Janari, muaji i “furtunës” së Gjykatës Speciale!

Aktuale

Janari, muaji i “furtunës” së Gjykatës Speciale!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 dhjetor 2016 Në ora: 17:02
Ilustrim

Holanda zyrtarisht ka njoftuar se ka ratifikuar marrëveshjen për Gjykatën Speciale, e cila do të hyj në fuqi që nga data 1 janar 2017.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës mirëpresin ratifikimin e Marrëveshjes për Shtetin Nikoqir nga Mbretëria e Holandës mes Kosovës dhe Holandës. Kjo marrëveshje siguron bazat ligjore të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të kryer procedurat në Holandë dhe do të hyjë në fuqi më 1 janar 2017. Deri në hyrjen në fuqi, Dhomat e Specializuara do të vazhdojnë funksionimin nën dispozitat e Marrëveshjes së Përkohshme të shtetit nikoqir, e cila lejon zbatimin e mandatit të Regjistrit dhe punës përgatitore në lidhje me procedurat gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Skena politike do të tronditet nga akuzat e Gjykatës Speciale meqë zyrtarisht Holanda ka njoftuar që ka ratifikuar marrëveshjen për specialen e cila do të hyj në fuqi që nga data 1 janar.

Njohësit e çështjeve politike kanë pohuar se fillimi i punës së gjykatës speciale do jetë njëfarë fillimi i Vetingu-t të politikës së Kosovë. 

Sipas tyre, ky është një sukses për një të ardhme të re për shtetasit e Kosovës dhe gjithë shqiptarët dhe veprimtaria e kësaj gjykate do ti bëjë njerëzit dhe më optimistë për një të ardhme të mirë.

Artur Roshi ka thënë se Gjykata Speciale në Kosovë nga janari e mbrapa ka një pritshmëri për të ndikuar pozitivisht në rritjen e besimit të qytetarëve për pastrimin e politikës.

Sipas tij, qëllimi i gjykatës është që qytetari të ndihet i sigurt në mbrojtjen e të drejtave të tij dhe sigurisht kjo rrit garancinë e investimeve të jashtme dhe të brendshme sikundër ushtron trysni mbi mbartësit e korrupsionit dhe ndikon në uljen e tij.

“ Veprimtaria e kësaj gjykate do ti bëjë njerëzit më optimistë për një të ardhme më të mirë. Mendoj se aktiviteti i saj para zgjedhjeve parlamentare do sjellë efekt pozitiv për orientimin e qytetarëve drejt Partive pse jo të reja në skenën politike, por që drejtohen nga njerëz të ndershëm. Fillimi i punës së gjykatës speciale do jetë njëfarë fillimi i Vetingu-t të politikës Kosovare. Ky është një sukses për një të ardhme të re për shtetasit e Kosovës dhe gjithë shqiptarët”, ka thënë Roshi.

Leon Duhanaj, analist politik, ka pohuar se ratifikimi dhe hyrja në fuqi e marrëveshjes për specialen edhe pse është një  moment i ri, por nuk sjell ndonjë risi, pasi që tashmë çdo gjë është e çartë. 

Sipas tij, opinioni është i parapërgatitur për arrestime të mundshme dhe se nuk besoj që do të befasohej, pa marrë parasysh se për kënd bëhet fjalë.

“Natyrisht që mund të ketë turbulenca për shkak se njerëz të caktuar, mund të kenë ndikim dhe ta ushtrojnë atë ne momente të caktuara, për qëllime të caktuara. Mirëpo, nuk mendoj që kjo gjë do t'u bëhet e lehtë. Unë besoj që secili i akuzuar do t'i dorëzohet drejtësisë. Madje kjo duhet të jetë një shans për Kosovën, në mënyrë që njëherë ë mirë t'i heqim dilemat dhe akuzat të cilat po na i mbajnë mbi kokë”, është shprehur Duhanaj.

Rexhep Selimi deputet i VV-së ka thënë se  ashtuquajturi muaji i furtunës së speciales ka ndodhur në Gushtin e vitit 2015, atëherë kur është votuar më Kuvend.

“ Tash e tutje mund të shihen vetëm pasojat. Sidoqoftë unë nuk kam ndonjë njohuri se çka mund të ndodh në janar çka apo në shkurt, por çfarëdo sulmi ndaj luftës së UÇK-së mund të jetë furtunë në vete”, ka thënë Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat