“Serbia e merr vesh vetëm gjuhën e reciprocitetit”

Aktuale

“Serbia e merr vesh vetëm gjuhën e reciprocitetit”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 nëntor 2016 Në ora: 09:22
Ilustrim

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, para dy ditëve është futur në territorin e Republikës së Kosovës, ku ka vizituar flotacionin e kombinatit “Trepça” në Leposaviq.

Përkundër asaj që politikanë nga Kosova ishin betuar se Gjuriqit s’do t’i lejohej vizita në Kosovë, derisa Beogradi të mos e lirojë nga burgu kolonelin e Policisë së Kosovës, Nehat Thaçin, një gjë e tillë si zakonisht u harrua. Gjuriq kreu vizitën e tij të parë prej kur Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për ”Trepçën”, derisa Serbia arrestoi edhe një qytetar tjetër të Kosovës, Hilmi Kelmendin derisa po kthehej nga Gjermania, për krime lufte gjatë viteve 1998-99 në Kosovë.

Lidhur me këtë të fundit, Nehat Mustafa, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë se institucionet tona, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, janë duke u marrë me çështjen e arrestimit të Kelmendit, ashtu siç janë marrë edhe me rastin e Thaçit.

Ndërsa, në anën tjetër, njohës të sigurisë në vend dhe analist të rrethanave politike, thonë për “Bota Sot” se Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërpres bisedimet me Serbinë, derisa për Gjuriqin konsiderojnë se duhet të trajtohet si kërcënim për rendin ligjor dhe kushtetues.

Analisti politik Albinot Maloku, në një prononcim për “Bota Sot”, thotë se zyrtari serb Marko Gjuriq, të gjithë veprimtarinë e vet, të cilën po e ushtron në Kosovë, është duke e bërë në kundërshtim me rendin kushtetues në vend dhe kundër marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, mbështetur në këtë, Qeveria e Kosovës jo vetëm Gjuriqin, por çdo zyrtar tjetër që vepron në territorin tonë nën autoritetin e Serbisë, dhe e cila veprimtari nuk është brenda rendit ligjor dhe kushtetues sipas marrëveshjeve, duhet dhe mund t’a trajtojë si kërcënim për vendin, me ç’rast t’a arrestojë e dëbojë pa dhënë asnjë arsye, shkruan Botya Sot.

“I vetmi zyrtar i Republikës së Serbisë që ka autoritet brenda kuadrit ligjor e kushtetues të Republikës së Kosovës dhe marrëveshjeve me Serbinë për të vepruar në territorin tonë, është tani për tani Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë me Kosovën”, ka thënë Maloku.

Faik Krasniqi, analist politik, thotë se në momentin që është arrestuar nënkoloneli Nehat Thaçi, Qeveria e Kosovës është dashur t’i ndërpres bisedimet meSerbinë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka pasur për detyrë të veprojë me reciprocitet me Serbinë, duke arrestuar ndonjë zyrtar të lartë serb, në mënyrë që siç thotë ai, t’i tregohet Serbisë se jemi shtet dhe se nuk mund të tallet me ne.

“Nëse Bashkimi Evropian, edhe pas ndërprerjes së bisedimeve me Serbinë, nuk do të kishte reaguar për lirimin e tij, gjë që Brukseli zyrtar, as që e ka përmendur arrestimin e tij, e lëre më t’i bëjë presion Beogradit, Qeveria e Kosovës e ka pasur për detyrë të veprojë me reciprocitet me Serbinë, duke arrestuar ndonjë zyrtar të lartë serb, në mënyrë që siç thotë ai, t’i tregohet Serbisë se jemi shtet dhe se nuk mund të tallet me ne”, ka thënë Krasniqi për “Bota Sot”.

Si pasojë e këtij tolerimi, thotë tutje ai, duke lejuar zyrtarë serbë të vijnë në Kosovë sa herë të duan, pasoi edhe arrestimi i Hilmi Kelmendit, për gjoja krime lufte.

“Jam mëse i sigurt se jo vetëm BE, por e gjithë bota do të na vlerësonin më shumë, nëse i tregojmë dhëmbët një agresori siç është Serbia, sepse tek e fundit këtë gjë do ta bënte çdo shtet normal. Në të kundërtën, z.Thaçi dhe z.Kelmendi rrezikojnë të dënohen nga shteti serb, sa për këto Rezoluta boshe të Kuvendit dhe deputetëve të Kosovës, ka shtuar Krasniqi.

Ndërsa, eksperti i sigurisë në vend Avni Islami thotë që arrestimet e fundit të qytetarëve tonë janë një tregues i ashpërsimit të gjuhës së Serbisë ndaj Kosovës.

Ai thotë për gazetën “Bota Sot” se raportet mes Kosovës dhe Serbisë përkundër faktit se janë në marrëveshje dialoguese, kanë arritur në pikën zero.

“Kjo po reflekton edhe te lëvizjet e lira të qytetarëve. Muaji që lamë pas u karakterizua nga gjuha e ashpër diplomatike e Serbisë në raport me Kosovën. E para është gjuha e ashpër e Marko Gjuriq të cilit iu ndalua hyrja në Kosovë. Si rezultat i kësaj, Serbia në mënyrë të ashpër hakmerret dhe arreston Komandantin e Policisë për Rajonin e Jugut në Mitrovicë”, vlerëson Islami.

Sipas tij, retorika e Serbisë u ashpërsua edhe më tepër për shkak të Ligjit të Trepçës të cilin e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës dhe e ka legjitimuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. “Kështu, Serbia duke e parë që po humb në bisedimet me Kosovën, ka filluar të ndërmarrë veprime regresive ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët udhëtojnë në Serbi”, thotë Islami duke shtuar se deklarata e MPJ-së për t’i paralajmëruar qytetarët e Kosovës që të mos udhëtojnë në Serbi, është dashur të lëshohej shumë më herët.

“Unë pres që ende të ashpërsohet gjuha dhe veprimet e Serbisë andaj institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime që të bëhen të njëjtat arrestime por jo ad-hoc, por aty ku ka dyshime të bazuara. Besoj se shumë zyrtarë të lartë serbë që kanë kryer krime po enden lirshëm në Kosovë dhe besoj se institucionet e sigurisë kanë informata të mjaftueshme për ta individë dhe duhet t’i përgjigjet me reciprocitet. Serbia e merr vesh vetëm gjuhën e reciprocitetit”, thotë Islami duke vënë theksin në nevojën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Kosova duhet ta formojë sa më parë Ushtrinë e Kosovës dhe t’i kushtojë rëndësi të veçantë armatimit të saj sepse vetëm forcat ushtarake  dhe policore në raport me shtetet e bëjnë një shtet të respektueshëm. Deri atëherë, Serbia do të sillet në mënyrë të njëjtë me Kosovën”, përfundon Islami.

Ndryshe, Gjykata se lartë serbe, pas më shumë se një muaji paraburgim, ka liruar para dy ditësh Nehat Thaçin, i cili u arrestua më 28 shtator në Beograd për veprën penale terrorizëm, ndërsa Hilmi Kelmendit i ka shqiptuar masën prej 30 ditësh paraburgim./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat