Veseli me lidershipin e ri të OVL UÇK'së: Shumë shpejt do të gjendet zgjidhja për veteranët

Aktuale

Veseli me lidershipin e ri të OVL UÇK'së: Shumë shpejt do të gjendet zgjidhja për veteranët

Më: 31 tetor 2016 Në ora: 17:12
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një vizitë në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), gjatë të cilës,u prit në një takim të veçantë nga udhëheqja e re e saj.

Pasi uroi drejtuesit e rinj të OVL-së për detyrën në krye të organizatës që përfaqëson ish-luftëtarët e lirisë, kryeparlamentari Veseli tha se kjo është një nga kategoritë e qytetarëve e cila ka nevojë të madhe për përkrahje institucionale, në radhë të parë morale, por, siç theksoi kryetari Veseli, nuk ka nevojë për lëmoshë. Ish-luftëtarët, shtoi kryetari Veseli, janë të gatshëm të marrin secilën përgjegjësi që u takon, në funksion të ndërtimit dhe forcimit të shtetësisë sonë.

Kreu i Kuvendit tha se veteranët e luftës janë duke u ballafaquar me një situatë, për të cilën ata më së paku janë fajtorë. Ai tha se veteranët e luftës nuk do të jenë asnjëherë mollë sherri për asgjë.

“Veteranët po mundohen të gjejnë një zgjidhje. Secili prej tyre e ndien veten të fyer nga çdo manipulim i cili mund të bëhet në emër të tyre, veçanërisht në ngarkimin e buxhetit të Republikës së Kosovës. Ata janë të gatshëm ta japin ende për Kosovën dhe shumë shpejt do ta gjejnë zgjidhjen”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hyseni Gucati, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për vizitën dhe njëkohësisht shprehu përkushtimin për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me numrin e veteranëve, ndërsa theksoi nevojën edhe të ndryshimit të ligjit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat