aty ku vërtet ka produkte pa afat dhe jo cilësore të asgjësohen. Ai ka kërkuar një bashkëpunim për këtë dukuri edhe nga qytetarët.

Gjinovci: Mi 700 mijë kilogramë produkte i kemi asgjësuar

“Ne gjatë këtij viti kemi arritur që deri më tani rreth 700 mijë kilogramë produkte të ndryshme ushqimore me origjinë shtazore dhe origjinë bimore përfshirë edhe lëngjet apo edhe produkte të tjera që të asgjësohen dhe të mos lejohen që të përdoren nga konsumatorët dhe qytetarët e vendit tonë”, tha Gjinovci.

Gjinovci ka siguruar qytetarët se AUV asnjë herë nuk do të lejojnë që produktet të cilat janë të dyshimta të përdoren nga ana e konsumatorëve të vendit.

Gjinovci: Çka ne e kontrollojmë gjithmonë e konsiderojmë si produkt të sigurt

“Asnjë herë nuk lejohet që produktet të cilat janë të dyshimta të përdoren nga ana e konsumatorëve qytetarë të vendit.”, tha Gjinovci.

Kosova në përgjithësi jo vetëm që është importues i produkteve me origjinë shtazore(produkteve të mishit) apo edhe produkteve të qumështit, mirëpo në përgjithësi është një importues i madh thuajse i gamës së gjerë i të gjitha produkteve tjera, edhe produkteve me origjinë bimore.

Për këtë Gjinovci tha se produktet e importit të cilat janë kryesisht prej tregut të BE-së dhe nga vendet e tej oqeanit kanë disa probleme që nuk i plotësojnë kushtet dhe standarde, mirëpo, sipas tij, ky autoritet merr masat duhura në kohën e duhur.

Gjinovci: Kemi ngritë nivelin e kontrollit edhe për produktet e BE-së

“Në kuadër të kësaj dua të them që janë ato produktet të cilat përdoren dhe në BE, produkte të cilat edhe ne i lejojmë që të përdoren në vendin tonë. Problemet të cilat ndodhin herë pas herë për çka edhe ju jeni dëshmitarë se ndodhë edhe prej vendeve të BE-së që produktet të cilat nuk i plotësojnë nga një herë standardet dhe kriteret. ”, tha Gjinovci.

Për produktet pa afat, ai tha, se i nënshtrohen kontrollit, mirëpo sipas tij, gabimet teknike edhe mund të ndodhin.

Gjinovci: Gabimet teknike edhe mund të ndodhin

“Gjithmonë produktet i nënshtrohen kontrollit, tani edhe gabimet teknike edhe mund të ndodhin.”, theksoi ai.

Prioritet për vitin e ardhshëm dhe që është mjaft e rëndësishme sipas Gjinovci, është projekti për programin kompjuterik softuerik për futjen e të dhënave në kohë reale në pikat inspektuese kufitare(transparenca për sasinë e importit dhe llojin e produkteve).

Gjinovci: Programi softuerik në kufi nga fillimi i vitit 2017

“Prioritet për vitin e ardhshëm dhe që është mjaft e rëndësishme është mbështetja e USAID-it lidhur me programin softuerik për pikat inspektuese kufitare dhe për ofrimin e shërbimeve për vet operatorët e biznesit, për vet importuesit, mirëpo edhe për hir të krijimit të transparencës së përgjithshme, USAID-i ka vendosur që ta mbështes këtë program ku shpresojmë se nga fillimi i vitit të ardhshëm të zbatohet fillimi dhe implementimi i këtij projekti mjaft domethënës”, tha kryeshefi i AUV.

Si projekt me interes për vendin është edhe ndërtimi i fabrikës së përpunimit të mbetjeve organike që është nga projektet e para në rajon që mbështetet dhe financohet nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës”, tha Gjinovci.

Ndërsa, AUV është përfitues i madh i projekteve të cilat mbështetën nga ana e Bashkimit Evropian, ku që nga viti 2007-2015 projektet të cilat janë realizuar nga ana e AUV dhe që janë mbështetur nga ana e Komisionit Evropian kalojnë vlerën monetare prej 26 milionë euro të cilat janë orientuar kryesisht në fushën e sigurisë ushqimore dhe në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në përgjithësi.

Po ashtu janë projekte të tjera të cilat nga viti 2016 deri në vitin 2020 të cilat do realizohen nga AUV e që mbështeten nga ana Komisionit Evropian e tejkalojnë masën monetare mbi 10 milionë euro. Edhe këto mjete do të jenë të orientuara në fushën e sigurisë ushqimore dhe në mbrojtje të shëndetit të kafshëve në përgjithësi.

Ndër projektet me prioritet nga AUV për vitin e ardhshme, mbetet mbrojtja e shëndetit publik të qytetarëve të vendit dhe ofrimi i shërbimeve të një cilësie edhe më të lartë për të gjithë konsumatorët pa dallim.

Mirëpo, Gjinovci ka përmendur edhe sfidat me të cilat është ballafaquar kjo agjenci me sëmundjet e ndryshme të cilat kanë qenë probleme dhe për gjithë rajonin, përfshirë edhe Kosovën, që ka qenë sëmundja kongore e lëkurës, ku AUV sipas Gjinovcit, me përkushtimin edhe profesionalizimin e saj ka arritur që ta menaxhoj këtë situatë, falë edhe mbështetjes nga ana edhe e Komisionit Evropian.

Gjinovci mburret po ashtu se në vitin që lamë pas ka pasur zhvillim të aktivitetit kundër etheve hemorragjike ‘krime kongo’, ku në tri vitet e fundit nuk ka humbje të jetës së njerëzve, fatkeqësi kjo e cila Kosovën e ka përcjellë që nga pas lufta, sidomos në komunën e Malishevës dhe Suharekës .

Një aktivitet i arritur si i rëndësishëm konsiderohet edhe regjistrimi i të gjitha fermave të shpeztarisë dhe vulosjen e vezëve.

Si të rëndësishme dhe mjaft domethënëse për vet fermerët blegtoral po konsiderohet nga kreu i kësaj agjencie edhe mbështetja e tyre nga AUV me laboratorin e ushqimit për kryerjen e analizave falas, analiza këto mjaft të rëndësishme për ekonomitë e tyre familjare, ngase qumështi si produkt jetik për konsumatorët, ekonomik për fermerin, është edhe afirmativ për vendin me përcaktimin e cilësisë së qumështit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat