Reagon Edita Tahiri: Serbia po i kundërvihet zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit me bomba e mure

Aktuale

Reagon Edita Tahiri: Serbia po i kundërvihet zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit me bomba e mure

Më: 28 dhjetor 2016 Në ora: 22:47
Edita Tahiri

Duke marrë lajmin se ne afërsi te objektit të Qeverisë së Kosovës të inauguruar sot në Mitrovicën veriore është hedhur një granatë dore e cila për fat të mire nuk ka shpërthyer, Ministrja për dialog Edita Tahiri ka thënë se Serbia po i kundërvihet zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit me bomba dhe mure.

Ky zhvillim është shumë shqetësues dhe se Bashkimi Evropian si ndërmjetësuese dhe garantuese e zbatimit të marrëveshjeve duhet të merret seriozisht me obstruksionet e Serbisë të cilat janë përshkallëzuar dhe rrezikojnë destabilizimin e situatës.

Edita Tahiri ka thënë se inaugurimi i objektit të Qeverisë së Kosovës sot në Mitrovicën veriore bazohet në Marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar nga dyja shtetet dhe Bashkimi Evropian në mars të vitit 2015, në të cilin kanë filluar punën mbi njëzetë institucione qendrore të cilët kanë punësuar pjesëtarë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Prandaj, ky tentim sulmi me granatë dore është sulm mbi procesin e dialogut ndërkombëtar në Bruksel dhe përpjekjeve për fqinjësi të mirë dhe normalizim marrëdhëniesh mes dy shteteve. Qëndrimi destruktiv i Serbisë është parë edhe në fillim të këtij muaji kur Serbia iu kundërvu zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për revitalizim dhe lëvizje të lirë me një mur ilegal dhe të cilin do ta heqim sipas ligjeve të Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë destabilzimin e situatës, ndërsa kërkojnë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA që të angazhohen seriozisht për ti bërë trysni Serbisë që ti ndal destruksionet dhe ti përmbush obligimet e dialogut të Brukselit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat