SBASHK pret për ligjin e mësimdhënësve të viteve ’90 deri javën e ardhshme

Aktuale

SBASHK pret për ligjin e mësimdhënësve të viteve ’90 deri javën e ardhshme

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 15:25
Pamje nga konferenca

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka marrë premtime nga kryeministri Isa Mustafa se ligji për mësimdhënësit e viteve ’90 do të kalojë në qeveri, e pastaj edhe në Kuvendin e Kosovës duke filluar nga java e ardhshme.

Andaj, pas këtij premtimi SBASHK i ka anuluar grevat dhe masat tjera sindikale edhe pse të njëjtat i kishte paralajmëruar nëse asnjë hap nuk merret nga institucionet përgjegjëse deri më datën 9 nëntor.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë pas takimit me Këshillin e SBASHK-ut se në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Mustafa dhe ministrin, Arsim Bajrami, janë pajtuar se duke filluar nga java e ardhshme ministrat përgjegjës do të mblidhen dhe t’i kryejnë punët rreth kërkesave të SBASHK-ut, të cilat dalin edhe nga Kontrata Kolektive e Arsimit. 

Jasharaj: Presim javën e ardhshme për ta proceduar ligin për mësimdhënës

“Kemi biseduar se çfarë po bëhet me fatin e Ligjit mbi Statutin e mësimdhënësve të viteve ’89-’99. Kryeministri është shprehur se i kuptojnë këto brenga deh menjëherë e ka autorizuar ministrin Bajrami që me ministrin Hoti dhe ministrin Abrashi që në javën e ardhshme të len bashkë me një komision tonin dhe të shohim nga afër ligjin edhe një herë dhe eventualisht t përpiqet qeveria mbase të arrij ndonjë kompromis kur është fjala tek implikimet buxhetore. Unë besoj se javën e ardhshme do të ketë takime të frytshme dhe unë besoj se të gjitha gjërat do të kryhen gjatë javës së ardhshme në mënyrë që ashtu siç tha kryeministri do ta merr projektligjin dhe do t’i drejtohet qeverisë duke kërkuar dritën e gjelbër për ta dërguar në Parlament e pastaj fillojnë procedurat e votimit dhe fillojnë edhe angazhimet për t’i mbledhur shënimet në mënyrë që të dihet saktësisht kush do ti gëzoj këto benefite që janë në ligj”, ka deklaruar Jasharaj.

Kryetari Jasharaj ka deklaruar se greva është pezulluar edhe tek punëtorët e administratës së UP-së, të cilat ishin paralajmëruar kohë më parë pasi edhe në këtë drejtim ka marrë premtime se kërkesat e tyre do të realizohen.

Mirëpo, nëse as java e ardhshme nuk e ndryshon gjendjen për premtimet e dhëna dje nga kryeministri Mustafa, SBASHK do të fillojë grevat dhe masat tjera sindikale pa paralajmërim.

Jasharaj: Nëse nuk do të ketë plotësim të kërkesave do t’i fillojmë grevat pa paralajmërim

“Nëse qeveria ofron oferta që do të duken tallëse ose fyese për mësimdhënësit e asaj kohe ne nuk do t’i pranojmë dhe kryeministri e di, ia kam thënë se për çdo gjë nëse shkelen afatet dhe premtimet atëherë SBASHK-ut nuk i mbetet gjë tjetër edhe pse po mundohet që me dialog t’i zgjedh çështjet nuk i mbetet gjë tjetër por ju e patë edhe sot, unë e mora autorizimi n, nuk do ta thërras më Këshillin Drejtues por do ti thërras mediet dhe publikisht do t’i shpallë veprimet sindikale që nënkuptojnë edhe grevën”, tha ai.

SBASHK tash e një kohë të gjatë ka kërkuar që të miratohet Ligji për kompensimin e mësimdhënësve që kanë punuar gjatë vitit 1990-99, i cili nuk është shqyrtuar nga Qeveria e Kosovës për shkak të implikimeve buxhetore.

SBASHK disa herë ka paralajmëruar edhe greva dhe bojkotim të mësimit duke kërkuar realizimin e kësaj kërkese dhe disa herë edhe është bojkotuar mësimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat