‘Deklaratat kontradiktore për ‘vetëvrasjen’ e Astritit’

Aktuale

‘Deklaratat kontradiktore për ‘vetëvrasjen’ e Astritit’

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 nëntor 2016 Në ora: 08:31
Astrit Dehari

“Shumë irrituese është deklarata e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë se bëhet fjalë për niglizhenca procedural, ndërsa ne kemi një rast vdekje në institucionet e thirrura për të krijuar siguri. Kjo deklaratë është një argument më shumë se gjithçka rreth vdekjes së Astrit Deharit është politike”, ka theksuar Topalli.

Iu deshën plotë 17 ditë Ministrisë së Drejtësisë për të ndërmarr veprimet e para lidhur me rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.

Ministria e Drejtësisë ka suspenduar katër zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren për rastin e Astrit Deharit.

Sipas një komunikate të lëshuar gjatë ditës së djeshme nga Ministria e Drejtësisë, Inspektorati gjatë inspektimit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, nuk ka gjetur asnjë veprim të institucionit, i cili në çfarëdo mënyre do të ishte nxitës apo shkaktar i vdekjes së Astrit Deharit  edhe pse janë identifikuar disa neglizhenca procedurale.

“Si pasojë e këtyre neglizhencave janë iniciuar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari korrektues, dy mbikëqyrësve si dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit, të cilit po ashtu i është shqiptuar edhe masa e suspendimit si masë paraprake”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me këtë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila Komunikatën e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë, e ka cilësuar si një përpjekje për të shfajësuar përgjegjësitë kryesor për vdekjen e Astrit Deharit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se burgosja e Astritit ishte politike dhe përgjegjësit për arrestimin e tij, nuk janë „një zyrtar korrektues, dy mbikëqyrës dhe një ushtrues i detyrës së drejtorit“, por persona politikë në strukturat të larta të shtetit.

Sipas tij, përgjegjësia fillon prej Ministres së Drejtësisë e deri tek Kryeministri.

“Shumë irrituese është deklarata e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë se bëhet fjalë për niglizhenca procedural, ndërsa ne kemi një rast vdekje në institucionet e thirrura për të krijuar siguri. Kjo deklaratë është një argument më shumë se gjithçka rreth vdekjes së Astrit Deharit është politike”, ka theksuar Topalli.

Analisti politik dhe publicist Faik Krasniqi, ka thënë se drejtësia në këtë rast duhet të kërkohet për të gjithë ne, të cilët, siç ka thënë ai, mund të jemi viktimat e radhës.

“Astrit Dehari tashmë ka vdekur dhe nuk kthehet më, por për asnjë moment s'duhet ndaluar duke kërkuar drejtësi për të. Drejtësia në këtë rast duhet të kërkohet për të gjithë ne të cilët mund të jemi viktimat e radhës. Astriti është projeksioni i secilit prej nesh ditëve të ardhshme, prandaj duhet ndërgjegjësuar dhe lëvizur nga gjumi letargjik, dhe të kërkojmë drejtësi për ne që mos të jemi Astriti i radhës”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Prandaj, sipas tij, nuk mjafton suspendimi i katër zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit në Prizren për rastin e Astrit Deharit, por duhet të shkarkohen njerëz të profilit të lartë, duke filluar nga Ministrja e Drejtësisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Kryeprokurori i Prizrenit, Drejtori i Policisë së Prizrenit, Drejtori i burgut të Prizrenit e deri tek mjeko-ligjorët, të cilët në një mënyrë apo tjetrën, janë fajtorë për vdekjen e tij.

“Me deklaratat e tyre kontradiktore, çështjen e ''vetëvrasjes'' së Astritit, e kanë bërë akoma më dyshuese se vdekja e tij ka qenë vrasje e jo ''vetëvrasje'' siç po tentojnë ta shesin në opinion”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa, Arber Gashi, analist politik, e ka konsideruar si të vonuar suspendimin e zyrtarëve të burgut.

Ai ka thënë Astrit Dehari nuk ngjallet më, por Drejtësia jonë duhet të vijë në vendin e vet.

“Nuk mund ta kuptoj se si është e mundur që, ende nuk e dimë saktësisht se cila ka qenë gjendja e tij shpirtërore?! Çfarë thonë ata që e kanë ndarë dhomën me te? Pa dashur të paragjykoj mbi të vërtetën që nuk e di, si qytetar dhe bashkatdhetar, ndajë dhembjen me familjen dhe brengën me qytetarët. Drejtësia ka vend në Kosovë!”, ka thënë Gashi.

Në vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, bëhet e ditur se përveç tre gardianëve, është suspenduar edhe Destan Zogaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Sipas vendimit, suspendimi i Zogajt ka filluar nga dje, datë 22.11.2016.

Tre të suspenduarit tjerë janë: Gazmend Fanaj, mbikëqyrës i lartë, Ilaz Hamza mbikëqyrës dhe oficeri Daut Kastrati.

Ndryshe, aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari ndërroi jetë më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Rezultatet e raportit të autopsisë të prezantuara ditë më parë nga Prokuroria e Shtetit, kanë bërë të ditur se Dehari ka vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë solide, të fortë.

“Nuk kemi asnjë person të dyshuar që mund të ketë shkaktuar vdekjen e tij”, ka thënë kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha në një konferencë për media, duke theksuar se ky rast ishte vetëvrasje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat