Dida për kodin telefonik: Kosova po bëhet aktor ndërkombëtar

Aktuale

Dida për kodin telefonik: Kosova po bëhet aktor ndërkombëtar

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 16:12
Agron Dida

Marrëveshja për kodin telefonik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, vlerësohet lartë nga eksperti i Telekomunikacionit, Agron Dida.

Ish-drejtori i PTK-së tha se ka shumë arsye pse duhet të quhet marrëveshje e suksesshme.

“Së pari me rëndësi është që Kosova me këtë po bëhet aktor ndërkombëtar tash do të bëhet edhe anëtare e ITU, Rregullatorit Botëror të Telekomunikimeve, e ka kodin e vet e ka identitetin e vet. Tash edhe nuk do të ketë asnjë pengesë që këto sisteme të mëdha, Google, Facebook e tjerë ta njohin më Kosovën, sepse është hequr pengesa e fundit e që kjo është tepër me rëndësi për Kosovën”, theksoi ai.

Dida pranon se kjo marrëveshje ka kosto, por përfitimet janë më të mëdha se humbjet. “Do të formohet operatori i GSM në Kosovë por po them përfitimet do të jenë dukshme më të mëdha, pos asaj operatori këtu do të veprojë në pajtim me rregullat e shtetit të Kosovës, e do ti përgjigjet ATK-së”, tha ai

Kurse ish-ministri i Telekomunikacionit, Zef Morina, marrëveshjen e vlerëson si të dëmshme për Kosovën.

“Përveç asaj që ne iu kemi nënshtrua Serbisë e vullnetit të saj që të pajisemi me kod, ne kemi mundësua Serbisë të futet me operatorin serb në Kosovë gjë që faktikisht kjo do të jetë e dëmshme sepse ajo do të vë monopol dhe faktikisht operatorët kosovarë do të jenë në humbje dhe vet buxheti i vendit do të jetë në humbje”, theksoi Morina.

E mira e vetme e marrëveshjes sipas Morinës është se do të kemi një kod e jo tri kode siç kemi aktualisht. Edhe pse Morina vlerëson se nuk është dashur të hyhet fare në bisedime me Serbinë për kodin telefonik, por ishte dashur të tentohet anëtarësia në ITU përmes votave të shteteve anëtare, pas së cilës Kosova do të mund të pajisej me kod telefonik.

Sipas marrëveshjes, Kosova do të ketë kodin telefonik ndërkombëtar +383.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat