Kryeparlamentari Veseli pritet nga kryetari i Senatit të Francës

Aktuale

Kryeparlamentari Veseli pritet nga kryetari i Senatit të Francës

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 20:26
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në Paris nga kryetari i Senatit të Francës, Gerard Larcher

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në Paris nga kryetari i Senatit të Francës, Gerard Larcher, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërparlamentar dhe për mbështetjen e Francës në rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës.

Kryetari i Dhomës së Lartë të Parlamentit të Francës, Larcher ka thënë se Kosova gëzon mbështetje të plotë dhe se Franca është e interesuar ta thellojë bashkëpunimin ekonomik me Kosovën.

Duke biseduar për integrimet evropiane të Kosovës, Larcher dhe Veseli janë pajtuan që një delegacion i kryesuar nga Kryetari i Çështjeve Evropiane të Francës ta vizitojë Kuvendin e Kosovës me disa anëtarë të Senatit, për të ofruar ekspertizë për deputetët kosovarë në përmbushjen e kritereve për integrimet evropiane.

Me këtë rast, Kryeparlamentari Veseli ka thënë se qysh javën e ardhshme, do t'u bëjë ftesë anëtarëve të Senatit francez që ta vizitojnë Kosovën.

Një çështje tjetër e diskutuar në takim ishte edhe dërgimi i disa kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për trajnime dhe specializime në fushën e sigurisë në Francë.

Në takim me kryeparlamentarin Veseli, kryetari i Senatit të Francës ka kujtuar kohën e luftës në Kosovë, gjatë së cilës ai ishte kryebashkiak i Rambouillet, ndërsa ka përgëzuar lidershipin e Kosovës për progresin e arritur nga ajo kohë në ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli ka deklaruar se Kosova është e interesuar të thellojë bashkëpunimin në gjitha fushat me shtetin francez.

"E vlerësojmë shumë rolin që Franca ka luajtur për lirinë e Kosovës, por edhe për konsolidimin e shtetësisë sonë. Tani që vendet tona po thellojnë bashkëpunimin, unë thërras sot investitorët francezë që të investojnë në Kosovë, pasi vendi ynë ofron mundësi të shumta", është shprehur Vesel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat