Berisha: Kosova është realizimi i ëndrrës time më të madhe

Aktuale

Berisha: Kosova është realizimi i ëndrrës time më të madhe

Më: 21 nëntor 2016 Në ora: 22:40
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

(E plotësuar) - Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe tani deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se brenga më e madhe në e tij ka qenë Kosova e pushtuar dhe çlirimi i saj është ëndërr e realizuar.

“Asnjë brengë më të madhe se Kosovën s’kam pasur. Jam i lumtur dhe me fat që dhashë aq sa munda të jap”, tha Berisha.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me liderët politikë në Kosovë. Ka thënë se më të gjithë është njëjtë, e më të veçanta lidhjet i kishte me Ibrahim Rugoven.

“Kam marrëdhënie normale më të gjithë, por trashëgimia ime ishte marrëdhëniet më LDK-në dhe me presidentin Rugova, në atë kohë kishte vetëm disa partitë tjera, dhe me ta kisha marrëdhënie shumë të mira”.

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kryeministri Edi Rama është duke vepruar gabim në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë për sa i përket Kosovës. Në një intervistë dhënë për “DukagjiniTV” Berisha thotë se Beogradi ka pasur prej kohësh si qëllim që të anashkalojë Prishtinën duke folur me Tiranën.

“Jo tani, por që në 2005-2006-2007 Serbia direkt, haptaz dhe me kanale të tjera ka bërë përpjekje të mëdha që dialogun ta vendosë me Tiranën dhe jo e Prishtinën. Ofertat që ne të ulemi qoftë dhe me një retreat 48 orësh dhe të zgjidhim çdo gjë, ishin të përsëritura. Direkt nga udhëheqja e Beogradit… Kjo ka qenë një tezë e tyre; që ne mund ta zgjidhim shumë mirë bashkë çështjen e Kosovës. Natyrisht refuzimi ishte kategorik”, – tha Berisha.

“Sigurisht, çfaktorizimi i Kosovës i jep asaj një peshë shumë të madhe edhe ndërkombëtare sepse të çfaktorizosh Kosovën do të thotë që edhe bota, edhe ato vende që e kanë njohur do të ridimensionojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës”, – tha ai.

“Edi Rama nuk ka interes kombëtar. Edi Rama është i zhveshur ndaj çdo interesi kombëtar. Edi Rama ka qenë kryetar bashkie kur ka dekoruar Bregoviçin dhe i ka dhënë, i ka vendosur në gjoks çelësin e artë të Tiranës. Mendoi kush se e ka bërë pa qëllim? Absolutisht.

Rama nuk është budalla. Ai ka probleme psikike të sigurta por budalla nuk është. Mendon kush se e zgjodhi rastësisht Ivo Andriçin për ta cituar, i cili është një nobelist kriminel” – tha Berisha.

“Edi Rama di shumë mirë por e bën me qëllim për t’u paraqitur si patroni i shqiptarëve dhe në këtë rast si interlokutor i vetëm i Beogradit. Ai ishte një akt shumë i rëndë.

Marrëveshje janë firmosur shumë, dhe do firmosen marrëveshje, kryesore është implementimi, zbatimi tyre. Atëherë kjo është çështja më delikate, ky është momenti më delikat. Këtu Shqipëria nuk mund të bëj as dhe një çerek hapi pa kërkesë të autoriteteve të Kosovës. Këto janë hapa që trashëgimia e PPSH dhe e kësaj partie është problematike.

Fatos Nano takonte Millosheviçin. Mund ta takonte në vlerësimin tim vetëm në një rrethanë; kur këtë t’a kërkonin autoritetet e Kosovës përndryshe asgjë nuk shërben. Ndonëse ç’është e vërteta nuk firmosi gjë. Kthyen një shishe uiski të dy në 90 min takim…”,– tha Berisha.

Sali Berisha thotë se ata që duan komb kosovar "janë gjak i vijës jugosllave"

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka quajtur "titistë" dhe "të marrë" ata që e duan kombin kosovar.

Berisha, ish-shef i Partisë Demokratike në Shqipëri, ka thënë se kombin kosovar kishte dashur ta krijonte edhe Titoja në kohën e Federatës Jugosllave, por nuk ia kishte arritur.

Sipas tij, asnjëherë nuk do të mund të krijohet kombi kosovar.

Berisha ka thënë në një intervistë në RTV Dukagjini se ata që duan komb kosovar janë gjak i vijës jugosllave.

“Kudo që janë, ata janë gjak i vijës jugosllave. Këtë e bëjnë për qëllime anti-kombëtare”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, kjo është përpjekje don kishote që nuk do të realizohet kurrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat