Deputetët e shqetësuar për murin në Mitrovicë, kërkojnë sqarime në Kuvend

Aktuale

Deputetët e shqetësuar për murin në Mitrovicë, kërkojnë sqarime në Kuvend

Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 07:28
Komisioni për Punë të Jashtme

(E plotësuar)- Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme sot diskutoi për situatën aktuale në Mitrovicë për ndërtimin e murit në pjesën veriore të qytetit.

Përveç si të gabuar ndërtimin e murit, kërkuan nga Qeveria e Kosovës transparencë dhe llogaridhënie për projektin e revitalizimit të urës së Ibrit në Mitrovicë.

Gjithashtu si të shqetësuar disa anëtarë  u dakodrudan se duhet të thirret një seancë e jashtëzakonshme për murin e ndërtuar në Mitrovicë.

Kryetari i këtij Komisioni, Elmi Reçica nga PDK-ja tha se javën e kaluar ka ndodhur një situatë, e cila e ka çrregulluar bukur shumë situatën politike në Mitrovicë dhe në tërë Kosovën.

Ai ka treguar se si Komisioni më 2 dhjetor kishin mbajtur një takim në Mitrovicë së bashku me KDI-në për të parë se si po ecin punët rreth projektit për hapjen e urës së Ibrit, dhe sipas tij, të gjithë kanë qenë dakord që ura të shërbejë  për të bashkuar njerëzit.

Reçica pati vërejtje se nuk është bërë publik i gjithë projekti për revitalizimin e urës.  Këtë mungesë të projektit, për të cilin tha ai, se e kanë vërejtur më 2 dhjetor,  nuk e kanë diskutuar, duke menduar se kjo çështje është e përfunduar dhe nuk do duhej të kishte ndonjë telashe.

 “Për neve ka qenë pak befasuese që nuk e kemi parë askund maketin(projektin) e urës... Pse ne si deputetë, si komision parlamentar për Punë të Jashtme, si Kuvend i Kosovës, por edhe qytetarët e Kosovës nuk e kanë projektin e plotë dhe të saktë të ndërtimeve që do të bëhen në pjesën veriore dhe jugore të urës. Dhe kjo e para është një çështje që ne do të duhej ta diskutojmë dhe të marrim një vendim dhe të kërkojmë nga të gjitha institucionet edhe ato të cilat janë të përfshira në dialog, por edhe nga institucionet përkatëse... që ne dhe qytetarët e Kosovës ta kenë saktësisht projektin për revitalizimin e urës e urës së Mitrovicës”, theksoi Reçica.

Ai tha se nuk është për atë që të kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve  me Serbinë, por sipas tij, duhet të kërkohet nga kryeministri dhe të gjithë institucionet tjera që Kuvendi të jetë i informuar për të gjitha proceset që po zhvillohen tek ura e Mitrovicës. Dhe kjo sipas Reçicës mund të arrihet dhe këtu duhet të insistohet.

Anëtarja e komisionit Puhie Demaku nga VV tha se kjo temë nuk ishte dashur të sillet në këtë komision, por sipas saj, kjo e ka vendin në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Demaku tha se me ndërtimin e këtij muri është betonuar ndarja dhe është cenuar sovraniteti.

“Me ndërtimin e murit është prek thellësisht dhe konkretisht sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit. Dhe mendojë se ne si deputet në seancë gjithsesi duhet të ftojë në përgjegjësi kryeministrin dhe Qeverinë meqë ata janë të mandatar për administrimin e territorit të vendit dhe zbatimin e ligjeve të cilat ne si kuvend i kalojmë.... Dialogu së pari ka filluar për dy qëllime, e para ka qenë unifikimi i vendit dhe përshpejtimi i procesit integruese në BE. Të dyja këto kanë dështuar”, tha Demaku.

Anëtari i Komisionit, Zafir Berisha nga Nisma, muri është vazhdimësi e projekteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ky projekt për murin sipas tij është rezultat i marrëveshjeve të fshehura në Kosovë- Serbi në Bruksel.

“Muri është vazhdimësi e projekteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe fillimisht në vitin ’99-2000 atje është bërë një pastrim etnik nga forcat kriminale të mbështetura nga Beogradi që kanë pasur pastaj me bllokimin e urës me zhavorr, me parkun e ‘paçes’ e deri te muri. Andaj, kjo është vazhdimësi e këtij projekti, për të cilën unë dyshoj se ky projekt është rezultat i një marrëveshje të fshehtë midis Ahtisarit dhe Milosheviçit dhe  qeveritarëve jo vetëm këta të fundit por që nga pas lufta janë duke realizuar metoda kamufluese këtë projekte të copëtimit të Kosovës”, theksoi Berisha.

Anëtari Pal Lekaj nga AAK fillimisht tha se ky takim është i vonuar dhe se nuk ia vlen të diskutohet. Mirëpo, ai shprehet i habitur përse nuk kanë pasur informacione nga kryetari Agim Bahtiri për ndërtimin e murin  në ditën kur u vizitua nga ky komision ditë më parë.

“Aleanca ka marrë një iniciativë po atë ditë kur është informuar për seancë të jashtëzakonshme, mirëpo fatkeqësisht përpos Nismës nuk ka gjetur mbështetje të asnjë subjekti politik. Dhe nuk e di se si mund deputeti mos të nënshkruaj kur vendi është në rrezik, kur vendi po ndahet në mure dhe fare nuk janë të ndërgjegjshëm që të nënshkruajnë një thirrje për një seancë të jashtëzakonshme ngase është me rëndësi jetike për vendin dhe të dialogohet m’u në kuvend ku jemi edhe të thirrur. Mirëpo, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Sa i përket murit, ne ishim bashkë me juve, më habit fakti që atë ditë nuk kemi marrë as një informacion sa i përket ndërtimit të murit. Po ashtu më habit afkti që edhe nga kryetari i komunës nuk jemi informuar se si do të bëhet rivitalzimi i urës”, tha Lekaj.

Blerta Deliu  nga PDK-ja  tha se ndërtimi i murit është një projekt i rëndë dhe nuk do koment. Ajo tha se duhet të jenë transparente këto vendime dhe kërkoi rrënimin e murit ngase ka shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

‘Unë e mirëpres vendimin e fundit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor që ky muri të rrënohet dhe kërkoj  nga institucionet që ta zbatojnë këtë vendim, të mos mbetet vetëm kërkesë, por të jetë ultimatum që ky muri të rrënohet....ky muri ka ndikuar që preket kushtetuta dhe ligjet e vendit. Andaj, është obligim i yni si deputet që këtë çështja ta dërgojmë në seancë dhe si deputet të kërkojmë transparencë. është për keq ardhje që deputet për një çështje kaq të ndjeshme dhe jetike për të ardhmen e vendit të informohen nga mediat”, tha Deliu Kodra.

Edhe Luljeta Veseli Gutaj nga PDK-ja, mendon se duhet të kërkohet një raportim më i detajuar nga ana e ministres Edita Tahiri, dhe ajo, sipas saj, të dërgoi një raport me shkrim Komisionit për Punë të Jashtme që të ketë mundësi për ta analizuar, dhe pastaj të thirret në raportim në komision për të shqyrtohen në detaje aty ku deputet kanë konfuzion.

Deputetët e pozitës dhe opozitës kundër murit në Mitrovicë

 Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme sot diskutoi për situatën aktuale në Mitrovicë për shkak të ndërtimit të murit në pjesën veriore të qytetit.

Kryetari i këtij Komisioni Elmi Reçica pati vërejtje se nuk është bërë publik i gjithë projekti për rivitalizimin e urës.  Ai tha se deputetët nuk kanë njohuri për gjithë projektin.

Anëtarja e komisionit Puhie Demaku tha se kjo temë e diskutimit për murin  e ka vendin në seancë plenare.  Ajo tha se me ndërtimin e murit është prek thellësisht sovraniteti i Kosovës.

Zafir Berisha nga Nisma tha se muri është vazhdimësi e projekteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ky projekt për murin sipas tij është rezultat i marrëveshjeve të fshehura në Kosovë- Serbi në Bruksel. Ai kërkoi pezullimin e këtij projekti dhe kërkoi tërheqjen e ministres Edita Tahiri.

Pal Lekaj,nga AAK tha se ky debat është i vonuar dhe sipas tij e habit fakti përse nuk kanë pasur informacione nga kryetari Agim Bahtiri për urën në ditën kur u vizitua nga ky komision ditë më parë.

Ai tha se rivitalizimi i urës sipas tij duhet t'i bashkojë jugun dhe veriun e jo ndarjen. Lekaj tha se duhet rishikuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe të ndërpriten bisedimet Kosovë-Serbi.

Blerta Deliu nga PDK tha se ndërtimi i murit është një projekt i rëndë dhe nuk do koment. Ajo tha se duhet të jenë transparente këto vendime dhe kërkoi rrënimin e murit ngase ka shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Deputeti Reçica propozoi që për situatën e krijuar në Mitrovicë të bëhet një takim ndërmjet shefave të grupeve parlamentare në sesionin pranveror. Ai tha se është që të bëhet një debat apo seancë për murin, por sipas tij jo të mohohen të gjitha të arriturat në atë pjesë./

Komisioni për Punë të Jashtme diskuton për Mitrovicën 

Komisioni për Punë të Jashtme do të diskutojë për situatën aktuale në Mitrovicë, pas vendosjes së murit afër urës kryesore mbi lumin Ibër.

Bashkimi Evropian po kërkon zgjidhje me palët për çështjen e murit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Zyrtarë të zyrës së unionit në Prishtinë kanë zhvilluar takime me përfaqësues në të dy anët e qytetit të ndarë. Ndërhyrja e Bashkimit Evropian vjen në kohën kur në pjesën veriore të qytetit nisi ndërtimi i një muri të ri, disa muaj pas heqjes së barrierave mbi lumin Iber dhe kur qeveria po zbaton projektin për parkun e paqes.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit ka deklaruar se veprimet për ngritjen e murit mbi lumin Ibër janë të paligjshme, pasi gjithçka po kryhet pa marrjen e një leje mjedisore. Edhe ministrja për dialog, Edita Tahiri është shprehur se zyrtaret e komunës se Mitrovicës veriore po shkelin ligjin me këtë ndërtim.

Kurse, kryetari i komunës së Mitrovicës në veri Goran Rakiq ka thënë se ky nuk është mur por një rezistencë që do të shërbejë për nivelizimin e zonës për këmbësorë në kuadër të sheshit, ndërsa bëri të ditur se në këtë vend do të ndërtohet një amfiteatër veror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat