Tahiri: Veç tri marrëveshje me Serbinë nuk po zbatohen

Aktuale

Tahiri: Veç tri marrëveshje me Serbinë nuk po zbatohen

Më: 20 nëntor 2016 Në ora: 10:20
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë se nuk do të ketë Asociacion të Komunave Serbe, derisa Serbia nuk i shpërbën të gjitha strukturat paralele dhe nuk e zbaton Marrëveshjen për Telekomin dhe Energjinë.

Ajo po ashtu thotë se nga 33 marrëveshjet sa janë arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, vetëm tri nuk janë zbatuar në praktikë.

Ndërsa marrëveshja e fundit për targa, sipas saj, është shtyrë, pasi autoritetet kosovare nuk e kanë përmbyllur tenderin për letërngjitës.

Tahiri në intervistën për Zërin thotë se procesi i bisedimeve me Serbinë nuk do të zgjasë aq sa ka zgjatur dhe në fazën e tretë, siç thotë ajo, do të trajtohet edhe çështja e të pagjeturve.

Ministrja për Dialog është e bindur se epilogu i bisedimeve do të jetë njohja reciproke e dy shteteve.

Lidhur me Marrëveshja për Targat, minsitrja Tahiri tha se marrëveshja është në proces të përgatitjes për zbatim.

“Më rëndësi është që kemi arritur marrëveshje për reciprocitetin e targave të automjeteve mes dy shteteve. Në kohën kur e kemi arritur marrëveshjen në shtator të këtij viti, unë kisha paralajmërime nga përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme të Kosovës se është kohë e shkurtër për procesin e tenderimit për prodhimin e këtyre letërngjitësve. Por, vlerësova që më rëndësi është një herë të arrihet marrëveshja. E kështu sa më shpejt zgjidhim problemin e letërngjitësve, menjëherë fillon zbatimi. Pra, për mua më mirë ka qenë të arrihet marrëveshja, sepse ju e dini që pala serbe e ka shtyrë këtë punë për pesë vjet dhe tash varet nga ne, sa më shpejt që i kryejmë punët aq më shpejt nis puna”, tha Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat