Kosova me përparime të lehta, Shqipëria merr rekomandimin me kushtëzime

Aktuale

Kosova me përparime të lehta, Shqipëria merr rekomandimin me kushtëzime

Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 13:21
Johanes Han

(E potësuar) - Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën, i cili tregon përparime të lehta në pikat e kërkuara nga organet e BE-së.

Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes HahnHahn, në konferencën e sotme për media tha se Kosova ka bërë disa përparime, por kjo nuk do të thotë se liberalizimi i vizave do të arrihet menjëherë. Duhet plotësuar kushtet në tërësi, përfshirë edhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe duhet përfundimisht të luftohet korrupsioni sipas standardeve të kërkuara.

Hahn në fjalën e tij në prezantim të Raportit për Kosovën tha se Kosova nisur edhe nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duhet të plotësojë edhe standardet tjera të kërkuara nga lidershipi vendas.

 “Pas MSA-së, e cila ofron një kornizë gjithëpërfshirëse për bashkëpunim më të ngushtë politik dhe ekonomik me Kosovën, që tregon edhe procesin e mirë të arritur për liberalizimin e vizave, tani ka ardhur koha që edhe standardet e tjera të plotësohen. Lidershipi i Kosovës tani duhet të sjellë rezultate dhe do të ketë mundësi të premten të diskutoj me ta, në përgjithësi të gjithë udhëheqësit politik duhet të përqafojnë reformën, veçanërisht atë për sundimin e ligjit dhe reformat ekonomike dhe si në rastin e Serbisë Kosova duhet të përkushtohet në mënyrë më aktive dhe të bëj progres më të shpejtë të mëtejshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Hahn.

Ndërkohë, raporti për Kosovën prek disa prej pikave të cilat tregojnë se sistemi gjyqësor i Kosovës duhet të punojë më shumë në arritjen e objektivave.

“Kosova ka vazhduar të rrisë normën e saj të pastrimit të rasteve. Megjithatë, administrimi i drejtësisë është i ngadalshëm dhe joefikas, dhe ka llogaridhënie të pamjaftueshme të zyrtarëve gjyqësorë. Gjyqësori ende është i dobët për te larguar ndikim politik dhe institucionet e sundimit të ligjit vuajnë nga mungesa e fundeve dhe burimeve njerëzore”, thuhet në Raport.

Tutje, raporti tregon për kujdesin dhe përgjegjësinë që duhet të kenë dhe të marrin partitë parlamentare, duke u kërkuar që debatet t’i vazhdojnë në Kuvend.

“Të gjitha partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të ri-angazhohen për një dialog konstruktiv, me Kuvendin si forum kryesor për debat politik. Kthimi i anëtareve të opozitës në Kuvend është një hap i mirëpritur”.

Në detaje shpjegohen edhe pikat të cilat Kosova ka pasur rritje të lehtë, duke kërkuar që lidershipi të tregohet më vigjilent dhe i përkushtuar në arritjen e objektivave. Në Raportin për Kosovën është përmendur edhe liria e mediave, duke sinjalizuar se duhet pasur kujdes me kërcënimet që u janë bërë gazetarëve si dhe duke kërkuar që televizionit publik RTK-së t’i bëhet zgjidhje përfundimtare, duke ia mundësuar pavarësinë nga personat politik.

Raporti i Progresit për Kosovën, në linkun në origjinal: http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2016/20161109_report_kosovo.pdf

Komisioneri evropian Hahn në daljen e sotme publike, ka folur edhe për raportin e Progresit për Shqipërinë. Ai tha se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm drejt përmbushjes së prioriteteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Kjo edhe është arsyeja që Komisioni Evropian ka dhënë dritën jeshile të rekomandimit për Shqipërinë. 

“Për Shqipërinë kemi paraqitur një rekomandim kushtëzues për të hapur negociatat për anëtarësim. Rekomandimi tregon punën e madhe që duhet për t’u bërë për të bërë reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore, projekt i cili është kërkuar nga qeveritarët e Shqipërisë për një kohë të gjatë...Ndërkohë që ka pasur progres solid në pesë prioritetet kyçe, por prapë kjo mbetet punë në progres. Andaj rekomandimi ynë është i kushtëzuar, që nënkupton, se duhet të ketë progres të prekshëm në zbatimin e kësaj reforme si dhe në këtë kontekst procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë krucial, apo shumë i rëndësishëm për kredibilitetin e tërë procesit, duhet të shohim rezultate”, ka thënë Hahn.

Në Raport thuhet se Komisioni Evropian vëren progres edhe në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, me largimin nga Parlamenti të personave me të kaluar kriminale, si dhe sheh progres në luftën kundër korrupsionit. 

Raporti: Kosova me përparime të lehta, vizat pasi të kryhen detyrat

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën, i cili tregon përparime të lehta në pikat e kërkuara nga organet e BE-së.

Në konferencën për media të prezantuara nga Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn u tha se Kosova ka bërë disa përparime, por kjo nuk do të thotë se liberalizimi i vizave duhet të bëhet menjëherë. Duhet plotësuar kushtet në tërësi, përfshirë edhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të vazhduar më pas më tej. 

Raporti në disa pika të saj në prezantim të përparimeve në Kosovë, thotë:

Polarizimi mes Qeverisë dhe opozitës ka vazhduar. Funksionimi normal parlamentar është penguar përgjatë një pjese të periudhës kohore të përfshirë në këtë Raport duke përfshirë përdorimin e mjeteve të dhunës nga ana e anëtarëve të opozitës. Të gjitha partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të ri-angazhohen për një dialog konstruktiv, me Kuvendin si forum kryesor për debat politik. Kthimi i anëtareve të opozitës në Kuvend është një hap i mirëpritur.

Institucionet e Kosovës kanë përmbyllur obligimet e mbetura për themelimin e Dhomave të Posaçme dhe Zyrës së Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dyshimet për krimet ndërkombëtare të kryera gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999. Procedurat me Holandën si vend nikoqir janë përmbyllur. Ndërkohë nga qershori mandate i EULEX është zgjatur deri në qershor të vitit 2018.

Kuvendi ka kompletuar shumicën e emërimeve të diskutueshme nëpër institucionet e pavarura dhe në agjenci. Megjithatë emërimet ishin shpesh objekt i ndikimit politik. Kjo e dëmton funksionimin e pavarur dhe menaxhimin efikas të këtyre organeve. Kërkohet përpjekje më e madhe për tu siguruar që emërimet të bëhen mbi bazën e meritave.

Sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme….Kosova ka vazhduar të rrisë normën e saj të pastrimit të rasteve. Megjithatë, administrimi i drejtësisë është I ngadalshëm dhe joefikas, dhe ka llogaridhënie të pamjaftueshme të zyrtarëve gjyqësorë. Gjyqësori ende është i dobët për te larguar ndikim politik dhe institucionet e sundimit të ligjit vuajnë nga mungesa e fundeve dhe burimeve njerëzore.

Korrupsioni- Kosova ka forcuar kapacitetet e saj institucionale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, me krijim e një ekipi multudisiplinor hetimor, krijimin e një mekanizmi përcjellës për rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe rastet e krimit të organizuar, si dhe forcimin e departamentit për krime të rënda në gjykatat themelore. Kjo ka çuar në rritjen e numrit të rasteve të nivelit të lartë që hetohen dhe ndiqen penalisht. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem shumë serioz. Është i domosdoshëm një vullnet i fortë diplomatik për ta trajtuar këtë në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Numri i hetimeve dhe dënimeve përfundimtare mbetet i ulët. Kosova ka vazhduar përpjekjet e saj për të luftuar terrorizmin, por ende përballet me sfidat në këtë fushë,

Është arritur pak progres në fushën e të drejtave të njeriut, me disa hapa të ndërmarrë në zbatimin e pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut dhe deklarimeve për përkrahjen e të drejtave të personave LGBTI.

Megjithatë, zbatimi vazhdon të pengohet për shkak të mungesës së burimeve dhe përkushtimit politik, në veçanti në nivel lokal.

Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e lirisë së shprehjes. Ka pasur zhvillime shqetësuese gjatë periudhës raportuese, duke përfshirë një numër të kërcënimeve kundër gazetarëve. Kuvendi ka treguar përkushtim të kufizuar në gjetjen e një zgjidhje për financim të qëndrueshëm të transmetuesit publik, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj presioneve politike.

Ekonomia- Kosova është në një fazë të hershme në zhvillimit e një ekonomie funksionale të tregut.

Kosova është në një fazë të hershme të përafrimit me standardet evropiane. Përafrimi ka vazhduar në disa fusha, por zbatimi është i dobët. Është bërë pak progres në fushën e prokurimit publik dhe konkurrencës. Është bërë progres i mirë në fushën e doganave, posaçërisht në luftën kundër korrupsionit, në mbledhjen e të hyrave dhe në uljen e kostos administrative për eksport, por Kosova duhet të rrisë luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Sektori i energjisë vazhdon të përballet me problem, me mungesë përparimi sa i përket mbylljes së termocentralit Kosova A apo renovimit të Kosovës B, dhe shumë pak progres të bërë në energjinë e ripërtërishme.

Hahn: Kosova, hapa përpara për heqjen e vizave

Komisioni Europian njohu ecurinë pozitive të Kosovës në përpjekje për të marrë liberalizimin e vizave.

Komisioneri Johannes Hahn deklaroi në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian se Prishtina ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për marrjen e vendimit të lëvizjes së lirë.

Megjithatë, Hahn vuri në dukje se janë dy kritere ku kërkohet më shumë përpjekje. E para është tejkalimi i tensioneve të forta politike në vend dhe e dyta forcimi i shtetit ligjor dhe demokracisë.

Krimi dhe korrupsioni sërish sfidat e Kosovës në Raportin e Progresit 

Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën, që ndryshe njihet edhe si Raporti i Progresit. Raporte të tilla, Komisioni Evropian ka publikuar edhe për vendet e tjera të rajonit, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Raporti përmban pasqyrën dhe shënimet kryesore në lidhje me përparimet që ka shënuar Kosova gjatë periudhës një vjeçare, ku theksohen edhe ngecjet dhe sfidat.

Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka kohë të humb. Në veçanti, Hahn është ndalur te çështja e sundimit të ligjit.

“Këtu kemi nevojë edhe për vullnetin politik për rastet e caktuara”, ka thënë Hahn.

Në shumë vende, ka vijuar ai, më tepër sesa kualiteti i policisë nënkupton aftësia dhe vullneti për t’i bartur rastet nga hetimet, pretendimet, dyshimet deri te seancat gjyqësore dhe vendimet.

“Jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera është me rëndësi që njerëzit të shohin që korrupsioni nuk shpaguhet, por është e kundërta që çon në ndëshkime dhe është diçka që nuk qëndron”, ka theksuar Hahn.

Komisioni Evropian harton raporte të tilla për vendet që aspirojnë integrimet evropiane. Përmbushja e kritereve evropiane është kusht i domosdoshëm në proceset integruese të këtyre vendeve, ku bën pjesë edhe Kosova.

Këtë vit, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, para së gjithash janë kërkuar reforma në drejtësi.

Komisioni Evropian i ka kërkuar Shqipërisë reformat, si dhe nxjerrjen dhe zbatimin e ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si Veiting.

Në rastin e Serbisë, Hahn ka kërkuar më shumë progres në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, Serbisë i është kërkuar të fokusohet në dialogun me Prishtinën dhe çështje tjera që ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal, duke shmangur politikat nacionaliste të këtij vendi.

“Si nga pala serbe, ashtu edhe ana kosovare, duhet të zbatohen çështje delikate të marrëveshjeve, siç është Asociacioni i komunave serbe”, ka theksuar Hahn.

Hapja e kapitujve të ri për Serbinë, sipas tij, mund të pritet vetëm vitin tjetër.

Johannes Hahn u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të thellojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të lehtësojnë edhe rrugën e tyre integruese në Bashkimin Evropian. Ai ka përsëritur se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, por ka rikujtuar që ky rajon duhet të kalojë fillimisht përmes procesit të reformave në secilin shtet veç e veç. 

Publikohet Raporti i Progresit për Kosovën (Drejtpërdrejt)

Komisioni Evropian publikon sot Raportin e Progresit për Kosovën.

Me këtë rast mbahet konferencë për media nga Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn.

Transmetimi i konferencës i komisionerit nga Brukseli mbahet në Qendrën Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat