Rreshteri Kameraj: Nuk jam fajtor për vrasjen e Ilmi Lufajt

Aktuale

Rreshteri Kameraj: Nuk jam fajtor për vrasjen e Ilmi Lufajt

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 21:23
Ilmi Lufaj

“Jam i pafajshëm” kështu është deklaruar rreshteri i policisë Shefqet Kamberaj kur është pyetur nëse ndihet fajtor për vrasjen e Ilmi Lufajt.

Rreshteri i Policisë së Kosovës i cili akuzohet se me qëllime të hakmarrjes qëlloi me armë zyrtare veteranin e UÇK-së, nuk ka folur shumë në seancën e parë gjyqësore ndaj tij.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit,Haxhi Çekaj tha se do t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre për kundërshtimin e aktakuzës, kurse gjyqtari i njoftoj së për këtë kanë kohë deri në seancën e dytë.

“ Mbrojtja do t’i shfrytëzojë të drejta e veta për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave në bazë të të cilave thirret aktakuza. Fjala është për pranueshmëri  apo papranueshmërinë,” tha avokati Çekaj.

Seanca e fundit gjyqësore ndaj rreshterit Kamberaj ishte ndërprerë pasi avokatët patën kërkuar që ai të dërgohet në ekzaminim mjekësor.

Në seancën e së premtes mjekët kanë konstatuar se Kameraj është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mund ta përballojë gjykimin.

Ilmi Lufaj u vra në prill të këtij viti afër Stacionit  Policor në Deçan.

Vrasje e rëndë me motive të hakmarrjes, është vlerësuar nga prokuroria  veprimi i rreshterit të policisë Shefqet Kamberaj i cili me armën e tij zyrtare vrau Ilmi  Lufajn

Siç shkruhet në aktakuzën e prokurorisë të cilën e siguroi KALLXO.com, Lufaj në momentet e tij të fundit i ishte lutur Kamerajt të mos e qëllonte, por rreshteri i policisë nuk ishte ndalur.

Në aktakuzë sqarohet në tërësi incidenti i 19 prillit 2016 i cili për një kohë të gjatë u debatua në publik.

Aktakuza e përshkruan se atë natë miku i Ilmi Lufajt, Besfort Elshani, ishte arrestuar nga policia pas disa të shtënave në qendër të Deçanit.

Lufaj kishte shkuar në stacion për të biseduar për shokun e arrestuar, por diskutimi kishte eskaluar në një fjalosje në mes Lufajt e rreshterit Kamberaj.

“Kam me ta q*** nënën, familjen, krejt çka i ke të gjallë e të vdekur dhe nuk ke me qit kon ma jasht veç në hysh ka je dalë”, ishin fjalët e drejtuara nga Lufaj kundër Kamerajt.

Pas ofendimit, i ndjeri Ilmi Lufaj u largua nga oborri i stacionit policor pas ndërhyrjes së tre policëve, duke u dërguar përballë pompës së benzinës “Al- Petrol”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kameraj, pesë minuta pas ofendimeve dhe fyerjeve të Lufajt, shkoi te viktima, nxori pistoletën e tij dhe e goditi Kamerajn me një plumb në veshin e majtë.

Siç përshkruhet në aktakuzë, Lufaj kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes duke e lutur Kamerajn që të mos e godasë përsëri, por Kameraj e kishte goditur viktimën për herë të dytë në kokë duke e lënë të shtrirë dhe pa shenja jete.

Siç përshkruhet në aktakuzën e prokurorit Haxhi Sinanaj, natën kritike të 19 prillit i akuzuari Shefet Kameraj ka qenë kujdestar në thirrje si rreshter në hetimet e stacionit të policisë. Atë natë në qendër të Deçanit në dy lokacione kishte të shtëna armësh nga dy vetura të cilat më pas kishin shkuar në drejtim të Pejës.

Nga kjo ngjarje, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes i ndjeri Ilmi Lufaj ishte afruar pranë rreshterit Kameraj për të pyetur për shokun e tij Besfort Elshani se pse është arrestuar, por nga rreshteri Kameraj ishte urdhëruar më pas që të largohej nga vendi i ngjarjes, për të mos penguar kryerjen e detyrës zyrtare.

Besfort Elshani ishte arrestuar nën dyshimin se kishte shtënë me armë zjarri në lokacionin për të cilin ishte lajmëruar më pas rreshteri Kameraj.

Për ta vërtetuar se a është i përfshirë Besfort Elshani në këtë ngjarje, Kameraj kishte urdhëruar kontrollimin e veturës së të arrestuarit për të kërkuar prova lidhur me ngjarjen. Në atë kohë kur kanë dalë jashtë stacionit në oborr është parë Ilmi Lufaj duke iu drejtuar rreshterit Kameraj: “Pse ishte arrestuar shoku im Besfort Elshani?”.

Më pas Kameraj ka urdhëruar largimin e Lufajt nga stacioni, e tre zyrtarët policor të urdhëruar nga rreshteri Kameraj e kishin dërguar të ndjerin Lufaj përballë pompës së benzinës “ku më pas Lufaj mbetet duke biseduar me njërin nga zyrtarët policorë”.

“Rreshteri Kameraj në shenjë mllefi për sharjet dhe kanosjet që i janë bërë nga ana e të ndjerit disa minuta më pas doli nga stacioni në drejtim të Lufajt pa pasur asnjë ofendim apo kërcënim në ato momente shtiu në drejtim të viktimës për dy herë dhe duke e lënë të shtrirë në tokë pa shenja jete”, thuhet në aktakuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat