Leskaj pret delegacionin e Kuvendit të Kosovës: Thellojmë bashkëpunimin

Aktuale

Leskaj pret delegacionin e Kuvendit të Kosovës: Thellojmë bashkëpunimin

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 23:31
Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë priti sot në takim një delegacion të Komisionit për Legjislacionin të Kuvendit të Kosovës

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj priti sot në takim një delegacion të Komisionit Parlamentar për Legjislacionin, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu.

Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj i uroi mirëseardhjen parlamentarëve nga Kuvendi i Kosovës, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në këtë kuadër Leskaj shprehu gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha nivelet përfshirë ato mes komisioneve parlamentare si dhe në plotësimin e aspiratave të përbashkëta për integrimin Euro-Atlantik.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës falënderoi Nënkryetaren e Kuvendit për pritjen shumë miqësore dhe si dhe për mbështetjen që znj. Leskaj i ka dhënë Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjithashtu, delegacioni parlamentar nga Kosova vuri theksin në nevojën e bashkëpunimit parlamentar për reformën në Drejtësi .

Leskaj theksoi se bashkëpunimi në fushën e reformës në drejtësi është i një rëndësie madhore, pasi reforma në drejtësi është jetike për një shtet të së drejtës, demokracisë funksionale dhe luftës ndaj korrupsionit e krimit të çdo lloji.

Sa i takon bashkëpunimit në kuadër të Këshillit të Europës, Nënkryetarja e Kuvendit u shpreh se bashkëpunimi mes dy delegacioneve është i shkëlqyer dhe siguroi se në cilësinë e saj, si kryetare e delegacionit të Shqipërisë në KiE por edhe si Nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të vazhdojë me të njëjtën frymë bashkëpunimi, ashtu si dhe në Organizata të tjera si SEECP.

Në përfundim, Nënkryetarja e Kuvendit Leskaj theksoi se bashkëpunimi mes dy parlamenteve duhet të jetë jo vetëm formal por të ketë një axhendë dhe bashkëpunimi më të strukturuar në të gjitha fushatat, koordinim të diplomacisë parlamentare dhe mbledhje të përbashkëta të komisioneve parlamentare.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat