Mustafa: Demarkacioni të mos shfrytëzohet si shkas për zgjedhje, koalicioni po shkon mirë

Aktuale

Mustafa: Demarkacioni të mos shfrytëzohet si shkas për zgjedhje, koalicioni po shkon mirë

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 09:40
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa gjatë mbledhjes së qeverisë

(E plotësuar) - Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, ndërsa ka mbetur vetëm dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi.

Këto deklarata i bëri kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë, në të cilën ka folur edhe për Raportin e  Progresit për Kosovën, për të cilin tha se ka evidentuar fusha të rëndësishme në të cilat është arritur progres.

Mustafa tha se është dhënë një vlerësim i mirë sa i përket  forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.  

Ndërsa  i ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, që nëse kanë nevojë sërish  të kenë qasje në dokumentacionin e Komisionit Shtetëror, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ku vërtetohet saktësia e vijës kufitare.

Mustafa: Për liberalizim ka mbetur vetëm demarkacioni

“Ne bisedë me komisionerin Han kemi shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës, në fushën euro-integruese. Po ashtu kemi konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar për liberalizim të vizave. Ka mbetur vetëm Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Ndërkaq çështja e luftës kundër korrupsionit, është një çështje e cila në vijueshmëri vazhdon të përmbushet edhe pas liberalizimit të vizave. Kemi konstatuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj sa i përket kësaj çështje, sepse është bërë nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi dhe se komisioni shtetëror qëndron qartë në mënyrë ligjore pranë vijës, e cila është shënuar por mbetet në vullnetin e kuvendit të republikës së Kosovës që këtë ta bëjë”, tha Mustafa.

Megjithëse së fundi janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme nga partneri i tij i koalicionit, Mustafa tha se nuk duhet që Demarkacioni të shfrytëzohet si shkas për zgjedhje dhe se koalicioni po bën punë të shkëlqyer.

Mustafa: Demarkacioni të mos shfrytëzohet si shkas për zgjedhje

“ Mirëpo nuk kemi nevojë që kjo çështje të prolongohet dhe këtë çështje ta shfrytëzojmë si shkas të kërkimit të zgjedhjeve. Sepse  nëse dikush kërkon zgjedhje dhe pas zgjedhjeve ta ratifikojë të njëjtën vijë kufitare, atëherë atë duhet ta bëjë sot. Sepse në asnjë rast zgjedhjet nuk mund të lidhen me Demarkacionin e kufirit me Malin e  Zi. Qeveria po bën një punë shumë të mirë. Ne i  kemi propozuar Kuvendit buxhetin, i cili është buxheti më i madh që ka pasur Kosova deri më tani dhe i cili ofron mundësi zhvillimore shumë më të mëdha. Po ashtu kemi një agjendë shumë të rëndësishme evropiane përpara, të cilën ne duhet ta kryejmë. Sepse përqendrimi jonë duhet të jetë që ne të përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve dhe ky do të jetë fokusimi jonë, deri në fund të mandatit ligjor që ka kjo Qeveri dhe ky koalicion qeveritar, i cili unë mendoj që po bënë punë të shkëlqyeshme”, tha kryeministri i Kosovës.

Qeveria po ashtu miratoi koncept- dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve të veteranëve dhe kategorive tjera të luftës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se duke marrë parasysh konsultimet e shumta me shoqatat e veteranëve dhe invalidëve, mangësinë dhe zbrazëtirat në ligjin aktual, konsiderojnë se është i nevojshëm ndryshimi i politikës ekzistuese, përkatësisht ndryshimi  dhe plotësimi i Ligjit për veteranët e luftës të UÇK-së.

Abrashi: Është i nevojshëm ndryshimi i politikave në legjislacionin aktual

“ Akterët e ndryshëm relevantë, vendorë dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta, gjithashtu janë të mendimit dhe kanë sugjeruar se janë të nevojshme ndryshimet në politikat dhe legjislacionin aktual edhe duke propozuar politika konkrete lidhur me të drejtat dhe përfitimet  dhe benificione tjera për veteranët luftëtar. Me këtë propozim MPMS përmes miratimit të këtij koncept dokumenti, synon të iniciojë  ndryshimet dhe plotësimet e ligjit  për veteranët e luftës së UÇK-së, duke krijuar mundësi që pagesat e pensioneve dhe përfitime tjera,  të mbulohet nga buxheti i Kosovës dhe janë në përputhje me aktet ligjore në funksion të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Abrashi.

Ministri i Financave Avdullah Hoti informoi kabinetin qeveritar për raportin mbi performansën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore. 

Ai tha se krahasuar me vitin paraprak janar- tetor, të hyrat në kufi janë rritur 12.2 përqind. Ndërkaq të hyrat vendore  janë rritur në 16.5 përqind.  Sipas tij të hyrat vetanake në nivelin qendror po performojnë shumë mirë.

Ndërsa në nivelin lokal duke përjashtuar tatimin në pronë,  janë shumë ulet nga 60 milionë sa janë planifikuar janë inkasuar  vetëm 58 për qind. Ndërsa kërkoi nga Qeveria të ndërmarrë masa, pasi që të hyrat nga dividenta e PTK-së, janë zero.

Hoti:  Të hyrat nga dividenta e PTK-së janë zero, qeveria të ndërmarrë masa

“ Të hyrat nga dividenta e PTK-së kanë qenë zero në këtë periudhë. Për shkak se bordi i PTK-së nuk ka marrë vendim deri më tani që të bëjë pagesën e dividentës siç është planifikuar dhe unë kërkoj nga Qeveria të ndërmarrë masa në këtë drejtim. Sepse mosrealizimi i këtyre të hyrave, nënkupton she shkurtim të shpenzimeve në muajin dhjetor”, tha Hoti.

E ministri i punëve të brendshme Skënder Hyseni foli dhe për raportin e  Transparency Internacional, i cili sipas tij ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, si një institucion i pavarur dhe profesional.

Hyseni: Policia e Kosovës e pavarur dhe e besueshme

“Raporti i TI, thotë tekstualisht se policia e Kosovës, është policia më e pavarur dhe më e  besueshmja në Ballkanin perëndimor dhe më profesionalja. Duke shkuar dhe më tutje dhe duke theksuar se këtë vlerësim TI, e mbështet në kriteret e përzgjedhjes së pjesëtareve të policisë, personelit udhëheqës me kriteret  shumë transparente të vendosjes së komandantëve të policisë dhe natyrisht mbi të gjitha e mbështet në punën që bënë inspektorati policor i Kosovës në mbikëqyrje të punës së policisë. Zoti kryeministër shfrytëzoj nga rasti që ta uroj PK  për këtë vlerësim që ka marrë kaq të mirë nga Transparency internacional”, tha Hyseni.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur ka ndarë mjete në vlerë prej 20 mijë euro, për përkrahje të projektit të Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të  të zhdukurve të Kosovës, për rehabilitim të familjarëve të personave te zhdukur.

Qeveria po ashtu ka ndarë 30 mijë euro për rregullimin  e objektit, përkatësisht kulmin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me seli në Prishtinë, për shkak se nga të reshurat e fundit dhe vjetërsisë së objektit, uji  ka depërtuar  në brendi të objektit.

Mustafa: I kemi plotësuar kushtet për vizat, ka mbetur vetëm Demarkacioni

Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 mijë euro për rregullimin e kulmit për selinë e Shoqatës së Veteranëve.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi gjatë mbledhjes së qeverisë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, arsyetoi ndarjen e kësaj shume, duke thënë se për shkak të gjendjes urgjente, do t’i mundësohet kësaj organizate që ta rregullojë kulmin.

“Meqë është gjendje urgjente duhet të kujdesemi që ti mbrojmë nga të reshurat dhe të rinovohet kulmi”, tha Mustafa.

Qeveria ndan 20 mijë euro për familjarët e të zhdukurve

Qeveria e Kosovës miratoi propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 20 mijë euro për përkrahje të projektit të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, për rehabilitim të familjarëve të personave te zhdukur.

Zëvendëskryemistri Hajredin Kuçi tha se shuma prej 20 mijë eurosh, është parparë për realizimin e aktiviteteve te familjarëve për persona të zhdukur dhe dërgimin në banja.

“T’i japim mundësi që këta 100 anëtarë të rehabilitohen”, tha Kuçi.

Mustafa: I kemi plotësuar kushtet për vizat, ka mbetur vetëm Demarkacioni

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizmin e vizave, përveç ratifikimit të projektligjit të Demarkacionit me Malin e Zi.

“Kemi konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim t2 vizave ka mbet vetëm demarkacioni. Kemi konstatuar që qeveria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj sa i përket kësaj çështje”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri tha se së bashku me komisarin e Bashkimit Evropian Johannes Hahn, kanë lansuar agjendën evropiane.

Ai tha se raporti i Progresit për Kosovën ishte pozitiv në disa fusha me rëndësi, si lufta kundër krimit e korrupsionit.

“Na gëzon fakti që është dhënë një vlerësim i mire sa i përket shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Mustafa.

Mustafa tha se zgjedhjet nuk mund të lidhen asnjëherë me demarkacionin, duke shtuar se koalicioni qeverisës po bënë punë të shkëlqyer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat