Mitrovica kërkon drejtësi për Astritin

Aktuale

Mitrovica kërkon drejtësi për Astritin

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 13:55
Astrit Dehari

Qindra qytetarë kanë marrë pjesë sot në marrshin protestues të organizuar nga shoqëria civile në Mitrovicë, të mbështetur nga shumë studentë e qytetarë tjerë, për të kërkuar drejtësi për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Ata mbanin në duar pankarta me portretin e Astrit Deharit dhe me mbishkrimet “Drejtësi për Astritin”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Lironi aktivistët” dhe të ngjashme.

Valton Peci, në emër të studentëve të Universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, tha se janë bërë 14 ditë që kur në rrethana të pasqaruara ka ndërruar jetë kolegu, studenti i shkëlqyeshëm dhe aktivisti i pashoq, Astrit Dehari.

Sipas tij, edhe pas 14 ditësh ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për vdekjen e tij në burgun e Prizrenit, dhe siç tha ai, në konak të shtetit.

Peci: Ka njerëz që do të luftojnë për drejtësi në emër të Astritit

“Nuk ka prokurori, nuk ka polici, nuk ka gjyqësi, nuk ka ministri e as shtet, që edhe pas 14 ditëve për vdekjen e Astritit të marr përgjegjësi. Por, ka studentë, ka qytetarë të cilët do të luftojnë deri në marrjen e drejtësisë për Astrit Deharin”, ka thënë mes tjerash Peci.

Ndërkaq, Fahri Berisha , përfaqësues i Shoqatës së të burgosurve politikë, theksoi se rasti i Astrit Deharit, si duket nuk i ka brengosur fare institucionet e shtetit, e sidomos Ministrinë e Drejtësisë, sepse në vend se të reagohet, drejtësia vetëm hesht.

Berisha: Pa hetim të pavarur nuk do të ketë drejtësi

“Askush më mirë dhe më qartë sesa i burgosuri nuk e ndjen mungesën e lirisë e demokracisë në një shtet demokratik apo diktatorial. Këtë njohuri ai e paguan me lëkurën e vet, por shpesh me gjak edhe me vdekje. Ne kërkojmë nga këtu një hetim të pavarur e kredibil që do i paraprijë drejtësisë për Astritin. Pa hetim të pavarur nuk do të ketë drejtësi, e pa drejtësi nuk do të ketë as qetësi”, tha Berisha.

Gjatë këtij marrshi u tha se do të protestohet edhe ditët në vijim nëpër qytete të ndryshme të vendit, deri në vendosjen e plotë të drejtësisë për Astritin.

Marshi  me moton  “Mitrovica kërkon drejtësi për Astritin” që ka zgjatur  rreth 40 minuta, filloi  në ora 12:00 para sheshit të xhamisë ‘Isa Beg’ në qendër të qytetit dhe përfundoi  tek sheshi ‘Mehë Uka’, ndërsa nuk u shënua ndonjë incident.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat