Pacolli: Qytetari të votojë për të ardhmen, për AKR

Aktuale

Pacolli: Qytetari të votojë për të ardhmen, për AKR

Më: 28 tetor 2016 Në ora: 19:26
Behgjet Pacolli

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, në dhjetëvjetorin e themelimit të këtij subjekti politik ka thënë se është krenar për punën që ka bërë bashkë me kolegët.

Ai ka deklaruar se partia që drejton ka treguar që ka vizion për Kosovën, të cilin herë pas here janë munduar ta kopjojnë, por pa sukses, rivalët politik.

“Me shumë krenari e feston 10 vjetorin e themelimit të saj. Dhe në mënyrë krenare mund të them që ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në politikën kosovare. I është kundërvënë së keqes dhe me punë të madhe ka arritur të faktorizohet edhe ndërkombëtarisht. Është e vetmja parti liberal-demokratike e qendrës. Programet e AKR-së nga fillimi deri tani kanë treguar se janë të vërteta. Qeveri të ndryshme tentojnë t’i kopjojnë pikat e këtij programi. Por kjo gjë nuk mund të bëhet, pasi këto parti nuk e duan vendin. Dhe është zhgënyjes fakti që Kosova është në vendin e fundit për kah zhvillimi ekonomik”.

Pacolli ka thënë se shpreson që në zgjedhjet e radhës qytetari i vendit ta votojë platformën që drejton, në mënyrë që, sipas tij, të ndërrohet drejtimi i ecjes së vendit.

“Shpresoj që vetëdija e qytetarit është ngritur dhe e ka parë kush punon për shtetin. Sot qytetari duhet që me votën e tij të mos e shkatërrojë ardhmërinë e fëmijëve dhe votën e tij ta drejtojë ku duhet. Nëse ne e marrim timonin e qeverisjes, do ta ndërrojmë qind për qind drejtimin e ecjes së vendit. Do të kemi rritje ekonomike prej 12 për qind, punësim në masë dhe administratë të reduktuar, në favor të kualitetit. Në zgjedhje do të hyjmë si parti e vetme”.

Sa i përket ikjeve nga AKR-ja, presidenti i saj ka thënë se orientimi liberal i partisë ka qenë arsye, pasi ai i ka lejuar të gjithë që të ndjekin shtegun e tyre, qoftë edhe të largimit, nëse kanë pasur vizion tjetër nga ai i partisë.

“Është punë e secilit orientimi politik. Jam i lumtur që AKR-ja ka qenë eksportuesi më i madh i kuadrove politik në vend. Unë gjithmonë kam pasur bashkëpunim me secilin dhe të gjithë kanë mundur t’i paraqesin propozimet e tyre. Nëse ata kanë dashur që në mënyra tjera të arrijnë tek suksesi, ajo është punë e tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat