Dy fajtorët, ja se si Hashim Thaçi e Kadri Veseli e ndan Mitrovicën!

Aktuale

Dy fajtorët, ja se si Hashim Thaçi e Kadri Veseli e ndan Mitrovicën!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 dhjetor 2016 Në ora: 12:14
Hashim Thaçi, Kadri Veseli

“Premtimi i tyre që iu dhanë qytetarëve se shumë shpejt do t’i ktheheshin në vendet e tyre dhe në shtëpitë e tyre, është një fakt që flet se ata në një mënyrë janë fajtorë për këtë gjendje, në të cilën është Mitrovica dhe qytetarët e saj”, ka thënë deputetja Besa Baftija.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Besa Baftiu, e ka akuzuar kryetarin e Kuvendit dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin dhe presidentin Hashim Thaçi se ata e ka ndarë Mitrovicën.

Baftiu, në seancën maratonike për Murin në Veri, ia përmendi Veselit një vizitë të tij në Mitrovicë në vitin 1999, bashkë me presidentin aktual, Hashim Thaçin, në të cilën Baftiu ka thënë se shihet që Veseli e Thaçi ndalën punëtorët shqiptarë shëndetësorë të kthehen në punë në spitalin në veri të Mitrovicës.

Thaçi iu kishte premtuar shqiptarëve se ata shumë shpejtë do të lejohen të kalojnë në spitalin në pjesën veriore.

“Keni besim në udhëheqësit tuaj, që do të iu kthejnë në institucionet tuaja, ndërtesat tuaja, shtëpitë tuaja, dhe do t’ua ndërtojnë edhe shtëpitë. Keni besim se duhet të punojmë hap pas hapi në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj keni besim në udhëheqësinë tuaj dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, u kishte thënë në atë kohë Thaçi shqiptarëve në Mitrovicë.

“Të gjitha problemet do t’i zgjidhim brenda një kohe të shkurtër, ju lutem na mirëkuptoni dhe keni besim tek ne. Ne do të punojmë, kështu që ju ftoj të ktheheni në shtëpitë tuaja e pastaj të gjitha problemet do të zgjidhen në mënyrë legale”, u kishte thënë Thaçi atyre.

“Ne duhet të kuptojmë se edhe serbët duhet të jetojnë në Mitrovicë, ata të cilët nuk kanë bërë krime dhe nuk kanë vrarë njerëz. Në Kosovë do të jetojnë të gjithë ata që duan të jetojnë këtu”, kishte thënë ai në Mitrovicë.

 Në një prononcim për gazetën “Bota sot” deputetja Besa Baftija, ka thënë se vet fakti që Thaçi dhe Veseli i ndaluan punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët e Mitrovicës që të kthehen në vendet e tyre të punës dhe në shtëpitë e tyre, është fakt se ata janë fajtorë për ndarjen e Mitrovicës.

“Premtimi i tyre që iu dhanë qytetarëve se shumë shpejt do t’i ktheheshin në vendet e tyre dhe në shtëpitë e tyre, është një fakt që flet se ata në një mënyrë janë fajtorë për këtë gjendje, në të cilën është Mitrovica dhe qytetarët e saj”, ka thënë deputetja Besa Baftija.

Thaçi dhe Veseli heshtin

Gazeta “Bota sot” ka kërkuar përgjigje nga zyra e presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli lidhur me këto akuza, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, edhe analistët politikë, akuzojnë udhëheqësit e Kosovës për gjendjen në Mitrovicë. Ata kanë thënë se një pjesë të fajit, e ka edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila e ka lënë Mitrovicën si “mollë sherri”, mes shqiptarëve dhe serbëve. Ata kanë vlerësuar se lidershipi vendor duhet t'i përmirësojë gabimet e bëra ndër vite me veriun, duke kushtëzuar në bisedime dhe duke e përdorur fuqinë e shtetit tonë përmes mekanizmave ligjor dhe ato të rendit e të sigurisë.

Mehmeti: Kosova po i vuan pasojat e klanit “Pronto”

Sipas analistit Faton Mehmeti, jo vetëm Mitrovica, por e gjithë Kosova po i vuan pasojat e klanit “Pronto”, të kryesuar nga Thaçi dhe Veseli.

Duke komentuar premtimet e tyre në vitin 1999 se do ta bashkonin Mitrovicën, Mehmeti ka thënë, Thaçi dhe Veseli gjithë karrierën e tyre e kanë ndërtuar mbi demagogji dhe populizma, duke mos realizuar atë që e premtuan.

“Ndarja e Mitrovicës është pasojë direkte e njerëzve të lidhur me Hashimin, të cilët në plan të parë kishin uzurpimin e vendit dhe jo çlirimin e tij. Ndalja e protestave në vitin 1999 nga Hashimi tregon më së miri se këtyre u ka mjaftuar Prishtina dhe jo Kosova. Prishtina në sensin e hierarkisë për të pasur pushtet, përmes së cilës janë pasuruar në mënyrë të pandershme. Hashimi dhe Kadriu janë binomi i së keqes në vend që nga paslufta dhe koha do e dëshmojë këtë”, ka thënë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Ai ka theksuar se Mitrovica nuk bashkohet me njerëz pa integritet, por me njerëz të ditur dhe punëtorë.

“Kosova nuk e meritonte Hashimin dhe Kadriun pasi kjo dyshe ka sjellë në dysh ekzistencën e mbarë Kosovës”, ka shtuar Mehmeti.

Kurse sipas analistit Albrim Badallaj, përgjegjës për ndarjen e Mitrovicës është bashkësia ndërkombëtare, për të cilën ai ka thënë se e ka lënë si “mollë sherri” mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Ne e dimë që faktori politik shqiptar asokohe pranoi shumë kërkesa të bashkësisë ndërkombëtare, vetëm e vetëm që të kemi një stabilitet në vend dhe të mos ketë trazira. Për fat të keq, këto tolerime rezultuan të gabuara, meqë u pa se çfarë prodhoi pastaj Marsi i 2004, si pasojë e lënies së këtyre kontesteve të hapura”, ka thënë Badallaj për “Bota sot”, duke theksuar se nuk mund të drejtojmë gishtin vetëm nga dy persona, meqë që 17 vite kanë kaluar disa ekzekutive dhe asnjëri nuk mundi ta zgjidh problemin e Mitrovicës.

“Në fakt edhe pse janë zhvilluar bisedime, të gjitha këto kanë shkuar në dëm të Mitrovicës, duke e legalizuar tani edhe ndarjen e saj në dy komuna dhe së fundmi edhe me një mur ndarës, si të shekullit XX. Besoj që lidershipi vendor duhet t'i përmirësojë gabimet e bëra ndër vite me Veriun, duke kushtëzuar në bisedime dhe duke e përdorur fuqinë e shtetit tonë përmes mekanizmave ligjor dhe ato të rendit e të sigurisë. Koha ka treguar që Serbia nuk është partner i mirë për bisedime, andaj duhen të përdoren forma tjera të cilat janë të legjitimuara me Kushtetutën e vendit”, ka thënë ai.

Sipas tij, fajtorët më të mëdhenj të ndarjes së Mitrovicës, janë bashkësia ndërkombëtare, e sidomos pala franceze, ndërsa gjithashtu "hisedar" dhe përgjegjës janë edhe liderët vendorë.

“Asnjëri nuk mund të distancohet nga përgjegjësia që e kanë për të gjithë territorin e Kosovës, meqë janë të zgjedhurit e popullit, e si të tillë janë të detyruar të prodhojnë zgjidhje. Për më tepër plani për krijimin e Asosiacionit të Komunave me shumicë serbe, veqse do i rris gabimet e liderëve tanë, e poashtu do e përkeqësojë situatën mes shqiptarëve dhe serbëve”, ka theskuar Badallaj.

Zogaj: Ndarja e Mitrovicës, skenar i një grup autorësh

Ndërsa, analisti Skender Zogaj vlerëson se ndarja e Mitrovicës, është skenar i një grup autorësh, që në rrethana të caktuara këtë problem e kanë sajuar për ta pasur si hipotekë kushtetuese ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

“Kjo pjesë e Kosovës ka qenë shumë e favorshme për ta pasur “mi” eksperimental në laboratorin e diplomacisë politike dhe ushtarake ndërkombëtare, ku janë të implikuar edhe laborantët shqiptarë e serbë! Mitrovica sa herë që janë ndryshuar kohët, është mbajtur "molle sherri", herë si Mitrovicë, pastaj Mitrovicë e Kosovës, Mitrovicë e Titos, tash Mitrovica e Veriut dhe e Jugut. e nesër mbetet të shihet se si do të quhet, Pra, ekziston një skenar që vazhdon të jetë në përdorim”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se është vështirë të thuhet saktësisht se cili ka qenë roli i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit, duke qenë se ata më 1998 kanë qenë nën ndikimin e fuqishëm të "kumbarëve të kuq" dhe siç ka shtuar Zogaj, është krejtësisht e logjikshme që udhëzimet e tyre t'i kenë implementuar edhe në Mitrovicë.

Mirëpo, sipas tij, kjo përderisa të mos dokumentohet, është thashetheme e keqe, sepse skenaristët e ndarjes, janë edhe përhapësit e zëshëm të thashethemeve.

“Kjo fushatë propaganduese bëhet shumë qëllimshëm, sepse sa më shumë që flitet aq më tepër komplikohet zgjidhja e problemit. Serbët në këto thashetheme llogarisin prandaj edhe, në çdo 3 muaj shpikin diçka të re, herë kallin, pastaj mbjellin lule, mbyllin ura, ndërtojnë mure ndarëse, e kështu me radhë, ndërsa shqiptarët shajnë, shqirrën, akuzojnë, protestojnë me deklarata nëpër portale, por në prapaskenë po e trashin miqësinë tregtare me qytetarët dhe zyrtarët serbë, asistenca profesionale e të cilëve ka arritur të depërtojë deri në thellësinë e grupeve kriminale shqiptare të Kosovës”, ka thënë Zogaj./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat