Zyrtari i lartë amerikan: Pa zbardhjen e vrasjeve politike, Kosova nuk pranohet në BE e NATO

Aktuale

Zyrtari i lartë amerikan: Pa zbardhjen e vrasjeve politike, Kosova nuk pranohet në BE e NATO

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 nëntor 2016 Në ora: 14:17
Disa nga viktimat e vrasjeve poltike

Ndonëse komisionari i BE-së, Johannes Hahn  ka kërkuar me këmbëngulje që lufta kundër krimit dhe vrasjeve politike të thellohet dhe të vazhdojë, megjithatë në Kosovë kemi ende disa raste vrasjesh të personaliteteve të ndryshme politike e ushtarake, mediatike, që janë konsideruar dhe konsiderohen si vrasje politike.  Madje, ka edhe të tjerë që janë të plagosur, kërcënuar si edhe sulmuar në mënyra të ndryshme, por që edhe pas 17 viteve e tutje, kanë mbetur të pa zbardhura. Viktimat e këtyre sulmeve apo të afërmit e tyre janë detyruar që të marrin rrezikun dhe të deklarojnë njerëzit, që kanë kryer apo që kanë urdhëruar të kryhen vrasjet apo sulmet e ndryshme. Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike e juridike vlerësojnë se  duhet një efikasitet dhe përgjegjshmëri më e madhe e institucioneve përkatëse të shtetit, që të bëj zbardhjen e këtyre rasteve dhe se klasa politike ka nevojë të lirohet nga dyshimet apo edhe faktet që inkriminojnë qoftë drejtuesish partish apo edhe Institucioneve të ndryshme. Sipas tyre, çdo krim duhet të zbardhet dhe çdo kriminel duhet të ndëshkohet, pasi ky duhet të jetë postulat kryesor i shtetit që po synojmë ta ndërtojmë.

Flasin familjarët

Sipas disa burimeve, të gazetës “Bota sot”, ndonëse, Gjykata Speciale ende nuk ka filluar funksionimin, zyrtarë nga kjo Gjykatë, kanë dalë tashmë në terren, duke mbledhur dëshmi nga  familjarët e viktimave për raste të caktuara. Por, Beriana Mustafa ka treguar se deri më tani, askush nuk është paraqitur, si përfaqësues i Gjykatës Speciale për të marrë dëshminë e saj. “Në vitin 2013 është hera e fundit që Prokuroria e EULEX-it e ka ftuar mamin tim për dëshmi, dhe kas ishte gjithë rreth kësaj çështje”, ka thënë ajo.  Edhe Doruntina Maloku vajza e të ndjerit Enver Maloku ka thënë, se  nuk është kontaktuar në askush deri më tani. Të njëjtën përgjigje, ka dhënë edhe Shpëtim Hajdaraj djali i veprimtarit të LDK-së Smajl Hajdaraj.  Ndërkaq, Imer Imeri vëllai i veprimtarit të vrarë Haki Imerit ka thënë, se nuk mund të komentojë për momentin në lidhje me këtë,  se a është kontaktuar a jo nga Gjykata Speciale. Më tej ai ka treguar, se ka takuar një zyrtar të lartë amerikan, emrin e të cilit nuk ka dashur ta bëjë publik.  “Një gjë mund ta them se zyrtari i lartë i SHBA-së më ka thënë se të gjitha vrasjet e pas luftës do të zbardhen dhe pa zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike, Kosova nuk do të pranohet në BE e as në NATO”, ka thënë Imeri.  Më tej Shpëtim Hajdaraj për gazetën “Bota sot”, ka thënë ende nuk është kontaktuar nga ndonjë përfaqësues, i Gjykatës Speciale për vrasjen e babait të tij.  “Gjykata Speciale ende s'është funksionalizuar tërësisht dhe nuk na ka kontaktuar. Prandaj edhe nuk kemi pasur ku te deponojmë dëshmi”, ka thënë Shpëtim Hajdaraj. Edhe,  Fetah Rudi aktivisti i LDK-së i plagosur në vitin  2000, në një tentim atentati,  ka pohuar se ende nuk ka deponuar asnjë dëshmi  tek ndonjë përfaqësues i Gjykatës Speciale.

Kompetencat e Speciales

Muhamet Kelmendi njohës i çështjeve juridike ka pohuar se Gjykata Speciale ka kompetenca të gjera në kohë për të hetuar rastet e tilla.   Ai ka thënë, se kjo gjykatë e shtrin veprimtarinë deri në fund të vitit 2000, dhe tani a ka prova dhe fakte të mjaftueshme, dëshmi adekuate për rastet e tilla, do të shihet në shqyrtimin kryesor të dhomave të gjykatave.  “Kjo Gjykatë nuk mendoj se ka prova për UÇK-në, për faktin se në luftë ndodhin edhe dëme kolaterale, por lufta e jonë ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Kjo kështu do te dali edhe nga kjo gjykatë”, ka thënë Kelmendi.  Skender Zogaj analist politik ka thënë, se Gjykata Speciale ka ardhur si rezultat i mos funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore për të realizuar zhvillimin shtetëror sipas Kushtetutës dhe ligjeve të përgjithshme e të veçanta për të gjitha veprimtaritë zhvillimore.  Ai ka pohuar, Gjykatën Speciale në mënyrë të veçantë e kemi kërkuar sepse në Kosovë nuk funksionon ligjit dhe të drejtat njerëzore janë të shkelura në mënyrë drastike, aq sa, jeta e shtetasve është plotësisht e pambrojtur, dhe në mënyrë sistematike shkelet nga "të fortët e padukshëm" që e kanë kapur shtetin dhe i mbajnë nën kontrollim dhe diktat të plotë organet e drejtësisë, gjykatat dhe policinë në të gjitha nivelet. Sipas tij, ky është qëllimi i Gjykata Speciale, e cila është gur themel i iniciativës nxitëse për zbardhjen e krimeve dhe vënien e kriminelëve para drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat