Gjykata Speciale “dridh” dhe vë në lëvizje të inkriminuarit e PDK-së

Aktuale

Gjykata Speciale “dridh” dhe vë në lëvizje të inkriminuarit e PDK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 tetor 2016 Në ora: 16:35
Foto ilustrim nga "Bota sot"

“Padyshim, që në këto momente zgjedhjet e jashtëzakonshme i leverdisin më së shumti PDK-së, për shkak se njerëzit e saj do të jenë më të atakuarit nga Gjykata Speciale, dhe shpëtimin e kërkojnë tek këto zgjedhje, nga frika se pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale, do të mund të dëmtoheshin në vota” shprehet  Faik Krasniqi.

Deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që vendi mund edhe të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme është kuptuar në forma të ndryshme. Ka pasur edhe spekulime se Kadri Veseli është duke i përdor zgjedhjet para Gjykatës Speciale sepse njerëzit e partisë së tij do të jenë cak i Gjykatës, prandaj PDK-së i konvendojnë këto zgjedhje për t’i ndryshuar aleatët. 

Deputeti i LDK-së, Anton Çuni, ka thënë për  gazetën “Bota sot”, se nuk e dinë se kjo deklaratë e Kadri Veselit për zgjedhje para Gjykatës Speciale është sepse dëshiron t’i ndryshojë njerëzit e partisë, mirëpo sipas tij LDK-ja është e gatshme gjithmonë për zgjedhje. “ Si ish-ushtar, mua nuk më intereson se për çfarë arsye ka kërkuar zgjedhje Kadri Veseli para Gjykatës Speciale, pasi që unë nuk i lexoj mendimet e tij, mirëpo LDK-ja është e gatshme çdo herë për zgjedhje”, u shpreh Çuni.  Sipas opozitës, zgjedhjet nuk i konvenojnë vetëm PDK-së, mirëpo Kosova ka nevojë për zgjedhje, ata thonë se zgjedhjet nuk kanë lidhje me Gjykatën Speciale, mirëpo mund të qëndrojë si hipotezë, se PDK-ja kërkon t’i ndryshojë aleatët e saj.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, është shprehur se nga zgjedhjet duhet të përfitojnë qytetarët, sepse kështu zgjidhet kriza politike. “Momenti i zgjedhjeve gjithnjë mund të ketë më shumë favore për një palë dhe më pak për tjetrën, por kjo nuk është problemi qenësor. Nga zgjedhjet duhet të përfitojnë qytetarët e Kosovës. Situata në të cilën ndodhemi, kriza politike, ngecja në zhvillim ekonomik, papunësia dhe varfëria e lartë, mungesa e perspektivës për të rinjtë, probleme e mëdha  në shëndetësi dhe arsim, tregojnë që kemi nevojë për zgjedhje dhe zgjidhje të reja” tha Topalli.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të shtunën dhe të dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat