Demolli: Për transformimin e FSK-së në FAK, 811 milionë euro për 10 vjetët e ardhshme

Aktuale

Demolli: Për transformimin e FSK-së në FAK, 811 milionë euro për 10 vjetët e ardhshme

Më: 29 nëntor 2016 Në ora: 17:31
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka prezantuar sot ndarjen e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ai para anëtarëve të Komisionit  për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës tha se  mjetet e ndara për vitin e ardhshëm për Ministrinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës  janë 51 milionë euro , ndërsa kërkesa e tyre ka qenë mbi 54 milionë euro. 

Ai po ashtu ka treguar se për 10 vitet e ardhshme për transformim të FSK në FAK nevojiten 811 milion euro.

 Demolli: Për transformim nga FSK në FAK nevojiten  811 milionë euro për 10 vjet

“Në detaje është paraparë  kostoja buxhetore për krijimin e kapaciteteve të plota të Forcave të Armatosura për periudhën 10 vjeçare . Kjo periudhë 10 vjeçare sipas planifikimeve , përgatitjeve të parapara është ndarë në tre faza . Në fazën e parë e cila do të zgjas 3 vjet, e ku do të fokusohemi në riorganizimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura të Kosovës, pastaj do të fokusohemi në kompletimin e infrastrukturës ligjore si dhe mbështetjen logjistike , rekrutimin e personelit adekuat se dhe pajisje me armatim dhe pajisje të tjera ushtarake. Në dy faza të tjera planifikohet të bëhet  kompletimi i kapaciteteve të plota operacionale ...Buxheti i paraparë në tërësi për transformimin e FSK në FAK është 810 milionë e 982 mijë euro , apo përafërsisht 811 milionë euro”, tha Demolli.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, kërkoi nga ministri të dijë nëse me buxhet u janë plotësuar të gjitha kërkesat buxhetore.

Musliu: A keni ndryshime në projeksionet buxhetore

“Ministër në propozim buxhetin për FSK a ka pësuar propozimi që e keni dërguar ju ndryshimi në Qeveri. Nëse po ku ka pasur ndryshime,  cilat kërkesa të juaja nuk janë përfshi në këtë buxhet . Nëse jo ju përgëzoj që keni mund me arrit me e bindë Qeverinë që ta miratojë ashtu”, tha Musliu.

Ndërsa Anton Quni, anëtar i Komisionit për Siguri , ka dashur të di nëse kanë ndonjë raport krahasues me vendet e rajonit sa i përket buxhetit.

Quni:  A keni raporte sa kanë ushtritë në rajon buxhetin

“A keni ndonjë vlerësim në raport me ushtritë e rajonit. Ku rangohemi ne karshi buxhetit. Tu e marrë parasysh numrin e pjesëtareve buxhetin e Kosovës, standardin dhe gjithë faktorët të tjerë”, tha Quni.

Demolli, është përgjigjur pyetjeve të Musliut dhe Qunit , ku në pyetjen e këtij të fundit ka thënë se Kosova është më mbrapa sa i përket ndarjes së buxhetit e që sipas tij kjo edhe matet me zhvillimin ekonomik të vendit.

Demolli: I kemi kërkuar 54 milionë na kanë ndarë 51 milionë euro

“E vërtetë se kemi analizat dhe në këtë drejtim ne qëndrojmë diçka më dobët në aspektin e buxhetit në tërësi. Sepse të gjitha shtetet në rajon ndajnë më shumë buxhet , por kuptohet që ata kanë një zhvillim ë të madh ekonomik”, tha Demolli.

 Ai po ashtu i ka njoftuar se Projektligji  për transformimin e FSK-në në FAK është proceduar në Qeveri bashkë me amendamentet të tjera me të cilat krijohet baza për krijimin e FAK. Sipas tij tashmë dihet edhe pengesa nga Lista Serbe që ka për këtë projektligj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat