Fokusimi në rrugë, lë anash hekurudhat e Kosovës

Aktuale

Fokusimi në rrugë, lë anash hekurudhat e Kosovës

Më: 6 janar 2017 Në ora: 10:52
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku

Vetëm në vitin 2016 janë ndërtuar 134.3 kilometra rrugë, autostradë 25 km, rrugë nacionale 67 km dhe rajonale 42 km, ndërsa, për hekurudhat është në procedurë tenderuese vetëm një projekt, i cili financohet nga Komisioni Evropian, BERZH-i dhe Banka Evropiane Investive.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, në një intervistë për KP, theksoi se do të duhej që edhe hekurudha të trajtohet në të njëjtin nivel sikurse asfaltimet e rrugëve, ngase sipas tij, kjo do ta lehtësonte qarkullimin e njerëzve dhe komunikacionin në përgjithësi.

Zharku: Hekurudhat i kemi lënë pak anash

“Ne do të duhej përkundër asaj që ende nuk po e bëjmë, po i japim rëndësi jashtëzakonisht të madhe rrugëve, kurse hekurudhat pak po i lëmë anash. E para do të mundësonte një qarkullim i qytetarëve shumë më i mirë, e dyta do të lehtësohej ngarkesa e rrugëve aktuale që i kemi, dhe një pjesë e popullatës tonë do të tranferohej apo do të bartej me transportin hekurudhor”, tha Zharku.

Ai tregoi se është në proces një projekt për rehabilitimin e hekurudhës nga Mitrovica në Han të Elezit, që kap shumën rreth 200 milionë euro, mirëpo, sipas ministrit, për këtë projekt përgjegjës është Infrakos.

Zharku: Në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi listën e ngushtë të kompanive për hekurudhën

“Aktualisht jemi në fazën e parë, e cila është prej Hanit të Elezit deri në Fushë Kosovë, natyrisht kur bëhet projekti detal në përputhje me të, edhe do të kryhen punët. Krahas me hartimin e projektit detal jemi në fazën e hartimit apo përpilimit të një liste të shkurt të kompanive që do ta ekzekutojnë projektin që po kryhet nga ana e njësisë për implementimin e projektit që është e vendosur në Infrako në bashkëpunim të ngushtë edhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Besojmë që në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi listën e ngushtë të kompanive që do ta përzgjedhim. Do të vazhdojmë fazën e tenderimit të projektit për fazën e parë dhe natyrisht sipas të gjitha planifikimeve tona diku në fund të vitit do të fillon edhe rehabilitimi i kësaj pjese”, tha ministri Zharku.

Duke folur për hekurudhat të cilat lidhin edhe rajonin, ministri i Infrastrukturës theksoi rëndësinë e ndërtimit të hekurudhës Prishtinë-Durrës-Tiranë, megjithëse sipas tij, ekziston edhe një gatishmëri e Qeverisë së Shqipërisë, dhe pjesa më e madhe e ndërtimit të hekurudhës i bie në pjesën e Shqipërisë.

Zharku: Ekziston një vullnet i madh i Shqipërisë për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës

“Unë besoj se partneriteti strategjik me Shqipërinë, natyrisht që nuk ka dilemë, por që rruga e kombit autostrada “Ibrahim Rugova” është baza apo themeli i këtij partneriteti… por që ky projekt madhor duhet të zgjerohet apo të plotësohet edhe me hekurudhën Prishtinë – Durrës-Tiranë. Ju e dini që vitet e kaluara është biseduar për këtë projekt në kuadër të procesit të Berlinit, në kuadër të Forumit për gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.  Është përcaktuar zgjerimi i rrjetit trans-evropian në Evropën juglindore...  Ekziston absolut një vullnet i madh i Qeverisë së Shqipërisë për ndërtimin e kësaj hekurudhe”, tha ai.

 

Ministri Zharku ka treguar gjithashtu se prioritet numër një i ministrisë mbetet ndërtimi i rrugëve të reja, rehabilitimi i rrugëve aktuale apo zgjerimi i rrugëve aktuale.     

Ai tregoi se nga viti 2017 do të fillohet me ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, dhe vazhdimi i ndërtimit të rrugës për Dukagjin nga Kijeva deri në Zahaq me 32 kilometra.

Zharku: Do të zgjerohet rruga Kijevë-Zahaq 32 kilometra

“Presim  gjatë këtij viti, gjatë verës të fillojmë me autostradën e Gjilanit, një projekt I ri I cili do të ndahet në dy faza, fazën e parë prej Prishtinës deri në Bresalc dhe pastaj prej Bresalcit deri në Dheun e Bardhë. Në anën tjetër ën fillim të vitit do të në dy tre muajt e parë të vitit do të nënshkruajmë marrëveshjen për huazim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për pjesën e mbetur të rrugës Kijevë-Zahaq me 32 kilometra. Po ashtu do të fillojmë me zgjerimin e rrugëve përmes financimit të Bankës Evropiane për rindërtim dhe Zhvillim në tri qytetet kryesore, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit dhe natyrisht shumë projekte të tjera që janë nëpër komuna”, theksoi ministri Zharku.

Ai po ashtu tha se për vitin e ardhshëm me buxhetin e vitit 2017 janë mbi 80 projekte komunale dhe nacionale dhe do të vazhdohet me punë për përfundimin e këtyre projekteve.

Zharku pret që infrastruktura rrugore të përfundon deri në vitin 2020, dhe pas kësaj qeveria të orientohet për mirëmbajtje të rrugëve.

Sipas tij, për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë do të tenderohen edhe 5 kilometra tjera duke vazhduar nga fshati Gllamnik në drejtim të Prishtinës.

Zharku: edhe 5 kilometra shtesë për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë

“Së shpejti do të kemi tenderin për një mbi kalim në hyrje të Podujevës, në mënyrë që të kemi një siguri në komunikacion... Edhe për vitin e ardhshëm do të vazhdohet me projektin aktual.... Dhe presim që ta shpallim edhe një tender për një 5 kilometërsh tjetër”, tha Zharku.

Mirëpo, për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, ai tha se fatkeqësisht kanë pasur vështirësi në implementim të këtij projekt ngase kanë pasur tri marrëveshje me tri institucione financiare ndërkombëtare që janë Banka Islamike për Zhvillim, Fondi i OPEK-ut dhe Fondi Saudit për Zhvillim.

Zharku: Investimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë- Mitrovicë kanë nisur prej Nadakovcit deri në Smrekovnicë

“Sivjet kemi përfunduar procedurat tona të brendshme dhe kemi themeluar Njësinë për implementimin e projektit, por që kontrata aktuale me fondin me Bankën Islamike skadon më 31 dhjetor . Ministri i financave ka bërë kërkesë zyrtare që të vazhdohet afati edhe për dy vjet të tjera, kështu që presim që gjatë vitit të ardhshëm të fillojë edhe puna apo thjesht të shfrytëzohet kredia që  e kemi prej këtyre tri institucioneve financiare ndërkombëtare”, theksoi ministri Zharku.

Ai ka folur edhe për projektin e vazhdimit të autostradës Besi-Merdare, Projekti  24 kilometër sipas tij do të ketë një kosto prej 250 deri 300 milionë euro me shpronësime, ndërsa Komisioni Evropian do ta ndihmojë financiarisht vetëm 20 përqind.

Zharku: Komisioni Evropian do ta financon vetëm 20 përqind autostradën Besi-Merdare

“Ne presim që gjatë vitit 2017 të përfundojmë të gjitha këto procedura dhe ta lidhim marrëveshjen për financimin e kësaj pjese prapë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me Bankën e Investimeve Evropiane. Presim edhe një grant së paku 20 për qind prej Komisionit Evropian, përkundër asaj që kërkesat tona kanë qenë shumë më optimale dhe ambicioze, ku ne kemi kërkuar që gjithë financimi i këtij segmenti të bëhet i tëri nga Komisioni Evropian, por sipas standardeve apo sipas kritereve që i kanë deri tash KE ka dhënë grante për rrugë deri 20 përqind, kurse për hekurudha deri 50 përqind”, tha ai.

Sipas të parit të kësaj ministrie, këto investime për rrugë duhet parë jo vetëm si një aspekt i lidhjes së fshatrave, qyteteve, lehtësimit të komunikacionit por edhe si bazë për zhvillimin ekonomik të mëtutjeshëm.

Ministria e Infrastrukturës për mirëmbajtje dimërore dhe verore të  rrugëve ka bërë 14 kontrata në 7 rajone të Kosovës: Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt dhe Gjakovës. 2 kompani për rajon me kujdestari 24 orësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat