Zbulimi i të vërtetave të SHIK-ut, kush po frikësohet nga themelimi i komisionit hetues!

Aktuale

Zbulimi i të vërtetave të SHIK-ut, kush po frikësohet nga themelimi i komisionit hetues!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 janar 2017 Në ora: 08:20
Pal Lekaj ka thënë se çështja e krijimit të komisionit për të hetuar organizatën SHIK, e cila është udhëhequr nga Kadri Veseli, është kërkuar nga marsi i 2015-ës.

Komisioni hetimor për hetimin e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK, duket se ka mbetur një kërkesë e pa realizueshme e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Kohë më parë, deputetët e AAK-së dhe Vetëvendosjes nuk patën arritur ta krijojnë numrin e mjaftueshëm të votave për formimin e këtij komisioni, për shkak se deputetët e LDK-së e kundërshtuan themelimin e këtij komisioni.

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, deputeti i LDK-së Anton Quni, ka thënë se Parlamenti i Kosovës nuk ka kapacitete dhe ekspertizë që të hetojë natyrën dhe veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës.

Sipas tij, nga përvoja është parë se edhe hetimet e mëhershme nga komisionet parlamentare për çështje shumë më të lehta nuk kanë prodhuar kurrfarë efekti.

“SHIK-u do të duhej të trajtohej nga organet profesionale dhe të pavarura, të cilat i kanë autorizimet, kuadrot, teknikën dhe fondet e nevojshme për ta bërë këtë gjë”, ka thënë deputeti Quni.

Ndërsa deputeti i VV-së Rexhep Selimi thotë se opozita i ka dhënë nënshkrimet për këtë komision, por meqë PDK-së nuk i leverdisë që të hetohet origjina e saj - SHIK-u, atëherë kjo varët drejtpërdrejtë nga LDK-ja e cila është përcaktuese në krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

“Për "befasi" LDK-ja nuk po pranon që të themelohet një Komision që do ta hetonte SHIK-un.  Përndaj mospranimi i LDK-së për ta hetuar SHIK-un nxjerr në shesh lidhjet që ka LDK-ja me SHIK-un, lidhje të cilat janë edhe formalizuar me marrëveshje të veçantë, sidomos që nga 2006-ta e këtej”, ka thënë deputeti Selimi.

Çka ka fituar Kosova nga SHIK-u

Pal Lekaj deputet nga AAK-ja ka thënë se çështja e krijimit të  komisionit për të hetuar disa gjëra thelbësore të organizatës SHIK, e cila është udhëhequr nga Kadri Veseli, është kërkuar nga marsi i 2015-ës, por që për shkak të hezitimit të atyre që dikur ishin më të zëshmit për të ndodhur e ka pamundësuar.

Sipas tij, me një fjalë e pa shumë rrotulla, në mars të 2015 asnjë nga deputetët e LDK-së nuk e kanë mbështetur këtë komision.

“Ne si Grup Parlamentar i kemi pas dhënë nënshkrimet dhe i kemi dhënë mbështetjen tonë. Por nuk e di nëse është frikë apo është një lloji i marrëveshjes së heshtur që të mos trazohen në këtë kuptim PDK dhe LDK, duke e "kursyer" njëra tjetrën. Është mese e nevojshme që të dihet pak a shumë se si ka funksionuar, kujt i ka dhënë përgjegjësi, nga është financuar, si i ka përdorur apo klasifikuar informacionet, çka ka përfituar Kosova nga funksionimi i këtij shërbimi, e disa gjëra të tjera me interes”, ka thënë  deputeti Lekaj.

Formimin e këtij komisioni më shumë e kanë kërkuar njerëzit për konsull politik

Bislim Zogaj, deputet nga PDK, ka thënë se propozimi për këtë komision i cili u bë në mandatin e qeverisjes së kaluar, është më shumë një komision propagandë dhe folklor politikë.

Sipas tij, ata të cilët e kanë propozuar këtë komision, nuk kanë qenë serioz sepse SHIK-u nuk është një organizatë kriminale qysh interpretohet në publik.

“Formimin e këtij komisioni më shumë e kanë kërkuar njerëzit për konsull politik, duke llogaritur se kinse po e luftojnë SHIK-un. Megjithatë jam shumë i bindur se ata që e kanë propozuar këtë komision , e kanë ditur që në një komision hetimor në kuadër  të Kuvendit, nuk mund të luftohet assesi SHIK-u. Kuvendi nuk ka as prokuror, e as gjykatës që mund të mbledh aq shumë argumente aq sa do ti duhej për të vlerësuar veprimtarinë e SHIK-u”, ka thënë Zogaj për gazetën "Bota sot".

Ai ka vlerësuar se ata të cilët e kanë pasur këtë propozim, më mirë kishte qenë të shkojnë në prokurori  dhe një herë e përgjithmonë le të dihet veprimtaria e SHIK-ut.  

“Ky komision në Parlament, nuk është i nevojshëm të formohet meqë nuk mund të ketë kompetenca të dënojë apo të vlerësojë drejt. Por nëse dikush posedon dokumente në këtë drejtim, atëherë pse mos ti bëj padi në Prokurori kur dihet që Prokuroria është më kompetente se të gjithë”, është shprehur  deputeti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat