Ibrahim Kelmendi: Ja kush është i dyshuari për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Aktuale

Ibrahim Kelmendi: Ja kush është i dyshuari për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Nga: P.R Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 09:17
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka.

Njëri ndër anëtarët e Lëvizjes Popullorë, Ibrahim Kelmendi, përmes një postimi në faqen e tij në facebook, ka pyetur se përse është anashkaluar dhe vazhdon të anashkalohet Riza Salihu, që sipas Kelemndit është i dyshuari për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

“Përse po anashkalohet ai pa u demaskua, diskreditua e kritikua, dhe përse institucionet kompetente në Kosovë nuk ndërmarrin hetime kundër tij, edhe pasi i kam bërë padi konkrete në Prokurori të Përgjithshme dhe në Prokurori Speciale të republikës se Kosovës!?”, ka shkruar Kelmendi.

Kujtojmë se  Salihu gjatë një interviste ka thënë se Ibrahim Kelemdi ka gënjyer dhe shpifur, dhe gjitha ato që i ka thënë sipas tij janë dezinformata.

Ai ka mohuar kategorikisht të jetë i përfshirë në këtë vrasje, megjithëse kishte pranuar se është takuar disa herë me Jusuf Gërvalllan dhe po ashtu se ka kontrolluar postat e tij dhe për këtë shkak ishte arrestuar asokohe nga policia gjermane./BS

Ju sjellim postimin e tij të plotë:

PËRSE ËSHTË ANASHKALUAR DHE ANASHKALOHET RIZA SALIHU – I DYSHUARI PËR VRASJE TË JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËS DHE KADRI ZEKËS !?

Uroj të keni vullnet ta dëgjoni intervistën e Riza Salihut (RS) dhe të (ç)vlerësoni, përse po anashkalohet ai pa u demaskua, diskreditua e kritikua, dhe përse institucionet kompetente në Kosovë nuk ndërmarrin hetime kundër tij, edhe pasi i kam bërë padi konkrete në Prokurori të Përgjithshme dhe në Prokurori Speciale të republikës se Kosovës!?

Konkretizim i intervistës:

Dezinformimi fillestar i RS: 
Bardhosh Gërvalla ka qenë punëtorë social i Jugosllavisë.

E vërteta: 
Bardhosh Gërvalla ka qenë punëtor social i ARBEITERËOHLFAHRT’it të Gjermanisë, një OJQ që financohet kryesisht me ndihma nga mjetet buxhetore të shtetit gjerman, për tu përkujdes për punëtorët imigrantë dhe për çështje të tjera sociale.

RS në minutën 5’48’’: 
Bardhosh Gërvalla i ka telefonuar Amnesty International (AI) dhe e ka njoftuar për arratisje të Jusufit. Edhe RS i paskësh telefonuar ai dhe qenkësh informuar prej tyre për arratisje të JG. (parafarazime të lira).

E vërteta: 
Bardhosh Gërvalla nuk i ka telefonuar fare AI. Kur i kam vizituar Jusufin e Bardhin, me ftesë të Bardhit, është diskutuar edhe mënyra se si ishte informuar RS për arratisjen e JG. Kur kanë thënë se RS qenkësh informuar nga AI, për ta verifikuar, i kam telefonuar AI, konkretisht Zonjës Melani Anderson, kompetente për të burgosurit në Jugosllavi. Me Zonjen Anderson kisha njohje dhe isha mysafir i AI në Londër dy ditë për ti konkretizuar informatat për të burgosurit politikë. Ajo mu përgjigj mua dhe sqaroi edhe Bardhoshin në gjuhë “serbokroate”, se nuk kishte pas telefonatë fare me RS, nuk e njihte dhe se nuk e kishin praktikë të informonin njerëzit e panjohur për arratisje të individëve të përndjekur, deri sa të mos i kishin bërë verifikimet dhe publikimet e rasteve konkrete...

RS në minutën 7’25”:
JG tha, ka dalë një Zëri i Kosovës... jam anëtar i komitetit qëndro të zërit të Kosovës...

Kundërshtim:
JG nuk ishte matrapaz, siç po dezinformon me këtë rast RS, që paskësh thënë qysh në takimin njohës, në fillim të bisedës, se i përkiste komitetit qendror të zërit të Kosovës.

RS në 7’35”:
Unë isha kryetar i zërit të Kosovës, grupit zëri i Kosovës...

Ssqarim:
Në vitin 1979 Riza Salihu duhet të ketë formuar Grupin Komunist “Zëri i Kosovës”. Në grup ka anëtarësuar Hysen Gegën, Maksut Saramatin dhe 5-6 bashkatdhetarë që jetonin në Shtutgart e rrethinë. Por RS duhet të ketë anëtarësuar edhe në Kosovë, ndoshta përmes Ibrahim Shalës, bashkëfshatar i tij nga Mushtishta e Suharekës (?), ish i burgosur i ndërgjegjes.
Tepër interesant, përse të arrestuarit e vitit 1979, vazhdojnë të heshtin, cilit organizim klandestin (“ilegal”) i takonin, çfarë kanë vepruar, kush i ka dekonspiruar, përse dhe sa janë dënuar?!

RS në minutën 8’55”:
... shumë herë kam qenë në Prishtinë, kam pas kontakte të shumta me studentë, iu kam dërguar trakte e materiale të Grupit Komunist “Zëri i Kosovës”, nuk do t’ishte e mundur të mos informohesha për ekzistencë të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare...

Sqarim:
RS po rrëfen për bisedën që ka pas në takimin e parë me JG, në dhjetor 1979. Vërtet, duhet të ketë qenë shumë herë në Kosovë, kur atë grup e pat formuar 3-4 muaj para se ta takonte JG?
Uroj të ketë nga ata student që do të informonin më konkretisht, a ka qenë RS në Kosovë në cilësi të kryetari të Grupit, a ka dërguar trakte e materiale, kujt ia ka dorëzuar, ose në këtë intervistë po rrëfen “crtani filma” (filma të animuar)?

RS në minutën 11’40”:
Postën ua kam kontrolluar Ibrahim Kelmendit, Jusuf Gërvallës për shkak të dyshimeve... Me ka arrestuar policia... Kam dyshuar se ishin agjentë... edhe tani them që ishin agjentë...
[Në vazhdim RS trillon se policia gjermane e ka vra JG, ndërsa Ibrahim Kelmendi ishte agjent i paguar i policisë gjermane...]

Koment:
Broçkulla mjegulluese!

Baton Haxhiu devijon intervistën, duke fol për një armë, sikur Hysen Gega paskësh thënë se Riza Salihu i paskësh dhënë armë për ta vra Jusuf Gërvallën. Janë fragmente krejtësisht të kota në këtë bashkëbisedim.
RS në minutën 24’35:
Në prill 1980 jemi ballafaquar në banesë të Hysen Gegës në Esslingen, Gjermani. Ishin Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Kelmendi, Hysaen Gëga, Maksut Saramati. Ishte edhe njëri i Preshevës, që Hyseni e kishte bashkëbanues në dhomë të konviktit të fabrikës SEL, ku punonin. Ka qenë edhe një shok i Pejës, gjithashtu me mbiemër Kelmendi... Jusufi ma drejtoj pyetjen pse ke dhënë urdhër të na vrasësh... Hysen Gëga belbëzoi: “... qafa e shkurt m’ka qellu, e kam qitë fjalën pa kujtue..., lene ketë muhabet...”

Sqarim:
Atë ballafaqim e kam rrëfyer gjerësisht dhe më detajisht në romanin ATENTATET. Diku në janar 1980 Riza Salihu ia komunikuar vendimin e Grupit Komunist “Zëri i Kosovës”, për ta vra UDBashin Jusuf Gërvalla, dhe për atentator është caktuar Hysen Gega. Meqë Hyseni pati dyshimet e tij, për mënyrë si iu dha urdhri, meqë vet ishte nënkryetar i atij Grupi, si i kooptuar nga Riza Salihu, zuri të bënte hulumtime vetanke. Kështu e ka fituar besimin të më tregonte mua për atë urdhër që i kishte dhënë RS. Mbaj mend se duhet ta kemi marrë edhe Malush Ademajn në Ëuppertal që të vie me mua dhe Hysen Gegën, të shkojmë të Jusufi e Bardhi dhe ta diskutojmë të urdhër që RS ia kishte dhënë Hysen Gegës. Vendosëm që disa muaj të simulojmë, sikur nuk dimë asgjë për atë urdhër dhe Hyseni ti kërkon ndonjë favor financiar për ta bërë vrasjen, që ti kishin gruaja dhe fëmijët, nëse Hyseni do zbulohej e arrestohej. Kjo ishte taktikë për të bërë hetime, kush mund të qëndronte pas RS, që kishte dhënë atë urdhër aq të kobshëm.
Gjatë ballafaqimit RS e pranoi, kërkoj falje duke qa nga frika që e ndiente, ndërsa edhe JG, si poet e këngëtar, zuri të lotonte dhe na kërkoi që ta falnim RS...

RS më minutën 29’50”:
Ibrahim Lelmendi ia ka dhënë një armë Hysen Gegës...

Sqarim:
Truk për tu mbrojtur nga akuza, duke sajuar insinuatë sikur unë i kam dhënë allti për ta vra JG.

RS në minutën 32’43:
Në gusht 1980 më kanë burgos në Gjermani dhe më kanë mbajt deri me 6 shkurt 1981.

Sqarim:
Ky është arrestim për shkak të kontrollimit të postës që ka bërë RS dhe e kanë mbajt në paraburgim hetues. Përse nuk është dënuar, është një mister në vete. Kisha dëgjuar nga një personalitet kompetent gjerman, se agjentët e shteteve aleate, që e kanë bashkëluftuar Gjermaninë hitleriane, e kishin të lejuar angazhimin në Gjermani, sipas vendimit kur është vendos të ndahet Gjermania, për tu mbajt nën kontrolle që të mos rikthehej nazizmi. Në kuadër të atyre vendimeve edhe agjentët e shërbimeve të Jugosllavisë kishin të drejtë të angazhoheshin në Gjermani dhe institucionet gjermane nuk kishin të drejtë ti pengonin e arrestonin...

RS më minutën 34’00”:
Në momentin kur ka ndodhur vrasja unë jam ndodhur në Bremen, të një motër...

Sqarim:
Këtë alibi RS ua ka ofruar hetuesve, kur e arrestuan 5-6 ditë pas vrasjes, meqë e dyshonin për vrasës. Hetuesia gjermane pat afishuar edhe përmes trakteve e televizionit foton e RS, që qytetarët të informonin, nëse do ta shihnin, meqë ai nuk po i përgjigjej urdhrit për arrest. Por, kryehetuesi e dyshonte atë alibi, duke u bazuar në rrëfim të nipit (ose mbesës) se RS, meqë kishte thënë se daja nuk kishte qënë gjatë shumë muajve fare në vizitë. Fatkeqësisht ai fëmijë ishte i mitur dhe ligja ndalon që fëmijët e mitur të përdorën si dëshmitar.

RS në minutën 35’05’’:
Më 12 janar 1990 policia gjermane me ka arrestuar në bazë të një deklarate të rrejshme që e ka dhënë Ibrahim Kelmendi... Kam qenë 15 muaj në burg hetues...
Realisht vrasës është policia gjermane, me ndihmën e policisë gjermane me ndihmë të Ibrahim Kelmendit...

Sqarim:
Në vitin 1991 është mbajt procesi gjyqësor në Shtutgart. Është ndërpre, meqë gjykata nuk ka qenë në gjendje ti sigurojë dëshmitarët nga Jugosllavia, meqë Beogradi i ishte përgjigj negativisht kërkesës gjermane.
Unë isha dëshmitar në atë proces gjyqësor.
Ai arrestim dhe procesi gjyqësor nuk ka ndodh për shkak të ndonjë padije timën konkrete, por për shkak se Jugosllavia filloi të shkërmoqej...

***
Duke marrë për bazë këto shpifje denigruese e akuzuese që RS ka shfaq në këtë bashkëbisedim dhe në media kam bërë padinë, por ndonjë njoftim nuk kam marrë, pos nga Prokuroria Speciale, e cila ka bërë sqarim se vrasja ka ndodhur në Gjermani dhe institucionet në Kosovë nuk janë kompetente ta shqyrtojnë. Në fakt, unë kisha bërë padi për shpifjet, denigrimet dhe akuzat që RS i kishte bërë në Kosovë, prandaj institucionet e Kosovës kanë detyrim ligjor të shqyrtojë padinë time.

PËRSE po e heshtin?

***
Uroj që edhe vet Riza Salihu të angazhohet, duke i ofruar letrat që i patë botuar atëherë në mediaa, dhe duke konkretizuar ndonjë pjesë të bisedës, meqë aty mund që nuk i ka mjaftuar koha ti formulojë rrëfimet, siç i ka mundësitë tani me shkrim.

Mirë do të kishte qenë të angazhoheshin edhe të tjerët, pjesëmarrës aktiv dhe pasiv në ato angazhime dhe njohës të atyre zhvillimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat