Për Florin e EULEX-it, u intervistua edhe Kryeprokurori Special

Aktuale

Për Florin e EULEX-it, u intervistua edhe Kryeprokurori Special

Më: 8 nëntor 2016 Në ora: 11:05
Eulex, Arkiv

Këshilli Prokurorial i Kosovës dje njoftoi për mbylljen e hetimeve ndaj ish-gjyqtarit të EULEX-it Francesco Florit, nën dyshimin për marrje ryshfeti, pasi që nuk arriti të gjejë prova gjatë hetimeve që u zhvilluan lidhur me këtë rast.

Lidhur me këtë rast ishin intervistuar disa persona ndër të cilët edhe ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku.

Lidhur me këtë rast ishin intervistuar dhe ish-prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh dhe prokurori Allen Cansick.

Millaku nga prokurorët Haki Gecaj dhe Andrew Hughes ishte intervistuar më 23 shtator 2014 ndërsa Bamieh më 17 shtator 2014 si dhe Cansick më 7 tetor të po të njëjtit vit.

Në aktvendimin për pushimin e hetimeve prokuroria vlerëson se pas një vlerësimi të përpiktë të të gjitha deklaratave të dëshmitarëve, prokurorët sugjerojnë se nga dëshmitarët nuk është marr asnjë provë për ryshfetin e pretenduar.

Në dosjen prej 20 faqesh të cilën e ka siguruar KALLXO, dy prokurorët kanë ardhur në përfundimin se Afet Cena, avokati Mahmut Halimi, avokati Azem Vllasi dhe ish gjykatësi Francesco Flori nuk kanë kërkuar para për t’i liruar nga burgu të akuzuarit për sulmin me bombë në kafe Sekiraqa.

Tre persona Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nystret Cena ishin arrestuar pak javë pas sulmit në kafe Sekiraqa ku humbën jetën dy persona dhe u lënduan disa të tjerë.

Gjykimi i aktakuzës së prokurores Maria Bamieh i ishte besuar gjykatësit italian Francesco Florit dhe një paneli miks të gjykatësve.

Pretendimet e palëve ishin se gjykatësi Italian kishte kërkuar mito për lirimin e të akuzuarve ndërsa paratë ishin mbledhur në rajonin e Kaçanikut ku si kontribues përmenden edhe figura politike të kohës.

Ishte pretenduar se për lirimin e secilit nga të pandehurit u kërkuan nga 250 mijë euro ndërsa ishin mbledhur vetëm 360 mijë. Këto para supozohej se i ishin dhënë gjykatësit për lirimin e Nystret Cenës. Ky i fundit ishte liruar nga aktakuza në mungesë provash ndërsa prokurorja nuk kishte bërë ankesë në shkallën e dytë.

Në dosjen e prokurorisë përmenden dhjetëra detaje të cilat i kanë bindur prokurorët se këto informacione nuk qëndrojnë. Njëra nga pretendimet kryesore të cilat ishin përmendur në nisje të hetimeve ishte takimi në mes avokatit Mahmut Halimi dhe gjykatësit Francesco Florit në Durrës ku supozohej se ishte bërë një marrëveshje.

Prokuroria ka arritur në përfundimin se në kohën kur supozohet se është mbajtur takimi në Durrës, Florit Halimi nuk kanë pasur hyrje dhe dalje në kufirin në mes Kosovës dhe Shqipërisë apo edhe dalje nga Shqipëria për në Itali. Prokuroria ka grumbulluar edhe një varg provash të tjera të cilat tregojnë se në këtë kohë të dyshuarit nuk kishin qenë në Shqipëri.

Prokuroria po ashtu ka analizuar kartelat e kredit të gjykatësit Italian për të parë nëse në atëkohë kishte pasur pagesa në Shqipëri dhe të njëjtat kanë dalë negative.

Në provat të cilat prokuroria përmend si rrethana që dëshmojnë se nuk ka vepër penale janë edhe vëzhgimet e takimeve në mes avokatit Mahmut Halimi dhe të akuzuarit Florim Hasani. Takimet ishin përgjuar nga hetuesit e EULEX dhe sipas përgjimeve avokati Halimi në vazhdimësi kishte mohuar se kishte kërkuar ose ishte dakorduar për të dhënë para për limimin e të akuzuarve.

Dëshmitarët e këtij rasti kishin rrëfyer në “Jeta në Kosovë” për përvojat e tyre në këtë rast.

Për këtë rast, Florit ishte marrë në pyetje nga prokuroria e Kosovës muajin e kaluar.

Hetimet ndaj ish gjyqtarit të EULEX-it kishin filluar pasi në vitin 2014, ish prokurorja e këtij misioni, Maria Bamieh, pretendoi se gjyqtari Florit kishte marrë 300,000 euro ryshfet për të liruar nga akuzat të tre të dyshuar.

Florit, i cili kishte qenë edhe shef i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” në atë kohë, kishte mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat