Kryeministri Mustafa i kërkon VV-së të heqin dorë nga gjuha ofenduese

Aktuale

Kryeministri Mustafa i kërkon VV-së të heqin dorë nga gjuha ofenduese

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 14:44
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë ka folur për gjuhën ofenduese të përdorur nga deputeti i VV-së Sami Kurteshi ndaj ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha.

“Në emër të Qeverisë së Kosovës dënoj ashpër gjuhën e rëndë ofenduese, të përdorur nga zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili pak kohë më parë ishte Avokat i Popullit tani na shfaqet me gjuhë të tmerrshme fyese e ofenduese për një nënë, një zonjë, një ministre të nderuar të kabinetit qeveritar”, ka deklaruar Mustafa.

Ai shtoi se fjalori i përdorur nga Kurteshi ndaj ministres Hoxha është i papranueshëm dhe i pamoralshëm dhe një ofendim për të gjitha gratë e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës kërkon nga zoti Kurteshi dhe Lëvizja Vetëvendosje që të kërkojnë falje dhe të heqin dorë njëherë e përgjithmonë nga gjuha dhe veprimet ekstreme që të shmangen nga diskursi i pa tolerueshëm i dhunës”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri ka shtuar se qeveria shpreh  mbështetjen e plotë për ministren Hoxha dhe angazhimet e saj në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore që i takojnë.Image

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat