PDK-ja kundër Isa Mustafës, nuk i duron sukseset e Qeverisë

Aktuale

PDK-ja kundër Isa Mustafës, nuk i duron sukseset e Qeverisë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 dhjetor 2016 Në ora: 11:23
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se suksesi i Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa nuk gëzon aspak PDK-në, ku sipas tyre PDK-ja nuk do të lë pa përdorur që qeveria Mustafa të mos dalë e suksesshme.

Një numër i madh i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, por që nuk janë zbatuar në praktikë dhe së fundi ndërtimi i murit afër urës së Ibrit, po konsiderohen si barrë mbi supet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, marrëveshje këto të cilat dyshohet që janë nënshkruar nga ish kryeministri, tash president i vendit, Hashim Thaçi, ku LDK-ja dy vite më parë lidhi koalicion me PDK-në dhe tani ka timonin e shtetit.

Sipas analistit Albrim Badallaj, koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së u bë për arsye se nuk kishte mundësi tjetër, dhe jo për arsye ideologjike.

“Ne e dimë që aso kohe Isa Mustafa ishte i "detyruar" të merrte një vendim të atillë, meqë në të kundërtën, poqë se do mbete edhe një mandat në opozitë, atëherë do të duhej të largohej edhe nga  pozita e të parit e LDK-së. Midis këtyre "dy zjarreve", ai zgjodhi rrugën e pushtetit, duke qenë i njoftuar me marrëveshjet paraprake që ka bërë ekzekutivi”, ka deklaruar Badallaj për “Bota sot”.

Sipas tij, Kryeministri pati sfida të mëdha para vetes, mirëpo ai ishte i njoftuar me marrëveshjet e nënshkruara para tij.

“Votimi i Gjykatës Speciale, tendenca për kalim të Demarkacionit dhe disa projekte të tjera morën formë konkrete në mandatin e Mustafës, andaj sado që mund të jenë " përgjegjës" ekzekutivet e kaluara, aq mban përgjegjësi edhe vet Mustafa. Besoj që liderët nuk mund të jetojnë me të kaluarën dhe të ndikohen nga vendimet e së kaluarës, meqë duhet të jenë vizionar dhe të jenë koherent në vendimet që i marrin”, është shprehur Badallaj.

Edhe sipas analistit Hidajet Ahmeti, ky koalicion i zorit e aq më shumë për LDK-në, është lidhur për t’i quar përpara disa procese  vështira për shtetin e Kosovës, siç Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Demarkacioni me Malin e zi.

“Kryeministri Mustafa që në fillim të mandatit ishte  ballafaquar me probleme të jashtëzakonshme të cilat janë akumuluar për vite të tëra, të cilat probleme po e përcjellin këtë qeveri akoma. Vendosja e shtetit në binar ligjor  është paksa utopike, kuptohet në bashkëqeverisje me PDK-në e cila e ka zhvatur shtetin për shumë vite në emër të luftës çlirimtare. LDK-ja si parti ka bërë një gabim historik që është futur në koalicion  me PDK-në, e cila ka futur vendin në një qorrsokak  dhe ka shtrirë rrjetin e krimit në të gjitha institucionet publike dhe një gabim i tillë do t’i kushtoj në të ardhmen”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka theksuar se, çdo ndryshim pozitiv që eventualisht mund të ndodh nga kjo qeveri, e vetmja që nuk i gëzohet është PDK-ja.

“Edhe nëse Kryeministri Mustafa mund të ketë vullnetin të bëj ndryshme, një gjë e tillë nuk mund të ndodh asnjëherë brenda këtij mandatit. Çdo ndryshim pozitiv që eventualisht mund të ndodh nga kjo qeveri, e vetmja që nuk i gëzohet është PDK-ja. Edhe pse PDK-ja është në bashkëqeverisje me LDK-në nuk do të lë mekanizëm pa përdorur që qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Mustafa mos të del e suksesshme, pasi që çdo sukses i tij mund të kalkulohet në votë për partinë e Mustafës”,ka përfunduar Ahmeti.

Kurse, sipas analistit Mentor Tahiri, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet LDK-së dhe PDK-së për formimin e qeverisë, është produkt i matematikave në njërën anë, kurse në anën tjetër edhe presioneve ndërkombëtare për një qeveri sa më stabile në vazhdën e procesit të bisedimeve në Bruksel.

“Insistimi për një qeveri të tillë, politikisht është racional, ngase marrëveshje të lidhura në rang ndërkombëtarë nuk mund të lihen aq lehtë në duar të një shumice tjetër e cila do të ishte e brishtë në vendimmarrje, respektivisht në përgjegjësi karshi dokumenteve të nënshkruara”, ka thënë Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat