Hashim Thaçin nuk e merr askush seriozisht!

Aktuale

Hashim Thaçin nuk e merr askush seriozisht!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 nëntor 2016 Në ora: 08:49
Hashim Thaçi

Viteve të fundit historia e presidentëve të Kosovës, sidomos me zgjedhjen e Hashim Thaçit, ka dëshmuar se ky post është më shumë një kartëmonedhë e pazareve politike vendore dhe ndërkombëtare, sa që është një post që vjen nga sovrani dhe është në shërbim të tij.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi është fajtor në prishjen e marrëdhënieve mes liderëve në Kosovë, sepse ai nuk ka krijuar premisa prej një presidenti të barabartë për të gjithë dhe unifikues, ashtu siç ia përcakton kushtetuta, vlerësojnë analistët në Kosovë.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se Hashim Thaçi është një person që gjatë gjithë kohës ka qenë përçarës i skenës politike, nuk mund të jetë unifikuese as në postin e presidentit. 

Sipas tyre, Hashim Thaçi nuk ka dhënë prova se është unifikues dhe ka krijuar një mosbesim të madh jo vetëm në mesin e partive opozitare, por edhe tek shoqëria në përgjithësi. 

Thaçi është një president formal, dhe pa zotësi për të ushtruar

Blerim Burjani analist politik ka thënë se Hashimi nuk mund të luaj rrolin e një presidenti të unitetit dhe askush deri tash nuk e ka marr seriozisht punën që ushtron ai si president i cili është lider aktual në hije i PDK-së. Sipas tij, Thaçi ka pak gjasa që të kryej punën në këtë cilësi të cilit i mohohen të gjitha iniciativat që merr.

“Ai deri më tash ka marr dy iniciativa dhe ka dështuar në të dyja siç ishte ndryshimi i kodit penal dhe reforma zgjedhore. Pra Thaçi mund të organizojë vetëm tryeza debatuese me koalcionin dhe partitë që janë në koalicion me PDK-në,  por s’do të mund asnjëherë ta mbledh opozitën dhe një pjesë të madhe klasës intelektuale. Atëherë lind pyetja çfarë presidenti është ky?”, ka pohuar Burjani, duke shtuar se Thaçi është një president formal, dhe pa zotësi për të ushtruar.

Sipas tij, kjo shihet kur ai kot premton si në fushata madje edhe pakicat tjera se do të iu lihet nga një pozitë deputeti e rezervuar po harron ai se nuk është për këtë punë me premtuar sepse këto gjëra janë të Kuvendit e jo të presidentit.

“Ai nuk ka as kabinet e as asgjë të pavarur as vozitës madje nuk ka gjë. Pra kaherë kam thënë se ai nuk mund të këtë asnjë gjasë të ushtrojë këtë post si duhet dhe të zbatojë kompetencat që i ka me kushtetutë”, ka thënë Burjani duke shtuar se ai është një njeri, që askush më nuk i beson në skenë politike në Kosovë. 

Ai ka deklaruar se kjo opozitë nuk i beson madje as partnerit të tij në koalicion.

“ Thaçi të gjithë i ka mashtruar dhe i ka mundur politikisht pa ndërgjegje dhe me askënd nuk ka qenë mik, prandaj edhe nuk ka mbetur për tu parë si njeri i mirë në skenën politike të shtetit”, ka thënë Burjani.

Thaçi nuk ka kontribuar asnjëherë në unitet

Imer Mushkolaj, analist politik, ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka kontribuar asnjëherë në unitet, por vetëm në përçarje.

Sipas tij, një person që gjatë gjithë kohës ka qenë përçarës i skenës politike, nuk mund të jetë unifikues as në postin e presidentit. 

“Pikërisht për këtë opozita nuk i beson, sepse ai nuk ka krijuar premisa prej një presidenti të barabartë për të gjithë dhe unifikues, siç ia përcakton kushtetuta. Hashim Thaçi nuk ka dhënë prova se është unifikues dhe ka krijuar një mosbesim të madh jo vetëm në mesin e partive opozitare, por edhe tek shoqëria në përgjithësi”, ka thënë Mushkolaj.

Thaçit ka nxitur vetëm tensione politike dhe nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje!

Sami Blakaj njohës i çështjeve politike ka pohuar se, Kosovës i duhet një president që gëzon mbështetje qytetare dhe jo president të pazareve qeveritare.

Ai ka vlerësuar se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti i shtetit definohet si simbol i unitetit të popullit dhe si i tillë duhet ta ketë besimin e tij. 

“Historia e presidentëve në Kosovë, sidomos këtij të fundit, ka dëshmuar se ky post është më shumë një kartëmonedhë e pazareve politike vendore dhe ndërkombëtare, sa që është një post që vjen nga sovrani dhe është në shërbim të tij”, ka thënë  Blakaj.

Sipas tij, zgjedhja e Hashim Thaçit për president të Republikës vetëm sa ka nxitur tensione edhe më të mëdha politike dhe nuk po prodhon asnjë zgjidhje. 

“Kjo u dëshmua tashmë edhe me rastin e diskutimit për reformën zgjedhore, ku opozita e injoroi tërësisht thirrjen e tij për diskutim. Megjithatë një gjë e tillë ishte e ditur që nga dita e nominimit të tij për president, meqenëse z. Thaçi nuk ishte një personalitet që gëzonte mbështetjen e shumicës qytetare, por ishte personalitet që plotësonte apetitet qeveritare. Prandaj si i tillë z. Thaçi nuk mund të ishte unifikues i popullit dhe aq më pak simbol i unifikimit të klasës politike”, ka thënë Blakaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat